Në qytetin e Pejës, duart e dy kryeministrave shqiptarë, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj, u bashkuan mbi flamurin kombëtar, por që nga pavarësia e Kosovës, po bëhen më shumë se 10 vite e gjysmë pritshmëri dhe ndjeshmëri e lartë e shqiptarëve nga të dyja anët e kufirit, sidomos e bizneseve, për unifikimin e procedurave doganore mes të dyja vendeve. Mirëpo, kësaj shprese nuk i është përgjigjur seriozisht Tirana, ashtu edhe nga Prishtina.
Kosova dhe Shqipëria në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive ndër vite kanë nënshkruar marrëveshje të cilat kishin për qëllim qeverisje të përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik.
Këto dy shtete kanë të nënshkruar një protokoll bashkëpunimi ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.
Janë disa marrëveshje të cilat në aspektin ekonomik synojnë të përcaktojnë drejtimet kryesore, në të cilat të dyja palët do t’i përqendrojnë përpjekjet e përbashkëta me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të mallrave dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të dy shteteve.
Andaj, barriera ekonomike e tregtare ka pasur në vazhdimësi, pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara.
Por, çfarë ndodhi në takimin e përbashkët Shqipëri-Kosovë?
Në fillim të mbledhjes së përbashkët, e cila u hap me fjalët e kryeministrave, Ramush Haradinaj dhe Edi Rama, u theksua nevoja e arritjes së marrëveshjeve të reja dhe intensifikimi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët të cilat do të jenë në funksion të lehtësirave të ndryshme për bizneset e të dy vendeve.
Në fjalën hyrëse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nënshkrimi i nëntë marrëveshjeve dhe protokolleve të reja do të bëjë unifikimin e ekonomive të të dyja vendeve.
“Jam i lumtur për të arriturat ë këtij takimi të përbashkët dhe jam i bindur se mundësia që të nënshkruajmë nëntë marrëveshje dhe protokolle, do të qojë në një të ardhme të afërt deri në unifikimin e ekonomive tona dhe jo vetëm kaq. E di që populli i Kosovës dhe ai i Shqipërisë presin më shumë nga ne dhe nga këtu do të vazhdojmë pandalshëm me punët që na presin, që janë të shumta dhe sfiduese. Me punë dhe zhvillim, ne e nderojmë sakrificën për liri të të gjithë brezave dhe vetëm me punë e zhvillim do të marrim respektin e të gjithëve”, tha Haradinaj.
Ai tha se Shqipëria çdo herë ka mundur të llogarisë për çdo gjë Kosovën dhe e anasjellta.
“Në planin rajonal, iu kemi kushtuar bashkëpunimit të ndërsjellë me të gjitha vendet, mirëpo po ashtu kemi qëndruar në të drejtën tonë. Por, ajo që e shquan Kosovën, është rreshtimi me SHBA-në, si një faktor prijës botëror dhe me aleatët tanë strategjik. Shqipëria, çdoherë ka mundur të llogarisë në Kosovën dhe çdoherë ka të drejtë të llogarisë në të, por edhe Kosova çdoherë ka llogarit në Shqipërinë, e kjo është dëshmuar vitin 1999, në ditët më të vështira të jetës sonë si komb”, ka shtuar ai.
Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, tha se duhet të shkojnë drejt një unifikimi doganor dhe se tarifa prej 100 për qind është një kundërpërgjigje politike dhe se ky vendim është irracional në kushte normale.
“E pra, ja se si në këtë kontekst kaq te posaçëm goditjesh te vazhdueshme pas shpine ndaj Kosovës nga ana e fqinjit të madh, merr edhe shpjegimin tarifa 100 për qind për produktet serbe. Një vendim irracional në kushte normale, por krejt normal në kushte irracionaliteti, si ato që përvijon vijimisht qasja e dyfytyrtë e Serbisë. Kush e sheh tarifën 100 për qind si vendim ekonomik, gabon. Jo, tarifa 100 për qind është reagim politik. Reagim politik ndaj ekseseve të vazhdueshme të një sjelljeje suprematiste të Serbisë ndaj Kosovës”, u shpreh Rama.
Rama premtoi se brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës do të ketë zero barriera.
“Zero tarifa dhe zero barriera jotarifore brenda gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse jemi këtu, jemi këtu për të bërë këtë e duhet ta bëjmë e nuk kemi nevojë të mblidhemi edhe njëherë. Jemi mbledhur pesë herë, sot është koha për të vënë tarifa 100 për qind në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës”, premtoi Rama.
Kryeministri shqiptar, tha se pika e unifikuar doganore e Morinës do të lehtësoj qarkullimit të njerëzve e mallrave mes dy shteteve.
“Pika e unifikuar kufitare e Morinës dhe lehtësimi total i qarkullimit të njerëzve e mallrave mes dy shteteve është hapi që ne do ta hedhim. Unifikimi i gjithë të dhënave të sistemeve tona të përbashkëta për hyrjen në kufijtë e Kosovës dhe në kufijtë e Shqipërisë, në funksion të kufirit të Kosovës dhe të Shqipërisë, është detyra që duhet ta marrin dhe ta kryejnë të dy ministritë e Brendshme. Të dhënat për të gjithë personat që hyjnë e dalin, duhet të jenë të dhëna në perimetrin e jashtëm të Kosovës dhe të Shqipërisë. Brenda perimetrit duhet të funksionojmë si një kufi pa kufi. Shëndet dhe jemi gati t’i presim të gjithë ata që janë të shqetësuar t’ua shpjegojmë si është kjo punë”, tha kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Cilat janë përfitimet e nga marrëveshjet e nënshkruara?
Unifikimi i pikave doganore do të rrisë fluksin e shkëmbimit të mallrave midis dy vendeve, do të nxisë ndërmarrjen e lirë, do të ulë kostot për bizneset si dhe do të rrisë potencialet për thithjen e investimeve të huaja, etj.
Në lëmin administrativ, do të ulë kostot administrative e do të rrisë efiçiencën dhe efektivitetin e administratës, përmes kontrolleve të përbashkëta doganore, shkëmbimit të informacionit në kohë reale, analizës së përbashkët të riskut, duke sjellë një menaxhim më të mirë të mbledhjes së të ardhurave doganore dhe forcimin e luftës ndaj kontrabandës dhe korrupsionit.
Është për t’u përshëndetur miratimi i vendimit që i mundëson Doganës së Kosovës që të kryejë procedura doganore në Portin e Durrësit dhe në Porto-Romano. Dhe ky bashkim nuk është thjesht retorikë patriotike. Dobitë ekonomike të tij janë të qarta dhe të mëdha.
Taksa 100 për qind, përparësi për tregun Shqipëri-Kosovë
Qeveria e Kosovës mori vendim që ta rris taksën produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, nga 10 për qind sa ishte me vendimin e kaluar në 100 për qind, për produktet që hyjnë në Kosovë nga këto dy shtete.
Menjëherë pas mbledhjes, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se një vendim i tillë ka qenë i domosdoshëm dhe ka vlerësuar se shteti serb në vazhdimësi nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) në raport me Kosovën.
“Tani ne kemi bërë një analizë të respektimit të Marrëveshjes së CEFTA-së nga Serbia dhe aty shihet që Serbia i ka vendosur vazhdimisht Kosovës një taksë jo-tarifore. Jo e njëjtë me këtë taksën e produkteve që i kemi vendosur ne. Serbia e ka penguar transportin e mallrave dhe kështu nuk e ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-së”, kishte thënë Haradinaj.
Ditë më parë, në Tiranë përfaqësues të bizneseve nga të dyja vendet, kanë kërkuar që të largohen barrierat dhe të bëhet unifikimi i tregut.
Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, në këtë takim kishte kërkuar që të largohen barrierat, ku bëri ftesë të gjithë prodhuesve nga Shqipëria që të rrisin prezencën e tyre në tregun e Kosovës.
Ndërsa, Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ka thënë se kërkesat e prezantuara janë të trajtuara me shumë kujdes me mbledhje të shumta përgjatë këtyre dy viteve të fundit. Ai u shpreh që në mbledhjen e radhës e cila do të jetë më 26 nëntor, dëshiron që të vihet me një unifikim të tregut.
Raportet e fundit lidhur me tregtinë e jashtme, tregojnë një rritje të eksporteve nga të dyja vendet krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Vetëm në muajin e fundit, kompanitë kosovare në drejtim të tregut shqiptar eksportuan 6.3 milionë euro nga 5.8 milionë që ishte një vit më herët. Krahasuar me vendet e CEFTA-së, Shqipëria merr pjesë me 18.6 për qind të eksporteve, ndjekur nga Maqedonia me 10.4 për qind, Serbia me 8.2 për qind dhe Mali i Zi me 3 për qind, nga totali prej 41.1 milionë euro.
Krahasuar nga viti 2005 deri në fund të vitit 2017, bilanci tregtar i Kosovë me Shqipërinë ka një trend rritës.
Që nga viti 2005, eksportet kosovare në drejtim të Shqipërisë ishin 5.78 milionë euro, ndërsa importet ishin 18.1 milionë euro, pra më një ndryshim prej 12.31 milionë euro, kurse në vitin 2017 ky ndryshim ishte 91.56 milionë euro. Kosova, bilancin më të lartë tregtar kundrejt Shqipërisë e ka pasur në vitin 2015 ku arriti në 111.64 milionë euro.
Pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet që vijnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, është koha që për Shqipërinë dhe Kosovën të bëhet unifikimi doganor, largimi i barrierave tregtare dhe shtimi i bizneseve. Ndërsa, për sa i përket ndikimit të kësaj takse në tregtinë Kosovë-Shqipëri do të jetë mjaftë i madh, pasi që të dyja vendet kanë një traditë të këmbimit qoftë në turizëm apo në tregti. /Konica.al