MENU
klinika

Procesi i Shqipërisë dhe M. së Veriut

KE publikon paketën e zgjerimit

10.10.2022 - 12:52

Komisioni Europian publikon të mërkurën 12 tetor të ashtuquajturën “paketa e zgjerimit”, që përmban raportet e ecurisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqise në reformat e integrimit europian. Në këtë paketë pritet të konfirmohet progresi i shënuar nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, që u kurorëzua me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare midis Bashkimit Europian dhe tê dyja vendeve në 19 korrik të këtij viti.

Kjo shënoi dhe hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit në BE për të dyja vendet. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, inkurajohen, që në dritën e momentumit të ri të përshpejtojnë ritmin e reformave kyçe, që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësorit, forcimin e shtetit të së drejtës, garantimin e lirive themelore, përfshirë lirinë e shprehjes dhe të drejtat e minoriteteve, si dhe forcimin e administratës publike.

Për Kosovën, shënohet progres në disa fusha, por pas një pritje të gjatë për një vendim lidhur me lëvizjen e lirë afatshkurtër për qytetarët e Kosovës në zonën Shengen, vëmendja kryesore shkon automatikisht te procesi i liberalizimit të vizave. Komisioni Europian rikonfirmon në raportin për Kosovën, ashtu siç e ka rikonfirmuar në një non paper drejtuar shtetet anëtare, që Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave. Vendimi varet nga arritja e unanimitetit në gjirin e 27 shteteve anëtare të BE-së.

Lidhur me Bosnjë-Hercegovinën, Komisioni ndalet se si vendi ka avancuar në përmbushjen e 14 prioriteteve të përcaktuara nga opinioni i këtij institucioni në maj të 2019 për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Mali i Zi përgëzohet për avancimin në hapjen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit, por sfida kryesore e vendit mbetet mbyllja e këtyre kapitujve, që kërkon jo vetëm aprovimin e legjislacionit të BE-së për çdo kapitull ( acquis communautaire), por edhe zbatimin e tij. Ndërkohë, pika më e nxehtë e paketës mbetet Serbia, pasi vendi nuk ka përafruar politikën e saj tê jashtme me atê tê Bashkimit Europian, në një kohë kur është vend kandidat për anëtarësim në këtë organizatë dhe vazhdon procesin e negociatave të anëtarësimit.

Paketa e zgjerimit do të prezantohet së pari në gjirin e komisionit të punëve të jashtme tê Parlamentit Europian, siç është bërë pothuajse “traditë” (në orën 13h15). Debati pritet të jetë i nxehtë pasi këtë rradhë, dy grupimet kryesore politike në Parlamentin Europian kërkojnë “penalizimin” e Serbisë për mosrreshtimin apo mospërafrimin e saj me sanksionet e BE-sër kundër Rusisë për luftën/agresionin e saj në Ukrainë. Eurodeputeti Tonino Picula, që përfaqëson grupimin socialist dhe demokrat në PE, i cili është dhe raportuesi për procesin e zgjerimit në PE, është shprehur publikisht për “ndërprerje të negociatave të anëtarësimit“ me Serbinë nëse vendi nuk i bashkohet sanksioneve të BE-së.

Por ai nuk është i vetëm. Grupimi më i madh në PE, i partive popullore europiane, ka bërë tashmë të ditur përmes njê komunikate për shtyp, se pozicionimi aktual i Serbisë nuk mund të tolerohet më : “BE-ja nuk është vetëm një bashkim ekonomik. Bashkimi Europian është para së gjithash një bashkim i bazuar në vlera. Vendet që dëshirojnë të jenë pjesë e bllokut duhet të përafrohen me vlerat tona. Kjo vlen veçanërisht për politikën e tyre ndaj Rusisë.

Vendet kandidate për në BE nuk mund të vazhdojnë të bëjnë biznes si zakonisht ose të përafrojnë strategjitë e tyre të politikës së jashtme me një regjim luftarak” thuhet në komunikatën e këtij grupimi të publikuar në 7 tetor. Kjo nuk është pa ndikim te komisioneri përgjegjës për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varhélyi, i cili i përket të njëjtës familje politike dhe do të prezantojë paketën e zgjerimit në Parlamentin Europian. Në vijim, komisioneri do të mbajë një konferencë për shtyp për prezantimin e raporteve të vendeve aspirante për anëtarësim në BE.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë do të thotë Konferencë e parë Ndërqeveritare

‘Vrapimi’ i fundit i Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë

‘Të zemë vendin e Anglisë’/ "Dashnor i mashtruar…"

‘The Guardian’ ironizon deklaratën e Ramës: Shqipëria pret për t’u martuar

Analiza/ "Nëse vazhdon të zbukurohet situata në Serbi…"

‘Strategjia me dy fytyra e BE-së në Ballkan. Arsye misterioze, apo hipokrizi europiane?


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin