MENU
klinika

Dakortësim për dënimet alternative dhe...

Manja takohet me homologen e tij në Kosovë

11.10.2022 - 14:02

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka takuar sot homologen e tij në Kosovë, Albulena Haxhiu.

Gjatë këtij takimi mes palëve është folur për një sërë çështjesh me interes të përbashkët si dhe për thellimin e bashkëpunimit. Një nga pikat më të rëndësishme ishte përfundimi i një marrëveshjeje për njohjen dhe zbatimin e dënimeve alternative, e cila do të mundësojë që shtetasit kosovarë të liruar me kusht nga organet kompetente të Shqipërisë të mbikëqyren nga Shërbimi Sprovues i Kosovës dhe anasjelltas.

Po ashtu u ra dakord për jetësimin e tre nismave përmes së cilave garantohet reciprociteti në lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatit dhe ndërmjetësuesit në shtetet përkatëse, si dhe njohja e ndërsjellë e provimit të jurisprudencës. Kjo do të mundësojë që avokatët e ndërmjetësuesit të shtrijnë aktivitetin profesional në të dyja vendet, ashtu si edhe njohjen reciproke të provimit të jurisprudencës, si kriter për zhvillimin e karrierës profesionale në fushën e drejtësisë.

Gjatë konferencës së përbashkët të dy ministrave, Manja i është përgjigjur edhe një pyetjeje mbi bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës. “Unë nuk kam çfarë i shtoj asaj që ka thënë Kryeministri i Shqipërisë Rama dhe se çfarë ka thënë Parlamenti i Shqipërisë me rezolutën e fundit për rezolutën e Dik Martit. Sigurisht që si ish-prokuror edhe në kohën e luftës në Kosovë dhe akuzave që u ngritën, apo më pas si kryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për raportin e Dik Martit, mund të them shumë, por nuk është as koha, as vendi”, u shpreh Manja.