“Ivanov” nga Çehovi shënoi premierën në skenën e Teatrit Kombëtar: “Ivanov”. Me regjinë e Hervin Çulit dhe në role, aktorë të mirënjohur, shfaqja u mirëprit dhe ngjlli shumë interes për publikun e gjerë, në sallën e madhe, në “ArTurbina”.
Vepra e dramaturgut rus Anton Çehov, pati mbrëmjen e së dielës, natën e dytë, por do të vijojë për artdashësit.
Çehovi, na prezanton me Nikollaj Ivanovin, dikur një anëtar mjaft i suksesshëm i Këshillit të Qarkut, plot humor, pasion dhe dashuri për jetën, po kalon krizën e moshës së mesme. Ai nuk ka më ndjenja për gruan e tij Anën, e cila sakrifikoi gjithçka për të, është i mbytur në borxhe, rrezikon të humbasë pasurinë dhe çfarë është më shqetësuese, ka rënë në depresion të thellë. Por, sado i vetëdijshëm të jetë ai për këtë ndryshim, duket se nuk mund ta ndalë dhe kjo i prek të gjithë rreth tij.
Si premierë absolute në teatër, në role do të shihni: Dritan Boriçi, Luli Bitri, Elia Zaharia, Alfred Trebicka, Neritan Liçaj, Flaura Kureta, Laert Vasili, Dori Çaushi, Gert Ferra, Anila Bisha, Gjergj Mena, Erin Kujofsa, Genti Deçka, Donald Shehu dhe Sofi Kotepano.
“Ivanov” do të jetë në skenë dhe në datat 21, 22 dhe 23 tetor.
Regjisori Çuli, mbi veprën e Çehovit, ndër të tjera thekson se Ivanovi është intelektuali, që ka humbur besimin: “Ivanov’ është vepra më e trishtuar e Çehovit. Ivanovi është intelektuali i dëshpëruar, që ka humbur besimin se diçka mund të ndryshojë. Ai është idealisti i dikurshëm, është artisti, poeti, mjeku, arkitekti, inxhinieri. Është njëri nga ne. Është mendimtari i përhumbur që, nën peshën e rëndë të degradimit të shoqërisë, ka humbur çdo dëshirë për të shpresuar, madje edhe për të jetuar…”
Në materialet e publikuar më parë nga teatri rreth autorit, thuhet se dramat e Çehovit përshkruajnë qënie njerëzore dhe jo heronj apo keqbërës. “Jeta në veprat e tij është e pasqyruar në komplote, në të cilat duket se nuk ndodh shumë, por deri në fund gjithçka ka ndryshuar…Dhe shumë prej nesh fillojnë të kujtojnë se, pavarësisht nga dallimet tona, në zemër, jemi ende personazhe introspektive çehoviane”, – thuhet për autorin.
Në aktivitetin e tij artistik Hervin Çuli ka vënë në skenë vepra që janë mirëpritur nga publiku, mbi 46 të tilla, numëron 28 role dhe është nderuar me shumë çmime, si aktor dhe regjisor. Në vitin 2014, Hervin Çuli emërohet drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar, pozicion të cilin e mban edhe sot.
Anton Çehov ka qenë një dramaturg dhe shkrimtar rus i tregimeve të shkurtra. Së bashku me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Çehov konsiderohet si një ndër tre figurat themelore, me kontribut të veçantë në lindjen e modernizmit në teatër.