Pas pesë humbjesh radhazi, skuadra e Los Angeles Lakers është rikthyer te fitorja, duke mposhtur një skuadër pretendente për titull si Brooklyn. Kalifornianët fituan 116-103 , sfidë ku shkëlqyen Anthony Davis me 37 pikë e 18 rebound e Loonie Walker me 25 pikë.
Mungoi sërish LeBron James, por kësaj here nuk u ndje mungesa e tij. Për Nets u dallua i zakonshmi Kevin Durant me 31 pikë, por që mbetën për statistikë. Megjithatë, Lakers mbeten në vendin e parafundit në Perëndim.
Po në këtë konferencë, zhgënjen sërish skuadra kampione e Golden State, që u mund 122-115 nga Memphis Grizzlies, duke mos fituar ende jashtë fushe këtë sezon. Curry me 27 pikë e Wiggins me 26 u përpoqën t’i japin fitoren skuadrës kampione, por pa sukses. Për Memphis u dallua Sabonis me 26 pikë e 22 rebound.
Ndërsa në Konferencën e Lindjes, fitoi Philadelphia, që falë 59 pikëve e 11 rebound të Joel Embiid mundi 105-98 Utah Jazz. Asnjëherë më parë ylli i Philadelphias nuk kishte realizuar shifra të tilla gjatë një ndeshje, duke u bërë edhe shënuesi më i mirë aktual në NBA pas 14 ndeshjeve të para.