MENU
klinika

"Janë elementi për të mos u bërë kurrë bashkimi"

Patozi tregon strategjinë e Sali Berishës me primaret

17.10.2022 - 22:07

Astrit Patozi, ish-koordinatori i Bindjes Demokratike, i ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se Partia Demokratike nuk mund të bashkohet, pasi, sipas tij, ende nuk është ndarë.

Duke iu referuar faktit që kolegë demokratë të grupimit të Sali Berishës dhe të Lulzim Bashës pritën në oborr dhe në sallën e gjyqit deputetin Ervin Salianji ditën e sotme, Patozi u shpreh: “Për të shkuar te bashkimi, këta duhet të ndahen një herë. Këta nuk janë juridikisht të ndarë. Kjo është gjëja më e keqe që ka sot Partia Demokratike në shtëpinë e saj.

Unë mendoj se nëse PD-ja do të ishte ndarë që kur nisi sherri, përpara se të merrnin hunjtë dhe kundragazin për të rrahur njëri-tjetrin, tani do të kishin të gjitha mundësitë për t’u bashkuar si njerëz. Tani po sillen në mënyrë hileqare, pasi nuk e duan bashkimin, por bëjnë sikur flasin, që faturën e dështimit në zgjedhje t’ia lënë njëri-tjetrit”.

“Sali Berisha po vijon me primaret, ndërkohë që primaret janë elementi për të mos u bërë kurrë bashkimi. Të dyja palët thonë që “Ne jemi PD-ja”. E shoh të zymtë perspektivën e PD-së në këtë luftë të brendshme. Sali Berisha ka qëllim dominimin total të PD-së. Pala tjetër ka qëllim mbijetesën, duke luajtur me letrat dhe me gjykatën. Dy mundësi ka: ose do të ndahen, ose pjesa e Bashës do të asimilohet. Berisha me primaret kërkon që t’i kompleksojë, duke i faturuar humbjen”, theksoi Patozi