“Sa mmûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”.
Më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit, ku shërbente si famulltar, shovinistët serbë vranë Atë Shjtjefën Gjeçovin. Emri i tij, përfaqëson intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore, etj.
Një natë para se shovinistët serbë t’i zinin pusi dhe ta vrisnin pabesisht mësuesin Atë Shtjefën Gjeçovi, ai i mblodhi nxënësit në shkollën e tij, në fshatin Zym të Prizrenit dhe u përsëriti, si gjithmonë pas çdo mësimi, këto fjalë:
“Shqypnia asht vendi ku kena le e na jena vetëm shqiptarë. Gjuha jonë asht shqypja. Këto mos i harroni kurrë, fëmijë të dashur”.
Dhe atë mbrëmje, kur do të kthehej për në shtëpi, rojtari i shkollës i tha:
– Ruaju, At Shtjefën. Armiqtë të kanë vu në shenjë e nuk e durojnë këtë shkollë shqipe!
– Ani ç’ka!, – u përgjegj duke qeshur At Gjeçovi – Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t’i vrasin kurrë…
Veprimtar i shquar i lëvizjes atdhetare, etnograf, arkeolog dhe shkrimtar. Lindi në Janievë të Kosovës, në një familje me prejardhje nga Kryeziu i Pukës. Vazhdoi mësimet në kolegjin fetar të Troshanit (Lezhë) e më pas në Bosnjë. Zhguni i fratit dhe detyrimet ndaj kishës nuk ia ndërruan dot natyrën e një malësori luftarak, me dashuri të flaktë për atdheun, për popullin dhe për kulturën e tij të lashtë. Në Kurbin më 1906 u ngrit me forcë në mbrojtje të luftëtarëve të lirisë, kur shërbente në Gomsiqe të Mirditës, më 1909-1912 mori pjesë gjallërisht në organizimin e kryengritjes antiosmane në ato anë dhe vetë u radhit në çetat e luftëtarëve të lirisë; u ngrit më 1914 me guxim kundër grabitjeve, përdhunimeve e padrejtësive që bënte në popull ushtria pushtuese austro-hungareze; më 1920 mori pjesë në luftën për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë. Në Zara të Dalmacisë, në Pejë, në Gjakovë luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të serbomëdhenjve ndaj popullsisë e kulturës shqiptare. Për këtë arsye e vranë serbomëdhenjtë në Zym të Gjakovës.
Shkrimet letrare e shkencore të Shtjefën Gjeçovit i përshkojnë ndjenjat e atdhetarisë, idetë e përparimit të vendit nëpërmjet dijes e kulturës. Më 1910 botoi veprën morale-didaktike “Agimi i Gjytetnisë”. Është ndër autorët e parë të dramës shqipe me “Dashtunia e Atdheut” (1901). Në shkrimet e mbetura të pabotuara, ndihen shqetësimet e autorit për problemet kombëtare e shoqërore.(Shqiptari ngadhnjyes 1904, Princi i Dibrave apo Mojs Golemi 1904, Mënera e Prezës 1902, Përkrenarja e Skënderbeut, etj).
Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit. Shkroi në të trija gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke dhe zakone popullore e mbi të gjitha, “Kanunin e Lekë Dukagjinit” monumet i gjuhës e i kulturës shqiptre, vepër për të cilën, Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doktor i shkencave in honoris causa”. Rregullat e kanunet ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht, i botoi në revistën “Hyll të Dritës”.
Shumica e veprave të tij, i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe “Kanuja” u botua pas asaj dite ogurzezë të vitit 1929, kur ra nën plumbat serbe. Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar në elter një tjetër frat shqiptar, Atë Luigjin Paliq, martir i fesë e i atdheut.
”Je i lir me mbajtë burrninë tande, je i lir me u zhburrnu” – Kanuni i Lekë Dukagjinit
Kryevepra e tij, ”Kanuni i Lekë Dukagjinit”, është përmbledhja më e përmendur e ligjit zakonor shqiptar. I kopsitur në 1263 nene, nisi të botohej në organin e shtypit të françeskanëve që nga dalja e ”Hyllit”, më 1913 gjer më 1924.
Gjatë lëvizjes së shpeshtë ndër famullitë e Veriut prej Kurbinit deri në Rrafshin e Dukagjinit, ai mblodhi normativën e rendit tokësor ndër shtresëzimet më të mbrame të këtij të fundit.
Botimi i Kanunit u bë i mundur më 1933, mbas vdekjes së mbledhësit, me një parathënie të Atë Fishtës. Titulli, duket se shoshitet prej Fishtës, kur shkruan se ”iu vendos prejse zbatohej dhe kishte formë gati ligjore dikur ndër Lekë (malësor, sipas kumtit parak, banorët e Malësisë së Madhe) dhe Dukagjin”.
Mes të tjerash, ka ka botuar këta libra: “Jeta e shë Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis”,(1910), “Shna Ndou i Padues” (1912), “Atil Reguli” (përkthim i lirë i dramit me tri pamje të Pjetër Metastasit) (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Atil Reguli” (1912), “Moisi Golemi” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933).
Atë Gjeçovi dhe odiseja e Kambanës së Skënderbeut
Në vitin 1901 A. Degrand, konsulli frances i Shkodrës botoi një udhëpërshkrim, ku tregonte dhe per dy kambana, që ishin të lëna në mëshiren e fatit në rrenojat e kishës brenda mureve rrethuese të kështjellës së Krujës. Njëra nga këto ishte bashkëkohëse me epokën e lavdishme të Skënderbeut, e derdhur në bronz në vitin 1462, me perzjerje metalesh të çmuara. Menjëherë u vunë në levizje tregëtarët e relikeve e antikuareve dhe ju propozua agajt të qytetit të Krujës, Muharrem Kaloshi, shuma prej 25 napolonash flori me kusht, që t’ua dërgonte kambanën e Skënderbeut në Barbullush. Sipas trafikantëve nga Barbullushi ishte rruga më e lehtë për ta, me anë të detit, sepse edhe në kohën e pushtimit turk objekte të tilla nuk dilnin kollaj nga portet e doganat e Perandorisë.
I mirinformuar, Gjeçovi, prift i fshatit të humbur e të varfër, Laçit të Kurbinit, i vihet punës për ta futur në dorë këtë relike të çmuar e t’i trashëgohet shqiptarve si shenjë i epokës së lavdishme të tyre. Vrapon te Muharrem Aga, hyn në pazar dhe bie dakord për një çmim prej 15 napolonash, me kusht, që kambanën ta marrë vetë Gjeçovi nga Kruja.
Sesi i gjeti dhe i sajoi Gjeçovi 15 napolonat nuk dimë, por vetë ai më 1901, shkruan: “Në të vertetë unë nuk mund ta paguaj edhe sikur të shisja vetën time”.
Megjithatë e bleu kambanën, e fshehu mirë, siç pohon vetë dhe i shkruan konsullit A-Hungarez në Durrës, ku i kërkonte instruksione.
Ranë dakord dhe u bë kontrata që kambanën do ta ruante konti austriak Kiuatkovvski dhe do t’i kthehej Krujës, kur të rindertohej kisha e Kështjellës.
Kambana udhëtoi drejt Durrësit dhe më vonë, drejt Vjenës. Në vitin 1923, më 28 nëntor në Tiranë u hap për herë të parë Muzeu Kombëtar Shqiptar.
Gjeçovi ngriti peshë me letra herë ambasadën austriake, herë vetë qeverinë e Vjenës, deri sa ia arriti qëllimit. Kambana erdhi, por me vonesë. Nga Vjena iu dërgua ambasadës tonë në Romë dhe në dhjetor 1923, mbërriti në Tiranë. Gjeçovi, nga Shkodra vrapon për ta parë me sytë e tij dhe për ta saktësuar, që është ajo. Me këtë rast, bëri dhe një vizatim në dy pamjet, që ruhet pranë AQSH, Tiranë ku ruhet fondi i tij arkivor.
Odiseja nuk mbaron këtu. Muzeu i Tiranës shkatërrohet, Gjeçovi vjen në Tiranë, merr kambanën dhe e çon në Shkodër. Pas Luftës II, ajo kthehet prapë në Tiranë – sot ruhet në Muzeun Kombëtar të Skënderbeut në Krujë.
Ndihmesën më të rëndësishme, Gjeçovi e dha në fushën e etnografisë. Ka lënë gjithashtu shkrime të shumta, të botuara e të pabotuara, për doke e zakone të lindjes, të martesës e të vdekjes, për gjëmën, për mikpritjen e besën shqiptare, për përshëndetje e fjalë të urta, por më së shumti u mor me të drejtën zakonore të popullit tonë. Në punimet e tij bëri përpjekje t’i lidhte mitet e besimet e lashta vendase të popullit tonë me ato trako-ilire e pellazge.