Milan nuk vdes kurrë, shënon atëherë kur thuajse është e pamundur. Kuqezinjtë fituan 1-3 në Empoli, me dy gola që erdhën pas minutës 92’, kur pati shënuar Nedim Bajrami.
Ndeshja nis mirë për Milanin që rrezikon menjëherë portën e Empolit. Shansin e parë të artë e ka Rafael Leao që nga shumë pranë portës nuk realizon dot pas një pritjeje fantastike të Vicarios.
Pjesa e parë megjithatë mbyllet me rrjeta të paprekura, dhe Milani ka një motiv më shumë për të rrezikuar në të dytën. Kështu të besuarit e Piolit rrisin edhe më shumë presionin dhe fillojnë të rrezikojnë menjëherë. Olivier Giroud i shkon pranë golit me një goditje dënimi, por fati nuk është me të dhe topi godet tranversën.
Nga ana tjetër Empoli ka një shans të artë me Nedim Bajramin që është i vetëm përballë portierit të Milanit. Goditja e tij megjithatë është e lehtë. Milani rikthehet të rrezikojë dhe arrin të prishë ekuilibrat e takimit në minutën e 79. Një kombinim i mirë i Rafael Leao me Ante Rebic, bën këtë të fundit që të gjejë rrugën e rrjetës.
Minutat e mbetura shohin Empolin të kërkojë golin e barazimit dhe Milanin të ruaj avantazhin. Empoli arrin të barazojë me një supergol nga goditja e dënimit që shtang portierin e Milanit në mimutën e 92.
Megjithatë, Empoli nuk e ruan dot barazimin dhe në aksionin pasardhës ndëshkohet nga Ballo Toure. Në fund për të vulosur rezultatin final mendon Leao që realizon edhe golin e tretë për Milanin. Tre pikë të rëndësishme për Milanin që me këtë fitore ngjitet në kuotën e 17 pikëve. Vendi i tretë provizorisht për kuqezinjtë që megjithatë janë në pritje të ndeshjeve të tjera për t’u zhvilluar.