MENU
klinika

Besedat e fshehta

Dashuritë e ndaluara në Shqipërinë tradicionale

01.12.2018 - 15:51

Krijimtaria folklorike e popullit shqiptar ka një fond mjaft të pasur simbolesh kulturore, të cilat nëpërmjet shtresëzimeve të stërholluara të nënkuptimeve, i kundërvihen tabuve, i tejkalojnë ato.

Në shoqërinë tradicionale shqiptare një nga brengat më traumatizuese ka qenë dashuria e parealizuar e të rejave dhe të rinjve, kjo ndjenjë e brishtë, gati hyjnore, që i paraprin formimit të familjes e krijimit të mëtejshëm të jetës.

Madje, funksiononin mjaft tabu që i detyronin të rinjtë dhe të rejat të mos i artikulonin ëndrrat e tyre për djalin apo vajzën e zemrës, jo vetëm në mjedise publike, por as ndër miqtë më të afërt.

Pothuajse në çdo rast artikulime të tilla konsideroheshin si shfaqje imoraliteti. Publikimi i një dashurie, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, mund t’i përfshinte në konflikte të ashpra deri në viktimizime familjen e djalit me atë të vajzës, si edhe fiset e tyre.

Në rrethana të tilla, në krijimtarinë folklorike të shqiptarëve janë krijuar gati një nënsistem simbolesh kulturore, të cilat, të lidhura logjikisht e të harmonizuara me art, shprehnin edhe dridhmat më të brishta të shpirtit të të dashuruarve, gëzimin ose brengën, lumturinë ose tragjedinë e tyre.

Këto ide mund t’i ilustrojmë me vargjet e një kënge popullore, e cila në disa motërzime është kënduar dhe ende këndohet shumë shpesh, veçanërisht në Shqipërinë e Mesme:

Kur pata një lule t’bukur
Thashë se do ta kem përherë,
Iku, fluturoi si flutur
Dhe s’munda me i marr erë.

Lulen n’dorë unë kur e pata
Kimetin nuk ia kam ditë,
Vaj sa shpejt u ngrys nata
Unë kët gja nuk e kam prit.

Në një lexim të drejtpërdrejt, vargjet e kësaj kënge lirike duket sikur formatojnë me delikatesë një peizazh natyror me lule të bukura e flutura që nxitojnë të ikin nga frika se mos i zë nata.

Në të vërtetë, pas kësaj kënge lirike fshihet dhe përshkruhet dramaciteti i dashurive të parealizuara, të frenuara nga tabutë e shoqërisë.

Lulja e bukur nënkupton vajzën, fluturimi si flutur shpreh largimin e vajzës, një largim që paralajmëron dramën e ndarjeje. Pamundësia për t’i marrë erë kësaj luleje nënkupton dashurinë e parealizuar të djalit ndërsa lulja në dorë presupozon mundësinë për të dashuruar edhe në kushtet e shoqërisë tradicionale shqiptare.

Në këtë shoqëri, komunikimi i të dashuruarve nëpërmjet fjalës së folur dhe sidomos së shkruar, paraqiste vështirësi dhe rreziqe të shumëllojshme. Fjalët mund të keqinterpretoheshin dhe të merrnin dhenë e thashethemeve, ndërsa letrat në fakt përdoreshin shumë rrallë pasi shumë prej të rinjve në atë kohë ishin analfabetë.

Në rrethana të tilla të dashuruarit komunikonin në distancë me njëri-tjetrin, me simbole, me shenja, që në gjuhën e përditshme quheshin hisharete.

Një situatë e tillë komunikimi simbolik përshkruhet me thjeshtësi, por mjaft qartë në këto katër vargje të një kënge popullore:

Bandilli te porta
Ti në penxheret
Ti si flet me gojë
Po me hisharet.

Simbolet kulturore shërbejnë për të shprehur dëshira jetike, të cilat në kontekste të ndryshme shoqërore dhe politike, nuk mund të artikulohen me fjalë dhe aq më pak me shkrim.

Për shembull, gjatë viteve 1478-1912, administrata e regjimit të pushtimit osman, i ndalonte rreptësisht shqiptarët të përdornin gjuhën shqipe. Arsimimi në gjuhën shqipe asokohe ka qenë një ëndërr e parealizuar për shqiptarët.

Por, një aspiratë e tillë arsimdashëse e popullit shqiptar shprehej simbolikisht në këngët folklorike lirike e deri te ato më melankoliket.

Po e konkretizojmë këtë ide me disa vargje të një kënge liriko-melankolike me titull “Fustani me pika” e cila është kënduar dendur në Shqipërinë e Mesme.

Kur më zbrisje shkallët
Me libër në sqetull,
Vallahin s’të njoha Nepi
Sa je lig je tretur.

Kush na ka vdek sonte
Paska vdek Zenepi,
T’dalim ta përcjellim gocën
Me çuna mejtepi.

Kjo është interpretuar si një këngë e një dashurie të parealizuar ndërmjet një të riu, i cili nuk kishte mundësi tjetër komuikimi veçse ta shihte nga larg vajzën e tij të zemrëss, që po shuhej dalëngadalë nga sëmundja e pashërueshme e tuberkulozit.

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!