MENU
klinika

Mbledhjet e ushtrisë

Stërvitja e Brigadës së Parë: akuzat ndaj Mehmet Shehut

16.09.2022 - 11:46

        Publikohen disa dokumente nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të vitit 1979 pjesë e një dosjeje ku ndodhet edhe një proces-verbal i takimit ditor, të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, të kryesuar nga Enver Hoxha, ku merrnin pjesë: Hysni Kapo, Ramiz Alia dhe Hekuran Isai, ku u morr në analizë të thellë dhe u diskutua për stërvitjen e marshimit të Brigadës së Parë, që sipas Enverit, kishte dështuar plotësisht, duke mos përmbushur objektivat e vëna, që më parë nga ana e ministrisë së Mbrojtjes Popullore e drejtuar nga ministri, Mehmet Shehu.

Nga: Dashnor Kaloçi

Në mbledhjen në fjalë ku diskutuan të tre sekretarët e Komitetit Qendror të PPSh-së, Enver Hoxha, pasi kritikoi punën e bërë nga ana e dy zëvendësministrave të Mbrojtjes Popullore, Maliq Sadushi dhe Veli Llakaj, të cilët kishin kërkuar që të përsëritej stërvitja, me marshimin e Brigadës së Parë, (gjë të cilën ai nuk u’a aprovoi në mënyrë kategorike), i sugjeroi Hysni Kapos, që duke mbajtur parasysh këshillat e mjekëve, lidhur me shëndetin e tij, si Komisar i Përgjithshëm i Ushtrisë, të gjente kohë dhe të shkonte në mbledhjet, me repartet e njësitë e mëdha ushtarake, pasi Ushtria kishte nevojë për mendimet dhe fjalën e tij. Po kështu në takimin ditor me sekretarët e Komitetit Qendror të Partisë, që u mbajt në datat 9 dhe 12, shkurt të vitit 1979, Enver Hoxha nga pozita e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, hodhi akuza edhe ndaj Mehmet Shehut, ku midis të tjerash u shpreh: “

Dokumenti sekret me proces-verbalin e takimit ditor të Sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku Enver Hoxha mori në analizë dështimin e stërvitjes së marshimit të Brigadës së Parë

9 shkurt 1979

Pasi u informua për zhvillimin e stërvitjes së Brigadës së Parë e mori fjalën shoku Enver Hoxha.

SHOKU ENVER HOXHA: Është e domosdoshme që komitetet dhe organizatat-bazë të Partisë të punojnë intensivisht dhe të interesohen për rrënjosjen e ndërgjegjes së fortë komuniste te njerëzit tanë për çështjen e mbrojtjes së atdheut. Kjo detyrë e madhe shtron disa kërkesa të forta, të rrepta dhe kërkon shpirt të lartë sakrifice. Për ne ka rëndësi çështja të punoja si duhet që ushtarin ta bëjmë të ndërgjegjshëm në mënyrë që ai të kuptojë se në ndonjë rast, në kohë lufte, mund t’i qëllojë të mos ketë bukë, t’i mungojnë edhe rrobat, megjithatë ai nuk duhet të braktisë detyrën, pozicionin, por të rezistojë e të luftojë deri në fund.

Eksperienca e luftës sonë e tillë është. Ne e dimë se partizanët tanë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kanë rezistuar, bile në kushte shumë të vështira. Por, kur flasim e jemi të ndërgjegjshëm për këto gjëra, duhet edhe t’i zbatojmë dhe jo të thuhen formalisht sa për t’i thënë dhe, kur të vijë çështja për zbatimin e tyre, të na mbeten në mes të rrugës, pa u realizuar.

Prandaj ta kuptojmë qartë që në komandat e shkollave të lira ushtarake duhet të inkuadrohen kuadrot më të mirë e më të ndërgjegjshëm, ata që janë njerëz të sakrificës, me horizont dhe me dijeni të gjera politiko-ushtarake. Edhe në qoftë se ndonjëri s’ka dijeni sa duhet nga ana ushtarake, t’i vihet detyrë që të mësojë, të bëjë përpjekje që të pajiset edhe me këto dijeni, të aftësohet e të jetë i përgatitur sa më mirë.

Në qoftë se kuadrove të ushtrisë aktive nuk u bëjmë të qartë që ushtria jonë aktive është diçka shumë e vogël, në krahasim me gjithë ushtrinë tonë të madhe popullore, nuk kemi bërë gjëkafshë. Pikërisht oficerët, kuadrot e ushtrisë sonë aktive, qofshin të vjetrit, apo të rinjtë që mësojnë në shkolla, duhet të edukohen që të interesohen jo vetëm për ushtrinë aktive, po për të tërë masën e popullit të armatosur. Mirëpo në këto çështje ka akoma koncepte e qëndrime të palejueshme. Unë kam lexuar raporte ku thuhet se ka kuadro të ushtrisë aktive që udhëhiqen nga koncepte se për shkollat e lira duhet të interesohet rrethi dhe jo komanda e njësisë që e ka në territorin e vet apo anasjelltas.

Në qoftë se ekzistojnë me të vërtetë të tilla koncepte, këto do të na pengojnë në forcimin e kompaktësimin si duhet të të gjithë ushtrisë sonë popullore dhe nuk do të na lënë të përgatitemi mirë e si duhet për mbrojtjen e atdheut. Ushtria jonë, në formën leniniste që kemi vendosur, kërkon edhe organizim të mirë. Por organizimi kërkon, në radhë të parë, një kuptim të qartë politik dhe ideologjik, ai ka pastaj nevojë edhe për veprime e masa që duhen realizuar plotësisht në jetë. Në qoftë se e kuptojmë vetëm me fjalë rëndësinë e shkollës së lirë ushtarake, kurse në realitet këtë e neglizhojmë dhe për ta drejtuar atë ngarkojmë të moshuarit, ose i ndajmë kuadrot e kësaj shkolle nga ata të ushtrisë aktive etj., atëherë mësimi i Leninit nuk do të zbatohet. Me një praktikë të tillë ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse ngopemi me lugë të zbrazët. Ky problem duhet parë mirë në dy drejtime.

Unë mendoj se shkollat e lira nënvleftësohen, për to nuk ka akoma një koncept të drejtë jo vetëm nga ana e kuadrove të ushtrisë aktive, por një neglizhencë të madhe e të palejueshme ka edhe nga vetë komitetet e Partisë dhe nga organizatat-bazë të terrenit, në vend që këto të udhëheqin si duhet punën për të zbatuar me kujdes vendimet që kemi marrë për funksionimin sa më të mirë të shkollave të lira. Për shembull, unë nuk i gjej aspak të drejta mendimet që kanë shprehur drejtuesit e Ministrisë, Veli Llakaj dhe Maliq Sadushi që, të bëhet edhe një herë stërvitja e Brigadës së Parë. Ata e drejtuan gabim stërvitjen, afati që ishte caktuar për të tash ka mbaruar. Gjithçka u bë gjatë asaj stërvitjeje u analizua dhe ata vetë morën notën zero. Për të metat në organizimin e në drejtimin e kësaj stërvitjeje disa kuadro morën dënime, me efektivin u mbajtën edhe konferenca.

Tash, të urdhërojmë që kjo stërvitje të përsëritet siç kërkojnë drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, do të thotë që njerëzit t’i heqësh nga prodhimi edhe një herë për disa ditë të tjera për të njëjtën punë, që nuk u krye, jo për faj të tyre, por për faj të kuadrove drejtues të ushtrisë që ishin ngarkuar me përgatitjen e zhvillimin e kësaj stërvitjeje. Mirëpo kjo gjë, përveç shpenzimeve të mëdha materiale e monetare, do të thotë që pjesëmarrësit të bëjnë dyfishin e numrit të ditëve që ishin caktuar. Me ç’të drejtë bëhet një propozim i tillë? Duhen parë me kujdes këto gjëra, shokë, dhe jo të flitet me kaq mendjelehtësi. Pastaj, pse vetëm me Brigadën e Parë do të bëjmë ne stërvitje? Ajo e kreu stërvitjen dhe s’doli hiç mirë, prandaj zero t’u vihet nota drejtuesve të ngarkuar dhe jo t’u fërkohen krahët, por ama jo edhe siç u tha Mehmet Shehu: “Ju e turpëruat brigade e Parë”!

Jo, ata nuk turpëruan aspak Brigadën e Parë të Luftës Nacionalçlirimtare, po turpëruan veten e tyre. Stërvitja që u krye, ashtu si u krye, qe një shembull shumë i keq. Po përse ndodhi kështu? Mos vallë, siç na thuhet, sepse njerëzit shkuan për të parë një ndeshje futbolli!? Mua, më duket se nuk është këtu çështja. Pati nga ata që u larguan se nuk i rezistonin të ftohtit, dhe nga kjo, në mënyrë të shpejtuar, arrihet në konkluzionin që s’janë të qëndrueshëm këta njerëz. Po në realitet nuk duhet të jetë kështu dhe nuk është e tillë ushtria jonë! Prandaj kuadrot ushtarakë të nxjerrin mësime nga kjo që ngjau, t’i vënë gishtin kokës, të mos i marrin çështjet përciptazi. Në asnjë mënyrë të mos mendojmë se kjo që i ngjau Brigadës së Parë është një gjë e rastit. Unë mendoj se, krahas njerëzve të mirë, ka edhe ndonjë që na gënjen, prandaj këtyre t’u tregojmë vendin. Të bëjmë shumë kujdes, shokë, që të ruhemi nga gënjeshtrat dhe këtë do ta arrijmë vetëm duke organizuar kontroll të fortë.

Mirë, po kush do ta kontrollojë ushtrinë? Ashtu si çdo sektor tjetër atë do ta kontrollojë Partia. Po Partia do të kontrollojë vetëm në përgjithësi se si zbatohen detyrat? Jo, Partia do të kontrollojë e duhet të kontrollojë edhe konkretisht dhe të zbulojë e të korrigjojë deri ato shfaqje të dënueshme, siç janë, për shembull, edhe fyerjet e atij oficeri që në këtë stërvitje i bëri ushtarit. Pra, është Partia ajo që duhet të kontrollojë çdo gjë, punën dhe njerëzit, deri edhe komandantin, të kontrollojë edhe komisarin, të kontrollojë e të vlerësojë edhe në ushtri çdo veprim, si kudo. E pyeta Mehmet Shehun, me këtë rast, se si punojnë në repartet e tyre oficerët aktivë. Meqenëse ishte fjala për këta të njësive të Tiranës, i vura në dukje se unë kërkoj që ata edhe të rrinë e të flenë në repart me trupën. Aq më tepër, i thashë, kur venë në stërvitje, ata duhet të qëndrojnë vazhdimisht tok me trupat që stërviten, të lodhen e të përballojnë vështirësi në borë e në shi, ditën dhe natën, t’i shikojnë njerëzit gjatë marshimit ose edhe kur pushojnë, të interesohen vazhdimisht për gjendjen e tyre, për nevojat, pajisjet, ushqimin, fjetjen, shëndetin etj.

“Po edhe venë me trupat”, më tha ai. Po edhe nuk venë, shtova unë, pse di që ka nga këta kuadro që gjatë stërvitjes në fjalë e patën lënë fare vetëm trupën, në vend që oficeri, siç e ka për detyrë, të lidhej ngushtë e të jetonte në këto ditë me ushtarët. Kur oficeri vete dhe u futet ushtarëve ose rezervistëve në çadër dhe i pyet: “Si jeni more shokë, si jeni more djema”, dhe ulet e bisedon pastaj shtruar me ta, atyre u lehtësohen vështirësitë, u ngrihet morali. Kur oficeri hyn në çadër në kohën e pushimit dhe mund t’i gjejë ushtarët duke fjetur, kur ndonjë e sheh që është zbuluar dhe e mbulon me batanije, ushtari, që në atë kohë qëllon të zgjohet, duke parë dashurinë e kujdesin e eprorit të tij, është i gatshëm të hidhet në zjarr për të. Si mund të jetë oficer i ushtrisë sonë një njeri, që nuk kujdeset kështu për vartësit e vet?!

Ne asnjëherë nuk kemi thënë që oficeri të ndahet nga familja, nga fëmijët e të mos u kushtojë këtyre një pjesë të kohës së lirë që ka, por ama, jo ta ketë mendjen orë e çast vetëm te shtëpia e të mos qëndrojë pranë ushtarëve. Në rast se kemi ndonjë kuadër të tillë, ky nuk është i lidhur me masën e ushtarëve dhe atëherë më mirë të hiqet nga ushtria dhe të dërgohet në një punë tjetër që do të ishte më e përshtatshme për të. Siç duket, është e domosdoshme që në ushtri të bëhet një punë politike dhe ideologjike shumë më e thelluar e më e organizuar se deri më sot, pse kam përshtypjen që ajo bëhet e përciptë. E kam përsëritur shumë herë, shoku Ramiz, dhe kurdoherë kam pasur merak për mënyrën e dhënies së mësimit në ushtri, se ajo futet në korniza e bëhet me formula nga ana e atyre që zhvillojnë punën politike, se këta nuk mendojnë ta lidhin ngushtë teorinë me jetën, ose nuk arrijnë ta lidhin mësimin teorik me problemet që u dalin përpara në repart, në stërvitje.

Prandaj punëtorët e Partisë, kur venë të trajtojnë një problem politik apo teorik, këtë ta lidhin ngushtë me ngjarjet e vendit, me problemet ku jetojnë e punojnë njerëzit që kjo punë t’u shërbejë përmirësimit të gjendjes, zgjidhjes në kohë dhe mirë të detyrave. Mua më duket se në ushtri, ashtu siç ndodh në shumë raste në terren, puna politike dhe ideologjike bëhet në mënyrë formale. Kur lektorëve a propagandistëve u tërheq ca vërejtjen, punojnë mirë, por ka nga ata, për të cilët kam biseduar edhe me ty, Ramiz, që kur venë të flasin, për shembull, për librin «Imperializmi dhe revolucioni» u lexojnë dëgjuesve pjesë të tëra të tij. Për t’ua lexuar, më duket mua, nuk ka nevojë, sepse secili e lexon vetë librin. Rëndësi ka që t’u flitet njerëzve konkretisht për problemet, t’u bëhen zbërthime. Referuesi edhe ndonjë frazë a ndonjë citat mund të marrë nga ky libër, me qëllim që ta bëjë më të gjallë tezën që shtjellohet atje, që dëgjuesit t’i ngulet mirë në kokë politika e Partisë, por jo t’u lexojë njerëzve faqe të tëra nga libri.

Gjithashtu, kam mendimin se, veçanërisht në ushtri, praktikohet akoma mënyra e vjetër e konspektimeve dhe e zbërthimit të mësimeve e orientimeve të Partisë. Mbajti një fjalim të gjatë për shumë orë në aktivin vjetor të Ushtrisë në Durrës Mehmet Shehu dhe menjëherë pas aktivit u porositën kuadrot ushtarakë që ta zbërthejnë këtë material për çdo çështje. Dhe ata po bëjnë përpjekje që ta kryejnë këtë punë. Mua më duket se të zbërthehet ky material kaq i gjatë për çdo paragraf, është një punë pa kuptim. Një zbërthim i tillë, ashtu siç po bëhet, nuk ka vlerë, për arsye se çdo çështje që trajtohet aty, është e lidhur me shumë probleme të tjera. Që t’i bësh një zbërthim me vlerë një materiali, duhet të nisesh nga problemet që ke përpara për të zgjidhur, pastaj të bësh përpjekje që të zgjerosh dijenitë e tua për këto probleme. Po të kesh gjëra të reja, duhet t’i paraqitësh edhe këto si shembuj për ta ilustruar materialin etj.

Unë mendoj se nuk bëhet kështu, se një punë e tillë nuk bëhet as në organizatat e Partisë në terren. Por kjo është e domosdoshme, sepse gjithë ajo masë, që mori pjesë në këtë stërvitje, përbëhet nga njerëz të ardhur në shumicë nga terreni. Këta që marrin pjesë në stërvitje janë të rinj, shumica dërrmuese e tyre s’janë as anëtarë partie, por ata kanë bërë pjesë ose janë edhe sot anëtarë të organizatës së rinisë. Prandaj punën me rininë, edukatën që jepet në këtë organizatë, duhet ta shikojmë një çikë më thellë, se më duket që kjo punë bëhet më shumë në mënyrë libreske. Prandaj të thellohemi dhe të gjejmë arsyet pse na ngjasin shfaqje të mungesës së disiplinës në rini, të mungesës së në fabrika, në ara apo gjetkë. Këtu të bëjmë kujdes që të mos e shohim në përgjithësi punën e rinisë, të mos na zërë sytë ajo që themi përditë dhe që është plotësisht e drejtë, që rinia ka dhënë dhe po jep një kontribut të madh për ndërtimin e socializmit dhe për mbrojtjen e atdheut, po ta shohim një çikë më konkretisht këtë fenomen në disa drejtime, për disa arsye.

Me siguri që ka disa shkaqe përse ndodhin këto fenomene negative. Ne duhet të bëjmë përpjekje t’i gjejmë shkaqet, t’i vëmë në dukje, t’i lidhim me situatat konkrete dhe të nxjerrim pastaj edhe konkluzione teorike për përmirësimin e gjendjes. Kam përshtypjen se në ushtri edhe gazetat lexohen sa për të kaluar kohën. Është bërë zakon që ngrihet, fjala vjen, skuadër-komandanti ose përgjegjësi i rinisë dhe thotë: “Rrini tani ju, shokë të skuadrës, se do të bëjmë pak pushim dhe gjatë kësaj kohe unë do t’ju lexoj gazetën”, pa i lënë njerëzit një çikë të lirë. Në vend të kësaj do të ishte mirë që ai t’u fliste shokëve të skuadrës disa minuta për një artikull me rëndësi që është botuar në gazetë e që lidhet edhe me problemet e tyre konkrete, duke nxjerrë mësime për ndreqjen e të metave e të dobësive të skuadrës e të repartit. Të nesërmen ai mund t’u komentojë një artikull tjetër, që mund edhe të mos ketë lidhje drejtpërdrejt me problemet e repartit, por që trajton ndonjë problem të rëndësishëm dhe që i shërben formimit dhe edukimit të ushtarëve.

Pra puna ideopolitike me njerëzit duhet përmirësuar, ashtu si edhe në terren, edhe në ushtri. Kisha, shokë, edhe një çështje tjetër, atë të organizimit të punës këtu në aparatin e Komitetit Qendror për të cilin duhet të mendojmë vazhdimisht për ta përsosur. Është mirë të shikojmë nëse e kemi pasur drejt e nëse na ka dhënë fryte forma e organizimit të aparatit, të cilën e kemi vendosur para disa vjetësh. Ne i shkrimë atëherë drejtoritë, instruktorët i bëmë të profilit të përgjithshëm, diskutuam gjithashtu dhe për metodën dhe stilin e punës së tyre, si do ta çojnë ata në rrethe e në bazë vijën e direktivën e Partisë dhe si do të sjellin këtu në qendër eksperiencën e bazës. Gjithashtu kemi thënë se në punë e sipër do të edukojmë, në radhë të parë, shoku-shokun me të mirat e me të këqijat që hasen në punën e Partisë në bazë, në punën shtetërore, administrative, organizative, teorike, praktike, ushtarake, duke hapur horizont të gjerë në gjithë këtë veprimtari që na duhet ta zhvillojmë e ta çojmë përpara.

Këto punë, natyrisht, bëhen me kontakte të gjalla luftarake të punonjësve e të sektorëve të aparatit me njëri-tjetrin dhe jo në forma shabllone, jo vetëm me paraqitjen e konstatimeve, por duke shkëmbyer e rrahur mendime. Fjala vjen, problemet e agjitacionit dhe të propagandës, si zhvillohen ato në terren, në organizatën e gruas, në atë të bashkimeve profesionale apo të rinisë, mendoj se nuk i interesojnë vetëm sektorit të propagandës, por edhe instruktorëve që kemi në aparat për çështjet ushtarake, të cilët i ka në vartësi shoku Hysni. Në qoftë se këta nuk dinë se si punohet edhe në terren, nuk mund ta bëjnë punën mirë as në ushtri. Prandaj instruktorët e sektorëve të tjerë të aparatit të Komitetit Qendror duhet të bashkëpunojnë ngushtë me ata të sektorit ushtarak, se mundet që në këtë bashkëpunim të ketë rutinë. Organizativisht ne e bëmë bashkimin e instruktorëve, pse kuptuam rëndësinë e këtij organizimi, megjithatë disa i tërheq ana praktike, nuk luftohet nga të gjithë për përgjithësimin e këmbimin e përvojës.

Instruktorët duhet të rrinë disa ditë që të dëgjojnë mendimet e vërejtjet e bazës, të bëjnë pyetje për punën, të diskutojnë e të gjejnë kush e ka fajin për gabimet, për dobësitë e punës në terren, në rini etj. Mendoj që organizata e Partisë, në rreth e në bazë dhe në ushtri duhet të gjallërohet nga kjo punë e tyre, se ajo do të ndihmohet që të merret më mirë dhe t’i shohë problemet nga të tëra anët, në aspektin ideologjik, politik e organizativ dhe të mos merret, bie fjala, vetëm me disiplinën. Në jetë dalin mjaft probleme, si për shembull, i paguajnë komunistët rregullisht kuotizacionet, a zhvillohen si duhet mbledhjet e organizatës, si bëhen e si duhet të bëhen pranimet në parti, a punohet si duhet që komunistët të ngrenë nivelin e tyre ideologjik e politik, a venë këta në rregull në stërvitjet që organizohen në ushtri apo nuk venë dhe, në rast se jo, cilat janë arsyet, se mbase kanë halle apo ka disa koncepte e praktika që nuk janë në rrugën e Partisë etj.

Të gjitha këto probleme ku do të shikohen? Këto do të shikohen e duhet të shikohen, në radhë të parë, në organizatën e Partisë. Prandaj të punohet kudo për ta forcuar Partinë. Por Partia nuk forcohet duke u interesuar vetëm nëse bëhen mbledhjet apo jo, por duke ndihmuar konkretisht që organizatat-bazë të diskutojnë, të rrahin mendime, të vendosin e t’u japin zgjidhje problemeve që kanë dalë, si për ushtrinë, për ekonominë, për edukimin dhe mobilizimin e rinisë, përse nuk punohet mirë në naftë etj. Të tëra këto probleme duhet t’i shohin organizatat e Partisë në ushtri, se ata që shërbejnë atje janë njëkohësisht edhe. ushtarë, edhe ndërtues të socializmit. Ne e shkëputëm Drejtorinë Politike nga Ministria e Mbrojtjes. Puna që bënte kjo drejtori, tani bëhet nga aparati i Komitetit Qendror. Kur e morëm këtë masë, ishte vërtetuar që në ushtri dominonte komanda mbi Drejtorinë Politike! Prandaj më duket se kjo punë tash është vënë drejt, vetëm se duhet punuar që të zbatohet mirë. Çështja këtu është si të ndiqen mirë problemet e ushtrisë e të mbrojtjes nga organet e Partisë e të pushtetit në terren.

SHOKU HYSNI KAPO: Është vepruar drejt, shoku Enver po, siç thatë ju, duhet që edhe të zbatohet mirë, sidomos në lidhje me terrenin, për shembull. Problemet e ushtrisë e të mbrojtjes duhen ndjekur më mirë, si nga ana e Partisë në ushtri, ashtu edhe nga Partia në terren, duke vendosur një bashkëpunim të ngushtë ose, si të thuash, të integrohet gjithë Partia për çështjet e mbrojtjes.

SHOKU ENVER HOXHA: Hysni, ja çfarë mendoj unë për punën me ushtrinë. Së pari të këshilloj që të zbatosh mirë rregullat shëndetësore dhe porositë e mjekëve, me qëllim që të bëhesh sa më shpejt i aftë dhe në gjendje për punë. Unë kërkoj që ti të mos shkosh me shërbime kudo, ashtu siç shkoje shpesh më përpara, dhe bëje shumë mirë. Megjithatë edhe në kushtet aktuale shëndetësore që je, ushtria duhet të të shohë, ajo duhet të shohi herë pas here Komisarin e saj të Përgjithshëm, pse, në fakt, ti je Komisari i Përgjithshëm i Ushtrisë. Prandaj atje duhet të të shohin edhe ty, si Komisar të Përgjithshëm të Ushtrisë, që je, të shohin njerëzit se është Partia që komandon në ushtri. Me këtë nuk dua të them që tash të fillosh të prishësh rregullat shëndetësore që të janë caktuar, se nga kjo Partia nuk fiton gjë. Unë nuk të këshilloj të mos preokupohesh, pse preokupimi për çështjet e ushtrisë është e duhet të jetë vazhdimisht i madh për të gjithë ne, natyrisht, jo për të gjitha problemet, por vetëm për ato më kryesoret.

Ti duhet ta marrësh veten si duhet, dhe kjo arrihet duke zbatuar këshillat e mjekëve, por edhe duke i observuar me kujdes ngjarjet që zhvillohen në ushtri në disa objektiva të caktuar, gjë që mund ta bësh rregullisht me ndihmën e gjithë kuadrove që ke në aparat për ushtrinë. Veçse të bësh kujdes që punën e Partisë në ushtri të mos përpiqesh ta ndjekësh të gjithë vetë. Duke pasur gjithnjë kujdes për shëndetin, ti duhet të vesh në disa mbledhje të rëndësishme në ushtri. Dhe atje s’është nevoja të flasësh disa orë, pse duke qenë konciz mjafton edhe vetëm një orë të flasësh dhe fjala jote do të bëjë efekt, bile pa e ngritur zërin fare, dhe pa bërtitur ashtu siç bënte Mehmeti, t’ua thuash të vërtetat në fytyrë njerëzve që nuk janë në rregull, që të mbledhin veten. Kur ndodhin ngjarje të jashtëzakonshme ose mbahen qëndrime prej bajraktari nga ndonjëri, kjo duhet ndjekur me kujdes, pavarësisht ka apo nuk ka veprimtari armiqësore, ta shohim me shumë kujdes e të jemi vigjilentë në këtë drejtim./memorie.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ish-kryehetuesi: Si na urdhëruan për dënimin...

“Grupit sabotator i Kombinatit të Tekstileve Berat”

Ja ndikimi i grave në marrëdhënien mes Hoxhës e Mehmetit

“Enver Hoxha, nuk kishte ankth, dilte pa antiplumb dhe takonte njerëzit…”


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale