MENU
klinika

Nga Klodian Rasha te Arben Mici

Të rinjtë që “i ngelën” në dorë policëve! Saga e vrasjeve dhe vetëvrasjeve në komisariate

20.10.2022 - 15:29

Teksa mbrëmjen e djeshme një 32-vjeçar, Lear Kurti, vdiq brenda komisariatit të policisë fill pas shoqërimit, kujtojmë se ka pasur edhe raste të tjera që të rinjtë kanë ndërruar jetë në komisariate, nën duart e policisë.

I paraburgosuri Arben Mici i vuri flakën vetes brenda komisariatit nr 5 të kryeqytetit, gjatë këtij viti.

Gjithçka ndodhi rreth orës 21:00 të së shtunës, kur Mici u lejua të dilte nga izolimi për të pirë një cigare. Me çakmakun që kishte në dorë, 26-vjeçari i akuzuar për dhunë në familje u fut në qeli, i vuri zjarrin dyshekut dhe më pas shkoi në banjë, ku dhe u gjet i pajetë. Shpresa e tij ishte që efektivët të hutoheshin nga tymi e të arratisej.

Çakmaku iu gjet në xhep bashkë me cigaret. Por vëmendjen policëve ua kishte marrë diçka tjetër, ndeshja Spanjë-Shqipëri. Për rrjedhojë, Dilaver Idrizi që u prangos pasi hodhi gruan e tij nga kati i tretë i pallatit ku jetonin, u dëmtua. Efektivi që ndërhyri, Hajredin Boja, u plagos gjithashtu. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vuri në pranga dy inspektorë Policie, Fatmir Isufin e Hajredin Bojën që mbeti i plagosur.

Gjithashtu, ka nisur procedimi penal për dy inspektorët e tjerë, Lutfi Muça e Mark Marashi, si dhe komisarin Ylli Çollaku. Të gjithë dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën, duke mos marrë masa në parandalimin e ngjarjeve të tilla dhe mosdhënie ndihme.

Enea Ftoi vdiq brenda komisariatit të Korçës, në vitin 2019

Familjarët e tij akuzonin policinë për ushtrim dhune ndaj të riut, por Prokuroria i hodhi poshtë këto pretendime.

“Pavarësisht pretendimit të familjarëve të viktimës, mbi Enea Ftoin policia nuk ka ushtruar dhunë. 27 vjeçare vdiq për shkaqe natyrore, si pasoje e ishemisë akute të miokardit. Enea Ftoi ishte përdorues i lëndeve narkotike dhe vuante nga problemet në mushkëri. Prokuroria ka marre dëshmitë e policëve dhe disa personave të shoqëruar në Komisariatin e Korçës, në kohen kur i riu ndodhej i shoqëruar, por asnjë prej tyre nuk pohon ushtrimin e dhunës ndaj Enea Ftoit”, ka shtuar më tej në argumentimin e saj prokurori.

Ilvi Meta vrau veten brenda Komisariatit të Kavajës, në maj të këtij viti

Sipas hetimeve, Meta i dha fund jetës duke u vetëvarur, me lidhëset e kapuçit të bluzës brenda dhomës së ndalimit në Komisariatin e Kavajës, duke lënë mister shkakun e këtij gjesti ekstrem. Prindërit e mësuan lajmin e trishtë përmes televizorit. Babai ka akuzuar policët se e kanë rrahur djalin për vdekje, duke refuzuar që të pranojë mundësinë që ai mund të jetë vetëvrarë.

Klodian Rasha i vrarë nga efektivi Nevaldo Hajdaraj më 8 dhjetor të vitit 2020

Klodian Rasha u vra më 8 Dhjetor të vitit 2020 gjatë periudhës kur i gjithë vendi ndodhej në karantinë. Hajdaraj dyshohet se i bëri thirrje të ndalojë gjatë natës dhe më pas e ndoqi duke e qëlluar me armë zjarri.

Ndërkohë Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për dënimin me 18 vite burg të ish-efektivit Nevaldo Hajdaraj i cili vrau me armën e shërbimit të riun Klodian Rasha.

Ai kishte kërkuar të njihej vendimi i shkallës së parë që e dënon me 15 vite burg por kërkesa e tij është rrëzuar nga apeli.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Hajdaraj do të vuajë 12-vite pas hekurave.