MENU
klinika

Çfarë tregojnë të dhënat nga INSTAT

Çmimet zhvlerësojnë rritjen e pagave të shqiptarëve!

13.09.2022 - 12:44

Përballë inflacionit të lartë, rritja e pagave thuajse bëhet jo efikase, dhe nuk ndjehet në xhepin e qytetarëve.

Edhe pse pagat në tremujorin e dytë sipas të dhënave të Institutit të Statistikave u rritën me 7% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Por në realitet kjo rritje është vetëm 0.3% për shkak të rritjes së inflacionit, i cili në të njëjtën periudhë të sipërcituar ishte 6.73%, i ndikuar më së shumti nga shtrenjtimi i ushqimeve dhe i karburantit.

Sipas raportit paga mesatare mujore bruto për periudhën prill-qershor ishte 60.666 lekë, nga 56.710 lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa në raport me tremujorin e parë të këtij viti rritja e pagave është me vetëm 1.424 lekë.

Rritja më e madhe e pagave në këtë tremujor është regjistruar në sektorin e ndërtimit me 13,4 %, ndërsa rritjen më të vogël e kanë pasur punonjësit e administratës.

Ndërsa hendeku me pabarazinë në paga ka vijuar edhe gjatë kësaj periudhe, pasi në sektorin e Aktiviteteve financiare dhe të Sigurimit pagat janë 2.1 herë më të larta sesa mesatarja në nivel kombëtar, pasi pagat e tyre arrijnë mbi 130 mijë lekë, ndërsa tek Bujqësia rrogat janë 34% më të ulta se niveli kombëtar pasi marrin deri në 40 mijë lekë.

Ndikim në rritjen e nivelit mesatar të pagave ka dhënë edhe aksioni kundër evazionit që bënin disa kompani me nën-deklarimin e punonjësve. Sipas të dhënave zyrtare të Tatimeve, vetëm si pasojë e aksionit anti-informalitet 58% e tatimpaguesve që morën letrën e tatimeve kane rritur pagat.

Po ashtu INSTAT saktëson se në nivelin e rrogës mesatare përfshihen edhe shpërblimet dhe shtesat mbi pagë, të cilat në fund të çdo gjashtëmujori rrisin ndjeshëm pagën mesatare mujore bruto.

INFLACIONI NË SHQIPËRI
Prill 6.2%
Maj 6.7%
Qershor 7.4%
Mesatarja 6.73%

DIFERENCAT E PAGAVE KËTË VIT
Janar-Mars 2022 59.242 lekë
Prill-qershor 2022 60.666 lekë
Diferenca +1.424 lekë

PAGA MESATARE NË SHQIPËRI
Prill-qershor 2021 56.710 lekë
Prill-qershor 2022 60.666 lekë
Diferenca +3.956 lekë

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sejko: Inflacioni në vend do të mbetet i lartë

Kriza e çmimeve/ BSH nuk ndryshon politikën monetare

Masat që duhen marrë për rimëkëmbje

FMN vlerëson masat, por jep edhe ‘detyra shtëpie’

Borxhi publik, rreziku dhe bankat

Eurobondi dhe “lufta” me kohën