Romina është 26 vjeç dhe prej disa vitesh punon me turne në një prej dyqaneve ku shiten atlete në kryeqytet.
Ajo bashkë me 3 shoqet e saj punojnë në një rrjet dyqanesh me të njëjtin pronar, por të trija vajzat punojnë si mësuese anglishte online, për të rritur të ardhurat mujore.
Mësimi i anglishtes online është sot trendi më i ri në tregun e punës ku kërkesat më të mëdha vijnë nga vendet aziatike.
“Në fillim nisi punën Greisi, shoqja jonë e cila kishte rënë në kontakt me një kompani online që kërkonte të punësonte mësues anglishteje. Në bazë të orëve të punës që përzgjedh në ditë, pagesa mujore mund të shkojë deri në 400-500 dollarë”, thotë Romina për Gazetasi.al.
Vajza tregon se krahas punës si shitëse në dyqan, kurset online të anglishtes ka mundësi ti kryejë në çdo orë të ditës. Sipas instruksioneve që japin kompanitë që rekrutojnë mësues, kjo formë pune online të lejon të futesh në linjë me studentët kurdoherë.
“Ne paguhemi 3 dollarë në orë dhe mësimi zgjat 25 minuta. Në përgjithësi, është studenti që përzgjedh mësuesit, ti mund të jesh në linjë dhe ata të zgjedhin vetë. Nëse unë jap maksimumin tim në kurs dhe ata ndjehen të kënaqur, të kërkojnë vetë. Ka në çdo lloj orari, nga mëngjesi në darkë dhe në mesnatë”, thotë Romina.
Vajzat thonë se studentët janë më së shumti nga Japonia dhe Kina. Ditët më të ngarkuara janë ato në fundjavë ku dhe kërkesat për mësim online janë më të mëdha.
“Në përgjithësi studentët janë japonezë, të sjellshëm dhe plot respekt. Mosha e tyre varion nga fëmijë deri në 70-vjeç.
Nëse bën 3 orë në ditë rregullisht me 6 klasa nxënësish, paguhesh 9 dollarë në ditë dhe në muaj mund të përfitosh 300 dollarë, ndërkohë që në dyqan paguhem 1 mijë lek dita e punës për 8 orë pune dhe larg shtëpisë”, tregon vajza e cila sot në muaj përfiton një pagë afro 60 mijë lek, falë dypunësimit, në dyqan dhe si mësuese e anglishtes online.
Edhe vajzat e tjera, shoqet e Rominës, prej muajsh kanë nisur të punojnë nga shtëpia. Greisi dhe Bora dalëngadalë kanë lënë punën si shitëse dhe i janë përkushtuar kurseve individuale online të anglishtes.
“Unë e pashë se puna online më jepte më shumë të ardhura ndaj e lashë pas disa vitesh që punoja në dyqan. Prej 5 muajsh i jam përkushtuar punës online nga shtëpia dhe jam e kënaqur me të ardhurat që fitoj. Kompania që më ka punësuar është e kënaqur me mua dhe paguhem rregullisht çdo muaj. Mendoj se për ne vajzat që nuk kemi mbaruar studimet e larta dhe nuk kemi profesion, tregu virtual i punës na ka ofruar shumë mundësi të reja”, thotë Bora.
Për t’u rekrutuar nga kompanitë e huaja që ofrojnë kurse anglishteje online, nuk duhen njohuri të shkëlqyera anglishteje.
Pas një testi që kryhet online ku duhet të kesh minimum njohuritë bazë, shumica e aplikantëve e kanë fituar vendin e punës.
Vajzat tregojnë se sfida qëndron në kërkesat që kanë studentët për ty.
“Nëse anglishtja juaj është e mirë dhe nëse keni aftësi të mira komunikimi, studentët të kërkojnë vetë, sapo ti hyn me profilin tënd të krijuar nga kompania, në klasë. Zakonisht fundjavave ka kërkesa pafund dhe unë psh dje kam qëndruar në klasë prej orës 11.30 deri në orën 17.30. Dita ime e punës dje ishte 18 dollarë për 6 orë mësim që zhvillova”, thotë Romina për Gazetasi.al.