MENU
klinika

Perspektiva ekonomike globale, përkeqësohet

Paketat e ndihmës nga FMN arrijnë nivel rekord

27.09.2022 - 13:04

Kreditë e FMN-së për vendet me probleme ekonomike kanë arritur një rekord të lartë, pasi kjo organizatë botërore po përpiqet të luftojë kundër krizave të shumëfishta të cilat kanë bërë të paktën pesë vende që të mos mund të paguajnë kreditë e tyre. Për më tepër, pritet që edhe shumë vende të tjera të kenë probleme me pagesat e kredive të tyre në vazhdim.

Pandemia, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe rritja e jashtëzakonshme e normave të interesit në nivel global kanë detyruar dhjetëra vende që të kërkojnë ndihmën e FMN-së. Një analizë nga Financial Times mbi të dhënat e FMN-së tregon se, në fund të gushtit, volumi i kredive të disbursuara nga fondi arriti në 140 miliardë dollarë, përmes 44 programeve të veçanta.

Kjo shifër, e cila pritet të rritet akoma më tepër në muajt e ardhshëm për shkak të shtimit të kostove të huamarrjes, është më e lartë se shuma e totalit të kredive të mbetura në fund të viteve 2020 dhe 2021, kur shifrat arritën nivelet vjetore rekord.

Ekspertët parashikojnë se rritjet e mëtejshme të normave të interesit nga bankat qendrore në tregjet e madha do të rrisin kostot e huamarrjes në mbarë botën dhe do të rrezikojnë të shkaktojnë një recesion të rëndë. Disa analistë thonë se kapaciteti huadhënës i FMN-së së shpejti mund të arrijë limitet e tij, pasi vendet e varfra që janë janë izoluar nga tregu ndërkombëtar i huave janë të detyruara t’i drejtohen fondit për të siguruar mbështetje.

Angazhimet totale të FMN-së, duke përfshirë huatë e miratuara por që nuk janë disbursuar ende, kanë arritur më shumë se 268 miliardë dollarë.

Kevin Gallagher nga Qendra e Politikave të Zhvillimit Global në Universitetin e Bostonit paralajmëroi se “vetëm një numër i caktuar vendesh” mund të marrin mbështetjen e FMN-së, pa “dëmtuar bilancin” e kësaj organizate.

Gallagher është bashkautor i një raporti të kësaj jave ku tregohet se 55 nga vendet më të varfra në botë do të duhet të bëjnë pagesa prej 436 miliardë dollarësh midis viteve 2022 dhe 2028 për të shlyer borxhet e tyre, me rreth 61 miliardë dollarë që kanë mbetur për t’u paguar këtë vit dhe në vitin 2023, si dhe me pothuajse 70 miliardë dollarë për t’u paguar në vitin 2024.

Fondi nuk i vlerësoi si shqetësuese këto pretendime. Angazhimet totale të FMN janë “ende një pjesë e vogël e pothuajse 1 trilion dollarëve që janë në dispozicion”, tha Bikas Joshi, shefi i divizionit në Departamentin e Strategjisë, të Politikave dhe të Rishikimit në FMN. “Sasia e huadhënies po rritet në përpjesëtim të drejtë me rreziqet me të cilat po përballen vendet që na drejtohen për mbështetje.”

FMN është në negociata me disa vende lidhur me paketat mbështetëse, të cilat do të rrisin akoma më shumë angazhimet e saj totale.

Zambia dhe Sri Lanka – të cilat nuk arritën të paguanin detyrimet e tyre gjatë pandemisë, së bashku me Libanin, Rusinë dhe Surinamin – po negociojnë për paketat e ndihmës të FMN-së, si pjesë e përpjekjeve për të ristrukturuar borxhet e tyre. Gana, Egjipti dhe Tunizia janë gjithashtu në bisedime paraprake për të siguruar paketa mbështetëse.

FMN miratoi një paketë mbështetëse prej 1.1 miliardë dollarësh për Pakistanin në fund të gushtit; Argjentina do të marrë 3.9 miliardë dollarë në javët e ardhshme si pjesë e programit prej 41 miliardë dollarësh.

Sipas rregullave të FMN-së, vendet anëtare zakonisht mund të marrin mbështetje të kufizuar deri në masën e 145 për qind të kuotës së tyre në FMN-së, me fjalë të tjera të aksioneve që zotërojnë, e cila është afërsisht në përputhje me pjesën që zë secili vend në ekonominë globale.

Kjo do të vinte 370 miliardë dollarë në dispozicion të vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, nga kapaciteti total i kreditimit prej rreth 940 miliardë dollarësh i FMN-së.

Por, ky nivel shpesh tejkalohet. Paketa e mbështetjes së Argjentinës – e miratuar në mars si një ristrukturim i borxhit rekord prej 50 miliardë dollarësh të ofruar nga FMN në vitin 2018 – është më shumë se 10 herë më e madhe se kuota e Argjentinës në FMN. Analistët në Goldman Sachs presin që Egjipti së shpejti të marrë një paketë prej 15 miliardë dollarësh, e cila është e barabartë me gati gjashtëfishin e kuotës së këtij vendi.

FMN-ja po shton në mënyrë të kufizuar kapacitetin e saj huadhënës. Përgjithësisht, ajo ofron hua përmes dy faciliteteve kryesore: e ashtuquajtura “llogaria e burimeve të përgjithshme”, si dhe trusti për lehtësimin e varfërisë dhe mundësimin e rritjes ekonomike, i cili ofron hua me norma interesi më të vogla për vendet me të ardhura të ulëta.

Kohët e fundit, FMN krijoi një trust të qëndrueshmërisë për të ndihmuar vendet në përballjen e tyre me sfidat sistematike, të tilla si ndryshimet klimatike, për të cilin Joshi tha se FMN kishte ndërmarrë angazhime financimi me vlerë 40 miliardë dollarë, krahasuar me objektivin prej 45 miliardë dollarësh.

Një fond i ri për krizën e ushqimeve, i cili do të ndihmojë vendet e prekura nga rritja e kostove të ushqimeve, mund të miratohet nga bordi i FMN-së përpara mbledhjeve vjetore që do të zhvillohen muajin e ardhshëm./ Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Financial Times": Sa keq mund të bëhet?

Goditja globale e stagflacionit të vitit 2022

Financial Times/ Presionet gjeopolitike...

Sanksionet kundër Rusisë, ndalin tregtinë e lirë?


Cilat kompani do të largojnë mijëra punëtorë?

Sektori i industrisë gjermane, më i prekuri nga kriza!

Më të paguarit, sektori financiar dhe…

Sa kushton një orë pune në Shqipëri?

Sa do të jenë vlerat për çdo sistem të miratuar

Vendimi/ Qeveria financon familjet për ngrohjen!