MENU
klinika

Prokuroria kërkoi burg për jetë për autorin

Si u ekzekutuan miqtë e Ervis Martinajt njëri pas tjetrit

11.10.2022 - 13:29

Eduard Lamaj, njëri nga ekzekutuesit e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit në 30 maj 2020 në Gjorm të Kurbinit, rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm.

Kjo masë dënimi është kërkuar në seancën e 4 tetorit 2022 nga Prokuroria e Kurbinit, e cila lexoi pretencën para gjykatës. Në këtë proces gjyqësor i pandehur është edhe Ilir Lika (Xhepa), ndaj të cilit organi i hetimit kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin me 35 vite burgim. Pas pretencës së Prokurorisë, pritet në ditët në vijim vendimi përfundimtar i Gjykatës së Kurbini.

MOTIVET E NGJARJES
Sipas Prokurorisë, motivet e ngjarjes mbeten të paqarta, por ka dyshime të forta se 4 autorët kanë pasur si qëllim grabitjen e biznesmenit Paulin Gjergji, ngjarje që përfundoi më pas në përdorimin e armës, duke qenë se edhe Bujar Lika ka qenë i armatosur. Në dëshminë tij, Eduart Lamaj është shprehur se u ka kërkuar ndihmë tre shokëve të tij për realizimin e planit, por objektiv sipas tij ishte Ilirjan Allamani, i cili në ato momente nuk ka qenë në ambientet e lokalit. Sipas dëshmitë, me këtë persona, Lamaj kishte konflikte të hershme që në Itali për drogë, ky ku i fundit nuk i jepte borxhin.

NË KËRKIM DJALI I POLICIT
Ndërsa në kërkim për këtë ngjarje të rëndë janë shpallur Klaudio Përkola, djali i një oficeri policie të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Oltion Vlashi, të cilët prej dy vitesh ende nuk janë arrestuar nga Policia e Shtetit. Procesi ndaj dy personave të kërkuar është pezulluar me një afat 1-vjeçar. Eduart Lamaj akuzohet se ka pasur rolin e ekzekutorit, ndërsa miqtë e tij Ilir Lika (Xhepaj), Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi në rolin e ndihmësit.

ARRESTIMI I AUTORËVE
Më 23 qershor të vitit 2020, në prangat e Policisë përfundoi autori kryesor i atentatit me armë zjarri në Kurbin. Eduart Lamaj, emër i njohur për drejtësinë dhe sapo i liruar nga burgu për grabitje, u përfshirë në një tjetër ngjarje kriminale. Lamaj u arrestua në një spital privat në qytetin Studenti në Tiranë, ku po merrte mjekim për plagën që kishte marrë në këmbë gjatë shkëmbimit të zjarrit, mbrëmjen kur ndodhi vrasja. Pak ditë më vonë, mbrëmjen e 30 qershorit, u prangos autori tjetër i vrasjes, shtetasi Ilir Xhepa (Lika), i cili u arrestua në zonën e Yzberishtit në kryeqytet në përpjekje për të marrë një apartament me qira.

“Mbi bazën e informacioneve të siguruara gjatë hetimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura gjatë muajit maj 2020, Policia e Kurbinit ka arritur të lokalizojnë vendndodhjen e 33-vjeçarit të shpallur në kërkim, ku pas disa ditë ndjekjeje në bashkëpunim me DVP Tiranë, është finalizuar operacioni policor ‘Ndjekja’, duke bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit I. Xh. (L.), 33 vjeç, banues në Laç, Kurbin, i dyshuar si autor i dytë i vrasjes së dyfishtë të ndodhur më 30 maj 2020 në Fushë Gjormë Kurbin”, njoftonte Policia.

Ilir Xhepaj, dyshohet se ka qenë pjesë e skuadrës prej 4 personash të veshur si policë, që ekzekutuan me 20 plumba, Bujar Hasanin (Lika) dhe Paulin Gjergjin (Markaj), në hotelin A&A në Mamurras. Sipas grupit hetimor që po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, Ilir Xhepaj ka qenë njeriu që ka mbajtur të neutralizuar me armë dy djemtë e Paulin Gjergjit, në mënyrë që ata të mos lëviznin nga makina e tyre.

Ndërkohë, po sipas dosjes hetimore, pas shkëmbimit të zjarrit mes viktimave dhe autorit, ku mbeti i plagosur Eduart Lamaj, Ilir Xhepaj së bashku me Elson Alijan, kanë hyrë brenda në lokalin “A&A” duke ndihmuar të plagosurin Eduart Lamaj. Për policinë dhe prokurorinë e Laçit, Ilir Xhepaj konsiderohet si person i rrezikshëm në Mamuras dhe Kurbin. Ai është nga fshati Gjorm, i Mamurasit dhe autorët, por edhe Bujar Hasani njiheshin me njëri-tjetrin, pasi rezultojnë nga e njëjta zonë.

Si u ekzekutuan miqtë e Ervis Martinajt njëri pas tjetrit
Një nga biznesmenët e ekzekutuar mbrëmjen e 30 majit 2020 brenda një hoteli në pronësi të një prej viktimave në Mamurras, kishte miqësi me Ervis Martinaj, i zhdukur pa gjurmë që prej fillimit të muajit gusht. Vrasja e Bujar Likës brenda hotelit pas një përplasje me armë zjarri midis autorëve dhe viktimave, nisi sagën e ekzekutimit të “miqve” dhe “ushtarëve” të Ervis Martinajt.

Lika ishte mik i ngushtë i Martinajt dhe Ylli Brahimit, ky i fundit shënjestër e një atentati pak kohë më parë por që arriti të mbijetonte. Brahimi gjatë gjithë ditës së ngjarjes, ka qenë nën shoqërinë e Bujar Likës, dhe në gjyqin kundër Lamaj dhe Ilir Likës, Brahimi rezulton të jetë thirrur si dëshmitar.

Vetë Lika i druhej një atentati dhe për këtë arsye, mbante një pistoletë me vete, dhe për pasojë edhe kafen me mikun e tij, Paulinin, po e pinte i armatosur. Likaj iu kundërpërgjigj atentatorëve mbrëmjen e ngjarjes duke lënë të plagosur njërin prej tyre, por vetë nuk arriti të mbijetonte. Njëri pas tjetrit, miqtë e Martinajt u ekzekutua me armë zjarri në ngjarje të ndryshme. Të njëjtin fat patën edhe miqtë e tjerë të Martinajt, shtetasit Fabian Gaxha, i cili mbeti i vrarë nga një përplasje me armë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë më 4 tetor të vitit 2018 pas një përplasje mes dy grupeve.

Santiago Malko u vra në zonën e Porcelanit në gusht të vitit 2019 teksa u qëllua në makinën e tij “BMW X5”. Santiago Malko ishpunonjës policie, njihej si “ushtar” i Ervis Martinajt. Në lidhje me vrasjen e tij është arrestuar Blendi Teta. Më 13 nëntor të vitit 2021, u ekzekutua Erigers Mihasi, 32-vjeç, mik i ngushtë i Malkos. Ai udhëtonte me një automjet luksoz në zonën e Astirit së bashku me mikun e tij Armand Dumani, të cilët u qëllua me breshëri kallashnikovi duke mbetur të vdekur në vend. Ndërkohë, më 17 korrik 2022, u ekzekutuan në zonën e Fushë Krujës, Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Makina me të cilën udhëtonin të rinjtë, u qëllua me rreth 90 plumba dhe pasi u vranë, makinës ku ndodheshin iu vu zjarri.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pse policia ka dyshime të forta se…

A e ka inskenuar ‘zhdukjen’ Ervis Martinaj?

Arrestimi i agjentit që shërbente si “taksist”

Artan Hoxha tregon telefonatën me Ervis Martinajn

Detaje nga aksioni i FNSH

A fshihet Ervis Martinaj në Vlorë?