Duket se Kompania SHELL i ka dhënë fund ekspeditës së shpim kërkimit të naftës në Shpirag. Sot në mëngjes, në portin e Durrësit u ankorua anija trans-oqeanike “Pacific Fortitude” me flamur të Liberisë.
Anija, e cila ka një kapacitet për 20 mijë ton ngarkesë është pozicionuar në kalatën lindore të portit detar të Durrësit. Mësohet se në anije do të imbarkohet sonda e cila për muaj me radhë shpoi në Shpirag në kërkim të naftës.
Destnacioni i anijes pas portit të Durrësit është “Port Khalid” në Emiratet e Bashkuara. Duket se sonda është marrë me qira nga kompani arabe që merret me shpimin dhe nxjerrjen e naftës. Ndërkohë, ende nuk dihet nëse në Shpirag u gjendën apo jo rezerva nafte. Kryeministri Rama pak javë më parë u shpreh për një “sihariq të madh që pritej nga Shpiragu”.