MENU
klinika

“A e di se kush është më i fortë këtu?”

Qëlloi me armë drejt forcave RENEA, kush është 49-vjeçari

27.10.2022 - 12:02

Agim Gjata, i cili u vendos në pranga gjatë një operacioni të RENEA dhe policisë së Shkodrës pasi u pikas në banesën ku fshihej, ka kryer një vrasje në vitin 2011.

49-vjeçari ka ekzekutuar me armë zjarri fqinjin e tij, Ndoc Çeliku në fshatin Barbullush. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 18 qershorit të vitit, disa metra larg banesës së viktimës.

“A e di se kush është më i fortë këtu?, ishte fjalia që shërbeu si zanafillë e sherrit mes të Agim Gjatës dhe 61-vjeçarit, e cila përfundoi në mënyrë tragjike.

Rreth orëve të darkës, 61-vjeçari, Ndoc Çeliku, dhe fqinji i tij, Agim Gjata, ka nisur një debat.

Përplasja mes tyre ka nisur fillimisht me fjalë dhe më pas ka filluar të acarohet edhe më shumë, duke u konfrontuar fizikisht.

Pas kësaj, Agim Gjata, në atë kohë 38-vjeç, nuk e ka kapërdirë, ndaj dhe ka vendosur që të hakmerret ndaj fqinjit.

Ai ka shkuar në banesën e tij, ku ka marrë një automatik dhe i ka zënë pritë viktimës.

Rreth orës 23:40 të mbrëmjes, sapo e ka pikasur se 61-vjeçari po i afrohej banesës, Agim Gjata e ka qëlluar me breshëri automatiku.

Si pasojë e plumbave të marrë, Ndoc Çeliku ka mbetur i vdekur në vend. Pas kësaj, Agimi së bashku me armen e krimit është larguar, duke përfituar nga errësira, në drejtim të paditur.

Banorët e Barbullushit, të trembur nga krismat e kallashnikovit në atë orë të vonë të mbrëmjes, kanë dalë të shohin se çfarë ka ndodhur dhe kanë gjetur të shtrirë përtokë 61-vjeçarin Ndoc Çeliku.

Policia gjeti pranë tij në dorën e djathtë një levë hekuri, çka hodhi dyshimet se e kishte marrë për t’u mbrojtur në një tjetër konfrontim të mundshëm me Gjatën.

Pas rreth 1 ore pas krimit u gjet vendi ku ishte fshehur autori i krimit, i cili ndodhej në një zonë malore dhe të pyllëzuar në periferi të fshatit Barbullush.

Thirrjes fillestare të policisë për t’u dorëzuar i kërkuari i është përgjigjur në mënyrë negative. Policia e Shkodrës kërkoi ndihmën e forcave speciale RENEA dhe nisën negociatat. Vetëm rreth orës 05:00 të mëngjesit të 19 qershorit 2011, ai pranoi të dorëzohej bashkë me armën e krimit, ku kishte dhe 21 fishekë.

Ky i fundit, pas arrestimit ka pohuar se ishte qëlluar me levë hekuri nga viktima dhe në gjaknxehtësi e sipër kishte marrë armën e zjarrit për të vënë “nderin” në vend.

Ç’ndodhi sot (27 tetor 2022)
I dënuari për vrasje ishte shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje. Policia njoftoi se: “Shërbimet e Policisë Kriminale të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë të Vau Dejës, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në inteligjencën informative, se një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, po futej në banesë, kanë finalizuar, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, operacionin policor të koduar “Neutralizimi”.”

Në momentin që shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën dhe i kanë bërë thirrje shtetasit, në emër të Policisë së Shtetit, për t’u dorëzuar, 49-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shërbimeve të Policisë.

Me ndërhyrjen profesionale e Forcës Speciale RENEA, u bë i mundur neutralizimi Agim Gjatës.

Shërbimet e Forcës Speciale RENEA i kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov dhe gjatë kontrollit, i kanë gjetur dhe i kanë sekuestruar 49-vjeçarit edhe një armë zjarri tjetër pistoletë dhe një palë dylbi”, bën me dije policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kush është i dënuari me 15 vite burg

Vlorë/ Arrestohet një person në kërkim ndërkombëtar