Rreth dhjetë vite më parë, një burrë nga Shkodra u akuzua për vrasje, por një ditë më parë përfundoi në pranga kësaj here për armë zjarri pa leje.
Operacioni i koduar “Neutralizimi”, çoi në pranga shtetasin Agim Gjata, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave të rendit. AKSIONI Kanë qenë forcat speciale RENEA ato që kanë ndërhyrë duke neutralizuar 49- vjeçarin, i cili sipas Policisë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave të rendit.
Në komunikatën e Policisë thuhet Agim Gjata ishte shpallur në kërkim për “Armëmbajtje pa leje dhe ishte i dënuar më parë për vrasje”.
“Shërbimet e Policisë Kriminale të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë të Vau Dejës, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën informative, se një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, po futej në banesë kanë finalizuar, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, operacionin policor të koduar ‘Neutralizimi’.
Në momentin që shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën dhe i kanë bërë thirrje shtetasit, në emër të Policisë së Shtetit, për t’u dorëzuar, 49-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë.
Me ndërhyrjen profesionale dhe në zbatim të ligjit, të shërbimeve të Forcës Speciale RENEA, u bë i mundur neutralizimi i shtetasit që qëlloi me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë. Si rezultat i operacionit ‘Neutralizimi’ u kap dhe u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, A. Gj., 49-vjeç, banues në Barbullush, i dënuar më parë për vrasje”, thuhet në reagim.
Shërbimet e Forcës Speciale RENEA i kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e jarrit kallashnikov dhe gjatë kontrollit, i kanë gjetur dhe i kanë sekuestruar 49-vjeçarit edhe një armë zjarri tjetër pistoletë dhe një palë dylbi.
VRASJA
Në vitin 2011, përkatësisht më 18 qershor, mbeti i vrarë shtetasi Ndoc Çeliku, 61 vjeç, ndërsa pak më shumë se 10 vite më vonë, autori i këtij krimi është në liri derisa u arrestua një ditë më parë. Mësohet se vrasja në atë kohë ndodhi pas një debati midis fqinjëve që përfundoi me vrasjen e 61- vjeçarit, i cili u gjet i pajetë nga banorë të tjerë të zonës me një levë në dorë, me gjasë për vetëmbrojtje.
Mbrëmjen e asaj date, dy fqinjët u përfshinë në debat me fjalë e më pas në konflikt fizik deri në përdorimin e armës së zjarrit. “A e di se kush është më i fortë këtu?”, ishte fjalia që shërbeu si zanafillë e sherrit mes Agim Gjatës dhe 61- vjeçarit. Pas konfliktit fizik, Gjata shkoi në banesë dhe mori një armë zjarri automatik duke vrarë 61-vjeçarin.
Rreth orës 23:40 të mbrëmjes, sapo e ka pikasur se 61- vjeçari po i afrohej banesës, Agim Gjata e ka qëlluar me breshëri automatiku.
Si pasojë e plumbave të marra, Ndoc Çeliku ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa autori i vrasjes u largua nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar arrestimit. Pas të shtënave me kallashnikov, banorët e fshatit ka dalë për të parë, duke gjetur të vdekur fqinjin e tyre. Rreth një orë më vonë, Policia gjeti dhe arrestoi autorin e dyshuar të krimit, i cili ndodhej në një zonë malore të fshatit.
Thirrjes fillestare të policisë për t’u dorëzuar i kërkuari i është përgjigjur në mënyrë negative. Policia e Shkodrës kërkoi ndihmën e forcave speciale RENEA dhe nisën negociatat.
Vetëm rreth orës 05:00 të mëngjesit të 19 qershorit 2011, ai pranoi të dorëzohej bashkë me armën e krimit, ku kishte dhe 21 fishekë. Ky i fundit, pas arrestimit ka pohuar se ishte qëlluar me levë hekuri nga viktima dhe në gjaknxehtësi e sipër kishte marrë armën e zjarrit për të vënë “nderin” në vend.