Një situatë e paprecedentë është duke u zhvilluar në orët e fundit tek kombëtarja e Spanjës për femra. 15 prej vajzave që grumbullohen rregullisht me “La Roja”, nëpërmjet një e-maili të dërguar Federatës, kërkojnë me ngulm largimin e trajnerit Jorge Vilda.
Kjo me arsyetimin se fryma në dhomat e zhveshjes apo edhe në stërvitje nuk është ajo e duhura. Madje, kërkesa mund të cilësohet pa frikë edhe si një kërcënim për Federatën, pasi në përmbajtjen e e-mailit, 15 vajzat e kanë bërë të qartë se, nëse Vilda nuk largohet, atëherë janë ato që do të largohen nga kombëtarja.
Një situatë e tillë ka bërë që Federata të reagojë me shpejtësi ndërsa thekson se asnjë prej lojtareve nuk mund të kërcënojë apo të vendosë atë çfarë ndodh në kombëtare.
“Federata njofton se ka marrë e-mail nga 15 vajza të kombëtares që kërkojnë shkarkimin e trajnerit duke theksuar se gjendja aktuale e kombëtares prek shëndetin emocional të tyre.
Por, Federata nuk do të lejojë që lojtaret të vendosin në pikëpyetje trajnerin e kombëtares dhe stafin e tij, pasi nuk kanë fuqi vendimmarrje për të tilla gjëra. Federata nuk do të pranojë asnjë lloj presioni, këto manovra janë larg vlerave të sportit dhe cilësohen të dëmshme.
Të mos marrësh pjesë në kombëtare cilësohet si një akt i rëndë dhe ka skualifikime që shkojnë nga dy deri në pesë vite. Federata kërkon që në fushë të ketë vetëm lojtare të përkushtuara edhe nëse do të duhet të luajmë me të rejat.
Tashmë, ky veprim nuk ka të bëjë vetëm me sportin, por edhe me dinjitetin, përfaqësuesja nuk është e negociueshme. Është një situatë e paprecedentë, si në futbollin e femrave, ashtu edhe në atë të meshkujve.
Kombëtarja ka nevojë për lojtare të përkushtuara dhe që e duan fanellën e ndihen krenarë me të. Lojtaret që kanë ndërmarrë një akt të tillë do të mund të rikthehen vetëm nëse kërkojnë falje dhe pranojnë gabimin e tyre”, shkruhet në njoftimin e Federatës.