Sa herë në mesin e adhuruesve të letërsisë, diskutohet për autoret, emri i Hida Halimit na vjen në mendjen tonë si romancierja e parë kosovare, e cila në vitin 1995 botoi romanin ‘Ai që nuk ishte Fidia’, i cili shquhet për forcën e artit, kreativitetit dhe ndjeshmërisë. Hida është një nga shkrimtaret më të mira të historisë kosovare, sepse proza e saj e mrekullueshme, me teh të mprehtë, stili i saj i saktë i përshkrimit të ngjarjes, humori dhe prekshmëria dërrmuese, shpesh absurde, e kanë bërë atë një nga autoret më me ndikim për shkrimtarët bashkëkohorë. Aftësia e Hidës për të shkruar me emocion, ka bërë kritikët t’i japin asaj vlerësime të merituara.
Hida Halimi lindi në vitin 1948, në një nga fshatrat më piktoreske të Kosovës, siç e pagëzoi vetë, në një ‘siujdhesë të ngërthyer nga bjeshka dhe Drini’, në Radac. Në një shtëpi idilike prej guri, në kullën në të cilën jetonin dyzet anëtarë, rrethuar me vreshta, në të cilën, për çudi, ishte fëmija i vetëm, ndaj shumë e përkëdhelur. E rritur në një ambient të qetë, në kodrat e Rugovës dhe në atmosferë të këndshme në fshatin e saj relaksues, ishte një fëmijë tejet kureshtar, ndaj kishte disa nofka. E quajtën, në fillim, ‘Ora e kullës’, e më pastaj ‘Vremç’, ngase nuk zbriste pemësh verë as dimër. Filloren e nisi në fshatin e saj, në Radac, ku përfundoi dy klasa, më pas, në moshën dhjetëvjeçare kaloi për të jetuar në Pejë, ku përfundoi filloren dhe gjimnazin. Diplomoi në fakultetin juridik në Prishtinë, ndërsa studimet e shkallës së tretë i përfundoi në Provancë të Francës, në qytetin e piktorit të madh botëror, Pol Sezan, aty ku vijoi studimet edhe për perfeksionimin e frëngjishtes në fakultetin e filologjisë. Në këtë pjesë të Francës ndodhet edhe fshati Vovnarg dhe shtëpia e Pikasos, e më tej fushat dhe dielli i Van Gogut, deri te vreshtat, ullishtat, pyjet me pisha dhe fushat e livandës. Provanca, e cila është e njohur për peizazhet e saj të larmishme, thoshte Hida, është e mbushur përplot me kështjella që ia kujtonin kullat e Dukagjinit dhe ia çonin mallin e kullës ku kishte lindur.
Pjesë nga krijimtaria artistike, kryesisht poezi, por edhe ndonjë fragment proze botoi në periodikun e kohës. Tregimin e parë, ‘Etja’, e botoi më 1972 në ‘Kosovarja’ me insistimin e mikut të saj, Jusuf Gërralla. Po ashtu, botoi shumë punime të ndryshme shkencore-juridike, si juriste që ishte.
Hida kishte hobi – skinë. Ishte skiatore e pasionuar. Thoshte se ka diç në të që i bën sfidë natyrës së saj të ndjeshme, sepse vetëm kur i binte me ski Sharrit, ndihej e fuqishme, e madhe, thuajse dominonte një mal të tërë.
Shkrimtarja Hida Halimi jetoi në Prishtinë, dhe ishte një person shumë komunikativ, e shoqërueshme dhe e pranishme pothuajse në të gjitha manifestimet e veprimtaritë letrare e kulturore, thoshte shkrimtari Ramiz Kelmendi.
Ajo që në fillim e kuptoi se arti s’duhet të shërbejë vetëm si pozë a modë për t’u dukur, për të bërë emër, për të hedhur firmën dhe për ta shfrytëzuar këtë për privilegje në jetë, por thjesht shkrimi ishte si nevojë e shpirtit të shqetësuar për ta shqiptuar dramën jetësore.
Hida Halimi u bë romancierja e parë e kësaj pjese të atdheut. Ajo solli freski në letërsinë femërore shqiptare në Kosovë dhe u paraqit si krijuese me individualitet shprehës specifikisht, tematikisht, por edhe stilistikisht. U bë frymëzim, zonjë, që sfidoi, injoroi dhe rrënoi paragjykimet. Kështu, na bindi se puna e suksesshme nuk njeh gjini, dhe se, çdoherë, për të arritur sukses, duhet vënë në pah aftësitë personale, në mënyrë që të realizoni ëndrrat.
Ajo nuk i ndali përpjekjet, madje edhe kur dukej sikur nuk kishte përkrahje, ngase ajo e kishte kuptuar si të arrihet suksesi në një industri të dominuar nga meshkujt, ndaj asnjëherë nuk e fshihte lumturinë se romani i parë ‘Ai që nuk ishte Fidia’, u pranua si krijim letrar, nuk u klasifikua si krijim gjinor. Ky fakt e bënte të ndihej mirë, ndaj thoshte: ‘Sa më takon mua, si grua nga Kosova, ta shkruaja romanin e parë në dekadën e fundit të shekullit XX, me tre shekuj vonesë, kjo është e prekshme deri në pikëllim, ngase Kosova ka krijuese shumë të mira, por nuk e di pse nuk e kultivojnë prozën. Është koha që gruaja të shpejtojë hapin në kërkim të vetvetes’.
Kështu, pas suksesit të romanit të saj të parë ‘Ai që nuk ishte Fidia’ (1995) përmes të cilit ajo dëshiroi të zbardhte faktin se struktura gjuhësore, mitet, legjendat dhe vetë ekzistenca jonë e dëshmojnë feniksin që ruhet në gjenet tona, botoi romanin e saj të dytë me titull ‘Njeriu im’ në vitin 1997, ndërsa në vitin 2007 ky roman u botua në frëngjisht nga shtëpia botuese Publibook në Paris me titullin “Tu marcheras derrière ton ombre. Në vitin 2001 botoi dramat “Bijtë e Njeriut”, si dhe “Tri medaljonet e Franc Ferdinandit”. Më pas, në vitin 2007, botoi librin me novela dhe tregime “Ato letra i shkrova vetë”. Libri i saj i fundit, proza bashkëkohore shqipe “Shpina”, u publikua pas vdekjes së saj në vitin 2012.
Ishte grua e cila thoshte se nuk e njihte urrejtjen a smirën, ‘me ç’duket jam e zhveshur nga kjo ndjesi’, thoshte.
Një zhgënjim të tmerrshëm shpirtëror e kishte përjetuar në krahinën e Sulit, në Greqi, tek dëgjoi një fëmijë kur, sapo dilte nga kisha, tha: ‘Turqit na mësuan shkip!’ Seç ka kjo fjali që, siç shprehej Hida, i lidhet dendur me turbullirat në Shqipëri dhe do ta çonte në katarzë shpirtërore, sikur të mos i kujtoheshin vargjet e Fan Nolit: ‘Pse pa faj po më mundojnë/Kryq’n e huaj ç’ma ngarkojë‘. Ajo mendonte se atdheu duhet të jetë i fuqishëm, i dashur dhe i mirë për të gjithë, mu si – Perëndia. ‘Po të jetë se dikush bie në sprova që ta tradhtojë atdheun, atëherë diç nuk është në rregull aty me pushtetin dhe pushtetarët. Një qeveri, së cilës ia kthen shpinën ushtria dhe policia e saj, një shtet që jeton me ndihma humanitare, një shtet ku predikon prifti i huaj, nuk mund të presë besnikëri nga qytetarët e vet. Jemi një popull i mirë, shumë i mirë, ndaj nuk e meritojmë të mbajmë mbi shpinë kryqin e tjetërkujt’, thoshte romancierja e parë kosovare, e cila vdiq në vitin 2012, gruaja të cilën nuk e zmbrapsën sfidat në jetën e saj, por me këmbëngulje arriti cakun që ia kishte vënë vetes. Jeta është një aventurë e madhe, ndaj duhet pasur guxim për ta jetuar ashtu siç dëshironi.
Zonjat Frymëzuese Kosovare