Heinrich Zimmermann, shkrimtar dhe botues i revistës ”Man and Dog” (”Njeriu dhe qeni”), ishte ai që ideoi ditën botërore të kafshëve. Zimmermann u lind në Varshavë, por u zhvendos në Berlin.
Festën e parë, si dita kushtuar katëroutroshëve, ai e më 24 mars 1925 në Berlin, por më pas kjo datë do të zhvendosej më 4 tetor, të vitit 1929. Fillimisht, ai gjeti ndjekës vetëm në Gjermani, Austri, Zvicër dhe Çekosllovaki.
Çdo vit, Zimmermann punoi pa u lodhur, për promovimin e ditës kushtuar kafshëve.
Më në fund, në maj 1931, në kongresin e organizatave botërore për mbrojtjen e kafshëve, në Firence, propozimi i tij për ta shpallur festë universale, 4 tetorin, si Ditën Botërore të Kafshëve, u pranua unanimisht.
Heinrich Zimmermann (1887-1942) ishte gazetar, redaktor, shkrimtar dhe aktivist për mbrojtjen e kafshëve, sipas www.worldanimalday.org.uk.
Si organizator kryesor i lëvizjes për parandalimin e mizorisë ndaj kafshëve, ai ishte gjithashtu botues i revistës së lartpërmendur, si botim çdo dy javë.
Revista pati funksionin e promovimit të mirëqenies së kafshëve, si dhe krijoi Komitetin e Ditës Botërore të Kafshëve. Zimmermann ishte gjithashtu botuesi i dy vëllimeve ”Lexicon for Friends of Dogs” dhe ”Animal Brother”.
Pasi organizoi Ditën Botërore të Kafshëve, fillimisht në Berlin, ai arriti të miratonte një rezolutë në Kongresin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Kafshëve në Firence, më 8 maj 1931.
Dita e parë Botërore e Kafshëve u mbajt më 24 mars 1925 në Pallatin e Sportit në Berlin. Mbi 5 000 persona morën pjesë në këtë ngjarje.
Kishte një arsye të thjeshtë, pse data ishte 24 marsi. Organizatorët e kishin planifikuar për më 4 tetor, por Pallati i Sportit, që ishte i vetmi vend mjaftueshëm i madh, për mijëra vizitorët, nuk ishte i disponueshëm atë ditë.
Kjo ditë, ka lidhje edhe me ditën e festës së shën Françeskut të Asizit, shenjti mbrojtës i ekologjisë, përfshirë kafshët.
Sipas legjendës, shën Françesku ishte në gjendje të fliste me kafshët dhe kjo është arsyeja pse ai është paraqitur në piktura të shumta, nën shoqërinë e tyre. Ai gjithashtu u predikonte kafshëve dhe madje, zbuti një ujk.
Ai vdiq më 4 tetor dhe 705 vjet më vonë, u miratua zyrtarisht: Dita Botërore e Kafshëve.