MENU
klinika

Pritet vendimi për vijimin e rezistencës

Sot dy javë nga bojkoti i procesit mësimor, si do përshkallëzohet protesta e pedagogëve!

31.10.2022 - 11:17

Qëndresa e pedagogëve për arsim cilësor hyn në javën e tretë intensive.

Ajo nis sot me protestë kombëtare, por të gjitha gjasat flasin për një përshkallëzim të saj gjatë ditëve në vijim, nëse qeveria vijon të bëjë “shurdhen”. Janë pedagogët, pjesë e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, ata që lajmëruan në fund të javës që shkoi iniciativën për t’u ngujuar. Vendimi për vijimin e rezistencës së pedagogëve pritet të merret sot nga sheshi para Universitetit Politeknik.

APELI

Janë me dhjetëra pedagogët, të cilët kanë firmosur peticionin drejtuar qeverisë e ministrisë së arsimit me nëntë kërkesa konkrete (të listuara në tabelën përbri) dhe që rrugës janë tërhequr pas presioneve e intimidimeve të hapura e indirekte që iu janë bërë gjatë kësaj kohe. Ndonëse kauza u shërben në fund të fundit edhe atyre, sindikata u bëri thirrje atyre që janë me emër, mbiemër e firmë në peticionin e 30 gushtit, të stopojnë mësimin qoftë vetëm për një orë në protestën e sotme kombëtare. Në thirrjen publike, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve (SPASH) iu bën thirrje të gjithë pedagogëve, në kryeqytet e rrethe të dalin në mbështetje të tyre dhe situatës alarmante në të cilën ndodhet sot arsimi në vend.

“Përshëndetje të nderuar pedagogë, ditën e hënë, datë 31.10.2022, ora 11:00. Para Korpusit qendror të UPT, Protestë kombëtare e pedagogëve organizuar nga Sindikata e Punonjësve të Universiteteve!! Lutemi për mbështetje maksimale nga të gjithë pedagogët, të të gjitha universiteteve. Është e nevojshme prania e përfaqësive të çdo universiteti jo vetëm nga Tirana, por edhe të degëve. Protesta e së hënës është shumë e rëndësishme”, shkruhet në apelin e sindikatës për t’u bashkuar në protestë.

Pas Ministrisë së Arsimit e qeverisë, ata u kanë nisur një letër institucioneve më të larta shtetërore dhe ambasadave të huaja në vend që financojnë disa projekte në Shqipëri, ku i vënë në dijeni për alarmin ku ndodhet arsimi i lartë dhe lutjen për të “vënë dorë”. Në dy javët e bojkotit të auditorëve nga një pjesë e mirë e pedagogëve në Universitetin e Tiranës, Bujqësorit dhe Politeknikut, por edhe në qytetet e Vlorës, Shkodrës e Gjirokastrës është arritur vetëm një shtesë në pagë në vlerën e 7% nga ana e qeverisë.

Ndërsa një 8 për qindësh u është lënë në dorë të universiteteve. Nga dhjetëra IAL, vetëm ai i Mjekësisë e ka bërë fakt të kryer duke marrë vendim javën që shkoi, Universiteti i Tiranës premton, ndërsa të tjerët nuk kanë bërë asnjë lëvizje. Sidoqoftë, edhe kjo masë e papërfillshme është refuzuar nga pedagogët, të cilët janë të mendimit që paratë e universitetit, të cilat gjenerohen kryesisht nga tarifat e studentëve duhet të kthehen në favor të tyre dhe jo për pagat e profesoratit e personelit ndihmës. Një tjetër ankesë, ende jo në rrugë zyrtare, është fakti se në shtesën e qeverisë është lënë jashtë personeli ndihmës akademik dhe administrativ, që trajtohet me paga edhe më të ulëta se pedagogët.

Perpjekjet për të shuar protestën

Jo në javën e parë kur u hapën auditorët, por në të dytën nisën të merreshin mungesat në fakultet për pedagogë e studentë. Më shumë se për të pasur një ide se kush ishte në shesh si dhe për të “ndëshkuar” të pabindurit. Paralel me këtë formë presioni, nisën edhe mbledhjet e befta nga titullarët, fiks në orën kur ishte lajmëruar protesta, të cilët kërkonin medoemos pjesëmarrjen e tyre aty ku kishin firmosur një kontratë pune. Një gjë e tillë ishte e kuptueshme që bëhej qëllimshëm dhe nuk u ngurrua të flitej hapur nga pedagogët që thyen urdhrin e titullarëve për të kërkuar të drejtën e tyre, garantuar kjo nga Kushtetuta e Shqipërisë.

“Këto ditë kam parë kolegë të mrekullueshëm, të cilët kanë kurajën të marrin pjesë në protestë, pavarësisht presioneve, që debatojnë me argumente, e mbi të gjitha që reflektojnë formim e humanizëm. E unë besoj se kjo protestë veç të tjerave po krijon modele, të cilat dëshmojnë se indiferentizmi dhe frika mund të vriten, nëse je i formuar dhe guximtar”, tha Albana Deda, pedagoge e Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tiranës. Gjatë kësaj kohe, qeveria ka deklaruar se bëhet fjalë për protestën e një pakice pedagogësh, se pagat sapo u rritën në fillim të tetorit.

KONTRATA KOLEKTIVE

Në dy javë protestë të përditshme, gjatë komunikimeve të profesoratit midis tyre, veç nëntë kërkesave të artikuluara në peticion, kanë dalë edhe të tjera të paparashikuara. E para dhe më imediatja, kontrata kolektive, e cila ka për synim të mbrojë pedagogët përmes sindikatës së tyre në raport me qeverinë.

Ajo është në proces përfundimi tanimë dhe shumë shpejt do të adresohet në vendin e duhur. Veç kësaj, në Forumin e mes javës që shkoi janë diskutuar disa ide, të cilat do të përmblidhen në Platformën universitare. a ardhur koha që platformat profesionale duhet t’i bëjnë profesionistët. Platformat nuk ka arsye pse të vijnë nga qeveria. Pra, ne nuk protestojmë dhe të presim që qeveria të bëjë platformën për universitetin. Duke protestuar, duke kërkuar, duhet të jemi po ne vetë që duhet të japim zgjidhje”, thotë prof. dr. Enkeleda Olldashi nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Tiranës.

KERKESAT E PEDAGOGEVE

  • Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
  • Rritja e financimit për kërkimin shkencor Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmi shëndeti në punë’
  • Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
  • Rivlerësimi i orës mësimore, pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit.
  • Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
  • Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i
  • Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
  • Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike