Për vdekjen e Lear Kurtit, përveç AMP-së, Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Prokurorisë dhe Spitalit të Traumës, ditën e djeshme kanë dalë në deklaratë edhe Avokati i Popullit dhe Prokuroria e Tiranës që përfaqësohej në njoftim, si rrallë herë, nga kreu i saj, Arenc Çela.
Por, janë një mori të dhënash të tjera që shoqërojnë postngjarjen e rëndë, që lidhen me dëshminë e shokut të të ndjerit, i cili me një dëshmi autentike dhënë për një emision investigativ qëndron në kahun se vdekja e shokut të tij erdhi nga dhuna policore. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe nëna e të ndjerit, ndërkohë që Agjencia e Mbikëqyrje Policore vijon të publikojë pasazhe dëshmish nga punonjësit e Policisë që kanë marrë pjesë në atë ndalim-shoqërim që solli edhe vdekjen e 32-vjeçarit.
Sipas të dhënave që vijnë nga Prokuroria e Tiranës, bëhet me dije se janë mjekët dhe policët që do të vihen nën hetim, ndërkohë që në asnjë rresht të njoftimit të djeshëm nuk bëhet me dije se çfarë hetimi është ndërmarr për Komisariatin nr.3, pasi fillimisht është dëshmuar se i ndjeri ngaqë ishte ndjerë keq nuk ishte futur fare në komisariat, ndërsa dëshmitë e tjera, të po të njëjtëve punonjës policie tregojnë se Lear Kurti ka hyrë në ambientet e brendshme të komisariatit. Madje, shoku i tij ka tentuar të hyjë në Komisariat, por e ka pasur të pamundur.
KOMISARIATI, PRAGU I PARË I DYSHIMIT
Duke iu referuar dokumentimit që ka kryer KSHH-ja ditën e parë të pasngjarjes, që fikson edhe kohën, 14 orë pas ngjarjes, ata thonë se shefi i Komisariatit iu ka thënë se nuk kishin asnjë lloj dokumentacioni në ambientet e Komisariatit, pasi ato ishin sekuestruar të gjitha nga Prokuroria dhe AMP-ja.
Madje në asnjë rresht të reagimit të tyre publik dhe zyrtar, KSHHja nuk flet për hyrjen e Lear Kurtit si i shoqëruar në ambientet e Komisariatit. Ndërkohë, në dëshmitë e policëve që ka dokumentuar AMP-ja dhe që ka hedhur në qarkullim për media bëhet me dije se Kurtin e kanë ulur nga makina e policisë dhe e kanë futur në ambientet e komisariatit. Madje ka të dhëna që bëjnë me dije se në Komisariat ka mbërritur edhe një ambulancë, por që ajo ka ikur pa e marrë të riun, që sipas policisë ka qenë në gjendje të rëndë. Por, Policia dhe policët, bashkë me AMP-në bënë me dije se nuk erdhi ambulanca në komisariat e ndaj u detyruan për t’i dhënë ndihmë dhe e nisin me makinë policie.
Ende nuk dihet nëse është mbajtur procesverbal në lidhje me hyrjen e Kurtit në komisariat dhe sa minuta ka qëndruar aty, pas Spitali i Traumës nuk ka nxjerrë orën fikse kur ka mbërritur mjeti i Policisë me të prangosurin në spital. Po ashtu, ende nuk dihet ora e saktë e përcaktuar nga mjekësia ligjore se kur ka ndërruar jetë Leari, që do të shërbenin si dy prej momenteve kyçe në hedhjen dritë mbi ato momente të errëta të fundit të jetës së një të riu në duart e Policisë.
PROKURORIA DJE
Prokuroria e Tiranës ka publikuar ditën e djeshme sërish pjesë nga ekspertiza si pjesë e një njoftimi në të cilin thotë se ka nisur hetime për Policinë dhe mjekët. Sipas Prokurorisë ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës, gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë. Prokuroria njofton se ka nisur hetimet për Policinë për “Veprime arbitrare”, mjekët për “Mosdhënie ndihme”.
Në vijim të veprimeve të tjera, grupi hetimor, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të Urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero-mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti, si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.