MENU
klinika

Rikualifikohet zona rreth amfiteatrit

Plani për transformimin e Durrësit

15.09.2022 - 13:27

Në Durrës, Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) paraqitën planin e menaxhimit të integruar të zonave arkeologjike A dhe B për qytetin.

I hartuar nga një studio italiane, ky plan 8-vjeçar ofron një vizion për ta kthyer Durrësin në një nga destinacionet turistike më tërheqëse në Mesdhe. Nga ky projekt preken afro 80 objekte banimi dhe biznesi, 12 prej të cilave ndodhen mbi amfiteatër dhe do të jenë të parat që do të shpronësohen për t’i hapur rrugë zbulimit të plotë të monumentit antik. Gjatë dëgjesës publike, banorë që preken nga ky projekt ngritën shqetësimin e shpërnguljes nga habitati i tyre thuajse 100-vjeçar dhe të mungesës së informacionit për trajtimin e tyre.

“Erdha këtu jo me njoftim zyrtar. Ajo çfarë u prezantua këtu ishte si një leksion historie dhe jo veprime konkrete çfarë do bëhet dhe si do të realizohet”.

“Kompensimi është qesharak. Sot diskutohen referime të para 10 viteve. Asnjë familje nuk mund të jetojë. Jo të blejë një shtëpi”.

“Besoj të gjithë durrsakët ankohen që nuk kanë amfiteatrin siç do ta donin. Kanë një konglomerat urban brenda të cilit dhe një amfiteatër”, tha Elva Margariti, ministre e Kulturës.

“Ka nisur puna me shpronësimin e grupit të parë, me objektet që janë mbi Amfiteatër. Janë 12 godina që janë vizituar në terren. Listat do të publikohen dhe referuar rekomandimeve të ASHK-së për vlerën e 3 muajve të fundit për njësitë dhe banesat, sigurisht bazuar në ligjin për shpronësimet. Edhe dokumentacioni që posedojnë banorët është shpesh shumë i dëmtuar. Procesi do të vijojë”, shpjegoi kryebashkiakja Emirjana Sako.

Paraprakisht, Fondacioni ka miratuar një buxhet prej 7,7 milion dollarësh për ndërhyrjen në Durrës, ndërsa qeveria shqiptare do të bëjë shpronësimin dhe kompensimin e banorëve. Lidhur me debatin e nisur për menaxhimin e pasurive arkeologjike shqiptare nga privatët, Margariti u shpreh:

“Për të gjithë ata që abuzojnë me praninë e partnerëve, donatorëve tanë si një kalim drejt një entiteti të huaj, siç është debatuar shumë dhe për Butrintin u them që ekspertët kanë studiuar dhe konsultuar që ky plan menaxhimi mund të vendoset në jetë prej vetë Qendrës Muzeore të Durrësit dhe të ardhurat do të shkojnë në restaurim, kërkime dhe pse jo në aktivitetet që na mungojnë. Shteti mund të krijojë brenda vetes disa struktura më të zhdërvjellëta siç na sugjerohet për Durrësin”, tha Margariti.

Projektet që pritet të zbatohen në Durrës përgjatë viteve të ardhshme kanë shtuar shqetësimin qytetar, nëse do të jenë të integruara me njëra-tjetrën apo do të diktojnë ndasi territoresh në qytet.

“Mendoj që projekti i ri i marinës është një magnet i madh që i shtohet magnetit të Amfiteatrit dhe nuk do të shihja asnjërin si xhep të tjetrit, por si dy elementë që vetëm mund të krijojnë sinergji më të mëdha”, tha ministrja e Kulturës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Aksioni i IMT-së dhe policisë bashkiake në Durrës

Hapësira publike pranë lulishtes së Mauzoleumit të Dëshmorëve


Regjistrimi i rreth 13.000 m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz

Lihet në qeli ish-kreu i Kadastrës

Dyshohet se ra nga lartësia e një pallati

Tragjike! Humb jetën 10-vjeçari

Zonat ku pritet të ketë edhe dëborë

Nisin reshjet e shiut në të gjithë vendin