Mediat greke raportojnë sot për një “sulm” të ri ndaj Greqisë, kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias nga ana e homologut të tij turk Mevlut Çavusoglu, pak orë pas incidentit me skafin turk në Samos.
“Mitsotakis premtoi të fokusohej në agjendën pozitive, por ai nuk e mbajti këtë premtim,” tha fillimisht Cavusoglu , duke folur në një aktivitet mbi politikën e jashtme të Turqisë në Egje dhe Mesdheun Lindor.
Akuzat se Greqia po përgatitet të sulmojë Turqinë nënkuptojnë se Athina ka humbur mendjen, shtoi sipas Anadolu, ministri i Jashtëm turk, i cili me tone kërcënuese tha se “Athina e di mirë se çfarë do të thotë të mos pajtohesh me Ankaranë”.
“Ne nuk e pranojmë përpjekjen që është bërë dhe na ka bllokuar në brigjet tona”, shtoi ministri i Jashtëm turk.
Siç raportojnë mediat turke, Mevlüt Çavuşoğlu iu referua edhe pamjeve me emigrantët në Egje dhe Evros dhe argumentoi se “Greqia u përpoq të na diskreditonte me foto dhe dokumente false. Ne iu përgjigjëm me dokumente”.
Retorikën e ministrit të Jashtëm turk, mediat greke e kanë cilësuar si nxitëse ndërsa shtojnë se “nuk mund të mungonin pretendimet e pabaza për mbylljen e xhamive dhe institucioneve nga Greqia.”
Lidhur me çështjen e hapësirës ajrore, Mevlut Çavusoglu tha se “është jashtë ligjit ndërkombëtar (përfshirë atë që Greqia mbështet për të drejtën e zgjerimit të saj)”.
“Greqia nuk është e sinqertë dhe e ndershme për çështjet e Egjeut dhe Mesdheut lindor”, shtoi Tsavousoglou, duke akuzuar vendin se është përgjegjës për bllokimin e drejtësisë.