Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka mbledhur sot Kolegjin e Kryetarëve dhe Kryesinë, pas dështimit të negociatave me grupin e Sali Berishës për daljen me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në një prononcim për mediat jashtë godinës së degës së PD në Fier, Alibeaj tha se deri më tani, janë depozituar një numër i madh kandidaturash për bashkitë e vendit.
Deputeti demokrat u shpreh se shumë shpejt do të publikojë edhe kandidaturat për të gjitha bashkitë e vendit.
Alibeaj: Sot mbledhja me Kolegjin e kryetarëve të PD së bashku me kryesinë e PD kishin 2 qëllime, informimi për të gjitha zhvillimet e fundit që ishte dhe synimi ynë për daljen tonë me një kandidat të përbashkët dhe marrja e qëndrimit që morëm ishte e udhës sot që jo vetëm të informonim por edhe fillimi i menjëhershëm i procesit të riorganizimit të të gjitha degëve të PD-së në funksion të rifreskimit dhe ripërtëritjes dhe identifikimit qoftë për kandidatura për kryetarë bashkie apo këshille bashkiake.
Ju informoj se në PD janë depozituar prej kohësh një numër i madh kandidaturash sipas statutit të PD, shumë shpejt do deklarojmë edhe kandidaturat për të gjitha bashkitë që do jenë të gatshëm për të garuar në zgjedhjet e 14 majit.
Ne kemi zhvilluar mbledhje në selinë e PD-së në Durrës, në Tiranë e zhvillojmë sot në Fier, mbledhja tjetër do jetë në Lezhë për të treguar se ne jemi në paradhomë të fushatës zgjedhore dhe është e udhës që demokratët duhet të dalin në terren, është edhe taktikë për të pasur kontakte më intensive me demokratët kudo ku janë. Në të gjithë këtë lëvizjen tonë nuk duam e nuk e kemi bërë lëshimin e sinjaleve provokative, beteja jonë është me regjimin, aleatët tanë janë qytetarët.