Shqipëria do të luajë një tjetër miqësore dhe këtë herë bëhet fjalë për vendin që organizon Botërorin 2022. Nga burime të sigurta në FSHF mësohet se është arritur marrëveshja me Federatën e Katarit për zhvillimin e një ndeshjeje miqësore në datën 9 nëntor në Spanjë.
Mbetet për t’u fiksuar tashmë ora e zhvillimit të ndeshjes dhe stadiumi në vendin iberik ku dhe është caktuar si miqësore. Kujtojmë që nesër (ora 16:30), Shqipëria do të luajë kundër Arabisë Saudite.
Ky takim nuk do të ketë spektatorë dhe as nuk do të transmetohet nga ndonjë televizion për shkak të vendimit të marrë nga federata arabe. Gjithashtu kuqezinjtë do të luajnë në muajin nëntor edhe dy miqësore të tjera, përveç asaj me Katarin.
Më 16 nëntor do të jetë testi i luksit me Italinë në stadiumin “Air Albania”, ndërsa tri ditë pas në të njëjtin vend kundër Armenisë.