Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi dje një tjetër procedurë prokurimi pas parkut “misterioz” të pak javëve me parë.
Vlera e fondit limit është rreth 1.7 milionë euro dhe objekt i kontratës është “Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm nëpërmjet aplikimit të modeleve inovative për përmirësimin e shërbimeve utilitare publike”. Në raportin teknik që këtë herë shoqëron procedurën sqarohet se bëhet fjalë për instalime fotovolatike dhe llamba LED në ndriçimin rrugor e zona publike, por edhe këtë herë emërtimi i saktë i vendit se ku do të zbatohet projekti mbahet sekret.
Fondi në preventivin e publikuar llogarit njësitë që do të duhen për zbatimin e projektit, por nuk ka dhënë detaje për institucionet që do të jenë pjesë e tij apo ku ndodhen hapësirat publike që do të jenë pjesë e tij. “Ky investim shtrihet ne zona dhe hapësira publike”, thuhet në dokument.
Sipas FSHZH-së, në kuadër të përmirësimit të eficiencës së energjisë, por edhe si një synim për të reduktuar varësinë nga energjia elektrike e cila prodhohet nga burime jo të rinovueshme, është analizuar dhe vlerësuar ndërtimi i disa sistemeve për prodhimin e energjisë elektrike përmes teknologjisë fotovoltaike, si dhe ndriçimi rrugor në investime të zonave të ndryshme, i cili do të mundësohet nëpërmjet ndriçueseve LED solar. Në këtë mënyre synohet të përmirësohet eficienca energjetike, por edhe ulja e emetimeve të CO2 në atmosferë.
“Zbatimi i këtij projekti synon të promovojë dhe nxisë uljen e varësisë nga furnizimi me energji elektrike nëpërmjet rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe bërjen sa më shume autonom dhe vetëprodhues nëpërmjet prodhimit të energjisë elektrike përmes teknologjisë fotovoltaike.
Impiantet e energjisë diellore do të ndërtohen në sipërfaqe të sheshta, konkretisht në soletat (tarraca) e objekteve ose në ambiente të hapura”, nënvizon FSHZHja. Kohëzgjatja e kontratës për operatorin që do të rezultojë fitues nga tenderi i Fondit do të jetë 12 muaj, ndërkohë që afati i fundit për ofertat është lënë 13 tetori. Lidhur me projektin e parkut misterioz me një fond limit 4.7 milionë euro “Monitor” i drejtoi FSHZH-së një kërkesë për informim për të cilën nuk ka marrë ende një përgjigje.