MENU
klinika

Filmi shqiptar dhe politika

Piro Milkani: Pse doni t’i zhdukni, kur publiku i do?!

12.09.2022 - 15:32

       Nëse të konsideruar si realizime me ngjyrime politike, filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” janë sërish nën shënjestrën e politikës. Thjesht, kahu i kundërt. Në debatin për artin dhe konkretisht, për filmat shqiptarë të paraviteve ’90, regjisori i njohur Piro Milkani, ka ide të qarta mbi ndalimin ose jo, për publikun – sikur propozojnë përfaqësues nga PD.

Në intervistën për mediet, ai thekson rëndësinë e tyre artistike dhe peshën ideologjike që të gjithë artistëve iu desh të mbanin, në kohët e errëta…

– Si e keni parë propozimin për ndalimin e disa filmave e shfaqjen e disa të tjerëve, me sqarim paraprak?

Duhet të keni vënë re që kineastët që nuk janë pak, që kanë kontribuar në realizimin e filmave kronikalë, dokumentarë dhe artistikë, kanë qëndruar në heshtje. Dhe kjo, jo për arsye frike, por se na duket si një polemikë e tepërt, për t’u diskutuar.


– Në ç‘kuptim?

Në kuptimin që sot jetojmë në një epokë të informacionit të jashtëzakonshëm të çdo gjëje dhe kemi në dorë një pult – kur të duam e hapim dhe e mbyllim. Çfarë ka ndodhur me filmin shqiptar – as më shumë e as më pak, se fenomeni i njëjtë që është Bullgari, Rumani, Çeki dhe në Poloni. Më besoni, ne që merremi me film e dimë shumë mirë, që edhe ato kinematografi kanë vuajtur nga skematizmi, nga ideologjia. Në atë kohë, në një vend më liberal siç ishte Çekosllovakia, kur dy regjisorë të shquar guxuan të bënin një film që ishte pak antiregjim, udhëheqësi ideologjik i Partisë Komuniste Çekosllovake, Vasllav Kopecki, në një mbledhje të gjerë publike, tha: “Të dashur shokë, më thoni një vend që financon një film, që thotë urdhëroni këto para dhe bëni një film kundra meje. Ne ju japim para që të bëni filma pro regjimit”. Pra, në asnjë mënyrë, po të pyesni Anagnostin, po të ishte gjallë Viktor Gjika, Vath Koreshi, Teodor Laço, të gjithë ne, nuk i kemi rënë gjoksit e as nuk kemi thënë që kemi prodhuar filma disidentë kundër regjimit. Por, në këtë krijimtari të madhe 50-vjeçare, sepse filmi ka filluar që më 1946, numri më i madh i filmave ka vlera etiko-morale e patriotike. Është e kotë të them, se çfarë vlerash ka “Nëntori i dytë”, apo “Lulëkuqet mbi mure”, apo shumë filma të tjerë që njerëzit i shohin.

Për të qenë më i qartë, në vitin 2004 me ndihmë të amerikanëve, krijuam Forumin e Mbrojtjes së të Drejtave të Autorit Audiovizualë. Mua më zgjodhën drejtor ekzekutiv e detyra ime ishte të bashkëbisedoja me pronarët e televizioneve dhe të nxisja ata që të bënin kontrata për filmat shqiptarë. Po në atë vit u themelua Digitalb. Pas 6 muajsh, unë shkova dhe u thashë atyre që “keni shumë kanale, hapni një shqip”, përgjigja ishte, “nuk kemi interes”. Pas gjashtë muajsh ishin ata që më thirrën, ejani të bisedojmë. Dhe më kërkuan të përgatisnim një kontratë sesi do të merren këta filma, me çfarë kushtesh, edhe nga ana financiare në respekt të së drejtës së autorit.

Atëherë, pyetja ime ishte: çfarë ndodhi në këta 6 muaj. Përgjigja ishte: Digitalb ka abonentë në të gjithë Europën përmes satelitit dhe transmeton të gjitha llojet e programeve: dokumentarë, filma historikë, të huaj, etj. Bëmë një anketë dhe pyetëm këta njerëz që paguajnë për të parë programet tona, se çfarë u mungon atyre dhe ata kërkuan që të shihnin filmat shqiptarë. Ndaj, prej atij viti, edhe sot që flasim, të gjitha kanalet shfaqin filma përkundrejt kontratës që bëjnë me QKK-në. Pse i bëjnë këto kontrata: duan audiencë. Tani jemi në botën e komercit.

Them me përgjegjësi, që i njëjti fenomen, mbase i çuditshëm – e le ta shpjegojë kush të dojë – filmat shfaqen edhe te çekët, polakët e rusët. I shohin me kënaqësi. Po çfarë shohin? Shohin një mentalitet tjetër, një epokë që e përjetuan për vite me radhë, ajo që më çudit mua, është se unë takoj njerëz që më thonë: “Mirë ne, po fëmijët tanë që nuk e njohin atë epokë, nuk e ndërrojnë kanalin, kur shohin një film shqiptar.

– A ngjallin këta filma, nostalgji për kohën e komunizmit?

Absolutisht, do të isha dakord me z.Tufa, sikur vërtet këta filma të çonin ujë në mullirin e nostalgjisë së komunizmit. Nuk e kuptoj, ajo epokë, për mua, në totalin e vet (natyrisht nostalgjikë do të ketë), ka marrë fund – ata shihen për diçka tjetër: si kanë jetuar, çfarë raportesh ka pasur, si ndërtoheshin dialogët, etj. Pra, në tërësinë e vet, me përgjegjësi e quaj filmin shqiptar të çfarëdolloj kategorie në mënyrë absolute, pasuri kombëtare. Filmi është një pasuri kolektive e të heqësh të drejtën një filmi, u heq të drejtën shumë krijuesve. Ne në ato filma kemi 300 muzikë simfonike filmi, me motivet më të mira shqiptare nga Limoz Dizdari, Feim Ibrahimi.

– E shihni filmin si kulturë, si pasuri që nuk bën dëm?

Është kulturë, por nuk është e dëmshme. Nuk është Z.Tufa vetëm, është Fatos Lubonja, është Mark Marku që flasin. Ne i kemi lënë në heshtje, nuk i kemi kundërshtuar, është e drejta e tyre ta mendojnë këtë gjë, por ata e kanë shumë të thjeshtë, vetë ata ose familjarët e tyre mund ta mbyllin kanalin.

– Po brezi i ri, e kupton siç duhet një film të prodhuar para 1990-ës? Dhe, kemi edhe një çështje tjetër: a ndjehen të fyer nga shfaqja e këtyre filmave, ish të përndjekurit? A fyhen të përndjekurit kur shohin të shfaqen filma, që pavarësisht se çfarë ka dashur të bëjë Milkani, për shkak të kohës me filmin e tij, përcjell “propagandë” – apo është një keqkuptim?

Unë mendoj se është një keqkuptim, për arsye se brezi i ri nuk indoktrinohet. Ai shikon anën artistike, shikon interpretimin e aktorëve, që kanë qenë vërtetë të jashtëzakonshëm, e që sot nuk i kemi më. Unë po ju bëj pyetjen, si është e mundur që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me në krye Regina Longon, përgjegjëse e Arkivit të Los Angelesit, është krijuar shoqata “Miqtë e Shqipërisë”? Ata me investimet e tyre deri tani kanë restauruar “Nëntorin e dytë”, “Tomka dhe shokët e tij” dhe do restaurojnë edhe të tjerë, duke i quajtur si një vlerë kombëtare këta filma. Ndaj, ata filma jo vetëm duhen ruajtur e duhen restauruar.

– Një shpjegim nga ana e autorëve para shfaqjes së filmave, a do të ndihmonte?

Shpjegimi naiv i autorit, që të dalë dhe të thotë e bëra këtë për këtë arsye, apo për atë arsye, është i kotë. Ne e mendojmë, se zgjerimi i kanaleve televizive të RTSH-së, do t’i japë më shumë hapësirë edhe filmit. Do të ketë një kanal të veçantë për filmat shqiptarë. Marrim rastin e filmave artistikë- kemi menduar që në këtë rast, është mirë që për disa filma, autorët – ata që janë gjallë, skenaristi apo regjisori, apo dikush tjetër, pesë minuta shpjegojnë rrethanat se si është krijuar ai film, megjithëse, kushtet se si është krijuar filmi, pothuajse dihen nga të gjithë.

Për të shkuar më tej, sot në Shqipëri përgatitet një brez i ri kineastësh nga dy shkolla, në Akademinë Marubi dhe në Akademinë e Arteve me ëndrrën që të bëhen kineastë ndryshe nga ne e që të bëjnë filma më të mirë se ne. Unë u jap mësim studentëve te Marubi, Historinë, Estetikën e kinemasë dhe Historinë e filmit shqiptar dhe aty vijnë edhe pedagogë të huaj. Vijnë edhe pedagogë të huaj e mes tyre, më i vjetri dhe më i respektuari është Bruce Williams- historian fotografie, estet i kinemasë amerikane, i cili jo vetëm e njeh mirë kinemanë shqiptare, por edhe atë të Europës Lindore. Një ditë pashë që ai u fliste studentëve mbi thelbin filozofik se pse ishin krijuar filma në Republikën Demokratike Gjermane, ata janë më skematikë se tanët, pasi STAS-i ka qenë më i organizuar se Sigurimi ynë, që përgjonte çdo lëvizje të disidencës dhe aty ishte një regjim i egër komunist.

Ata filma, gjermanët e lindjes dhe të perëndimit sot i shohin pa pasur frikë nga ajo.

– A janë kaq të rrezikshëm, filmat shqiptarë?

Unë akoma nuk di a u bë mirë, a u bë keq, por kur botohet sot në Shqipëri, Mein Kamph i Hitlerit në një kohë që në Gjermani është i ndaluar, e këtu kemi pse të diskutojmë. Mua më duket se është një debat pak i ekzagjeruar me gjithë respektin e madh që kam për ata që në ndryshim nga ne, se ne nuk jemi njëlloj- për ata, për ata të përndjekur që kanë vuajtur shumë rëndë kohën e regjimit komunist.

– Një ndër filmat që ka përmendur Tufa, si film i propagandës, është filmi juaj “Shembja e idhujve”. Aty ka disa tema që trajtohen, por imazhi i klerikut katolik aty përbaltet- në kushtet e debatit të sotëm, çfarë mund të thoni?

E vërteta është se unë jam autor, jam regjisor i atij filmi dhe për të realizuar atë film kemi qëndruar me grupin e filmit në Qafën e Bordolecit, 47 ditë në një dimër të tmerrshëm të vitit 1967. Me përjashtim të një prifti katolik, në filmin Skënderbeu, që është pozitiv, që shkon në dasmën e Skënderbeut dhe lajmëron që venecianët po sulmojnë e të tjera, në asnjë film shqiptar, prifti ortodoks, katolik, hoxha, nuk janë trajtuar ashtu siç meritojnë. Përkundrazi janë parë me një optikë tjetër. Por, nëse do të themi që do të ndalojmë “Shembjen e idhujve”, nuk do kemi episodet shumë të bukura dhe interpretimet e shkëlqyera të Kadri Roshit, Robert Ndrenikës, Lazër Filipit e aktorëve të tjerë, ku në një farë mënyre është një pasqyrë dhe është filmi i parë që trajton epokën e Zogut. Natyrisht që ka ideologji aty, por do të privonim edhe muzikën e Feim Ibrahimit, edhe këngën “Manushaqe bukuroshe” të kënduar nga Vaçe Zela, pra është një problem që vlen të diskutohet, por jo të merret kaq seriozisht.

– A mund ta krahasojmë këtë qasje ndaj një kleriku, me qasjen që shpesh ka pasur edhe kinemaja italiane në portretizimin e klerikut katolik?

Shiko, në filmat italianë ka qenë ndryshe. Është ndryshe kur i trajton në kinokomedi, aty çdo gjë pranohet, edhe te filmi “Përrallë nga e kaluara” prifti është më tepër pjesë e komedisë se sa përçmim i klerit. Është një personazh për të qeshur, ndërsa te “Komisari i dritës” apo te “Shembja e idhujve” është e vërtetë që prifti është parë në atë prizëm, siç është programuar në ideologjinë komuniste që feja është opium për popullin dhe bartësit e kësaj ideologjie ishin detyrimisht figura negative – çka do të thotë se ishte gabim, por nuk mund të mohoj “Komisarin e dritës”, nuk mund të mohoj Ndrec Ndue Gjokën që hapi 50 shkolla në Mirditë, në tërësinë e vet nuk të ngelet asgjë tek ai film, e harron priftin, në atë film të ngelet angazhimi human i Dritan Shkabës, që kërkon të përhapë dije. Unë kështu e kuptoj.

– A kanë përgjegjësi artistët, për artin që kanë bërë para 1990-ës?

E kemi biseduar me kolegun tim Dhimitër Anagnosti, këtë punë. Do t’ju kujtoj diçka. Në vitin 1962, sapo isha kthyer nga studimet dhe bashkë me Viktor Gjikën, po xhironim një film, që unë s’kam qejf ta shoh: “Detyrë e posaçme”- me diversantë, me zbulime, me sigurim. Unë dhe Viktori ishim drejtorë fotografie, operatorë të filmit, regjinë e kishte Kristaq Dhamo. Duke qenë se vinim nga një botë me liberale, duke qenë se nuk ishim budallenj, e kuptonim që ai film nuk ishte gjëja e më mirë që po bënim. Duke qenë se kisha besim te kolegu im, i thashë Viktor Gjikës në heshtje, veçmas: “A nuk do të na vijë turp një ditë për këta filma që po bëjmë”- pra e kisha ndjenjën e fajit. Viktor Gjika, u mendua dhe më dha këtë përgjigje: “O Piro, po ata që do të vijnë pas këtyre, besoj se do të jenë më të mençur, do ta kuptojnë se nuk kishim si bënim ndryshe”. Pra, ishim të detyruar t’i nënshtroheshim një metode që kishte pushtuar gjysmën e botës- metodës së realizmit socialist, ku heroi pozitiv triumfonte, e mira fitonte mbi të keqen. Në këto 280 filma, unë që tani mundem t’iu rendis, 125 ose 140 filma me vlera të mirëfillta morale, etike, historike, artistike. Nuk duhen të hidhen poshtë, nuk duhen ndaluar. Koha bën të vetën, i seleksionon. Askujt nuk i imponojmë ne, ata i zgjedhin vetë.

– Do ndërmerren hapa ligjorë, mbi atë që sot është vetëm një propozim – pra, mbi përzgjedhjen e atyre që transmetohen dhe sqarimin e tyre. Do ta kundërshtoni?

Nuk më duket e drejtë. Ne kemi zbatuar kaq urdhra e kaq nisma ligjore, kaq rregullore, sa jemi të lodhur. Nisma ligjore është shija e spektatorit. Por, unë ju garantoj se ata filma nuk çojnë ujë në hullinë e mullirin e nostalgjisë për atë kohë. Ne që ë kemi jetuar e dimë se si ishte e as nuk dëshirojmë që të kthehet.

– Filmat shqiptarë në Kinë, si janë pritur?

Një njohëse e filmit shqiptar, Mimoza, shefe e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Pekinit, kishte ardhur në Shqipëri, sepse do të mbronte doktoratën për “Filmin shqiptar dhe ndikimin e tij në artin e kulturën kineze”. Unë di që në Kinë, filmi ‘Ngadhënjim mbi vdekjen’ ka pasur rekord nga spektatorët. I thashë se mund të ketë pasur 350 milionë spektatorë, por ajo qeshi e tha se ka pasur më shumë. Helena Kadare, në librin e saj me kujtime “Kohë pamjaftueshme” citon një autore disidente kineze dhe librin e saj të njohur “Patat e egra”, ku tregon tmerret e revolucionit kulturor kinez e ndër të tjera, thuhet se filmat shqiptarë, për kinezët ishin një dritare drejt Evropës. Pra, nuk kemi ndikuar për keq te spektatori kinez. Duhet të kemi kujdes në gjykimet e prera, kjo të hiqet e kjo të mbetet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kristidhi: E ka dashuruar punën

Çekia nderon kineastin Piro Milkani


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale