Spektakël, emocione dhe bollëk golash dhuroi derbi i Manchester, kur në fund City triumfoi 6-3 në “Etihad”. Heroi i derbit ishte Haaland me tripletën e tij, duke shkuar në 14 gola në 8 javë. City ngjitet në vend të dytë pas Arsenal, ndërsa United bie pas 4 fitoreve radhazi.
Djemtë e Guardiolës zgjidhën sfidën që në pjesën e parë duke shënuar 4 herë në portën e mbrojtur nga De Gea falë dopietave të Foden dhe Haaland. Pak nga gjërat e bukura që dhuruan “Djajtë e Kuq” ishte ai eurogol i Antonyt në fillimin e pjesës së dytë.
Gjithsesi, Haaland nuk lë hapësira për një mrekulli të mundshme të ekipit të Ten Haag, pasi “tund rrjetën” për të 3-n herë sot. Manchester City nuk do e linte me kaq, pasi Foden do thellonte akoma më shumë avantazhin. 2 gola ngushëllimi edhe nga Martial, pak minuta para vërshëllimës përfundimtare të arbitrit.