MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Përse PD, nuk mbledh më njerëz në protesta?

12.10.2022 - 12:43

Protesta më e fundit e Partisë Demokratike në Elbasan, tregoi qartazi se, ajo nuk ka më energji të mbledhë njerëz, nuk ka më arsye dhe shkaqe tu drejtohet mbështetësve të saj për tu ngritur në protesta, greva dhe demonstrada. Kjo në fakt ka arsyet e veta. Partia Demokratike, nuk shihet sot edhe nga demokratët e saj, si forcë kryesore qeverisëse. Partia Demokratike nuk shihet sot nga mbështetësit e saj si forca bindëse e cila mund të fitojë zgjedhjet apo dhe të qeverisë nesër vendin.

Partia Demokratike, nuk ka sot besimin e anëtarësisë saj, për të ardhur në greva, protesta apo demonstrada, për faktin sepse nuk binden se lidershipi i asaj force politike e ka seriozisht misionin e nisur. Partia Demokratike, nuk arrin dot të motivojë njerëzit e saj për të mbushur sheshet, pasi drejtohet sot nga njeriu, që edhe pse beson se ka “mbështetje nga baza”, nuk ka besimin e shumicës së asaj partie. Partia Demokratike, nuk arrin tu mbushë mëndjen as të vetëve, dhe as të tjerëve, se është “partia e vetme që mund të luftojë korrupsionin, krimin, trafiqet dhe fukarallëkun”, pasi klani i saj drejtues i “Rithemelimit” është mbushur me milionerët e pushtetit të saj.

Partia Demokratike, nuk arrin dot sot të bindë anëtarësinë e saj, se “rruga e vetme e ardhjes në pushtet është protesta”, pasi nuk ka aspak mbështetjen e duhur si brënda dhe jashtë vendit, aq më tepër të SHBA dhe BE. Këto dhe shumë arsye të tjera të bëjnë të mendosh dhe besosh se, kjo PD, edhe sikur të dalë e bashkuar nesër me grupimin Bardhi-Alibeaj, nuk fiton më pushtet. Klanet dhe kasta e atyre që janë sot në drejtimin e asaj partie, janë të provuar dhe sprovuar në 32 vite tranzicion, dhe dihet se kush janë.

Ata janë ish-ministrat, ish-zv/ministrat, ish-drejtorët e qeverisjes 2005-2013, janë të akuzuar dhe denoncuar nga organet e drejtësisë, por edhe shumica e shqiptarëve. Ata sot duan pushtet, jo për demokratët apo shqiptarët, por për të rimbushur xhepat dhe llogaritë bankare që po u zbrazen. Protesta e Elbasanit, tregoi shterrimin e asaj force politike. Tregoi shumë, për ata që kuptojnë. Tregoi se qytetarët apo dhe biznesmenët, nuk janë me ata që duan pushtetin për xhepin, tregoi se qytetarët dhe anëtarësia e asaj force politike, nuk mund të mashtrohet më. Rithemelim, do të thotë largim pa kthim i “xhaketave të vjetra”.

Rithemelim, do të thotë largim pa kthim i atyre që kanë konsumuar dhe përvetësuar pushtet, dhe që sot, nuk duhej ti ishin afruar selisë së PD. Rithemelim, do të thotë ti hapësh rrugën të rinjve, atyre që kanë kurajon të afrohen dhe japin kontribute politike, por që pengohen dhe denigrohen nga kasta e plakur. Ndaj dhe “puna bindëse” dhe thirrja për protesta popullore e asaj partie, nuk merret seriozisht nga shumica e demokratëve. Anëtarësia e Partisë Demokratike, e ka kuptuar dhe po reagon me veprime konkrete, duke braktisur lidershipin e asaj force politike në gjithë degët e vendit. Ndoshta kjo, do të jetë përgjigja e duhur që kjo parti pritet të marrë edhe në protestat e paralajmëruara, që ka vendosur të mbajë në disa qytete të vendit kryetari i saj “legjendar” Sali Berisha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN