Kosova as këtë vit nuk do ta përfundoj procesin e liberalizimit të vizave. Të paktën kështu është thënë nga ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, e cila ka konfirmuar se çështja e heqjes së vizave për Kosovën nuk do të jetë në agjendën e BE-së.
Hoxha madje e ka quajtur të padrejtë anashkalimin e Kosovës nga BE-ja, për shkak të politikave të tyre të brendshme.
Një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Ai përmes një statusi në Facebook ka shkruar se është konfirmuar që Kosova nuk do të jetë pjesë e agjendës së Këshillit të Ministrave për çështjen e liberalizimit.
“Lajme të këqija prej Austrisë: konfirmohet e pritura, nuk jemi pjesë e agjendës së Këshillit (të Ministrave) për çështjen e liberalizimit. Kjo me gjasë do të na e humbë edhe vitin 2019, pa pasur mundësi të lëvizim lirshëm në zonën Schengen”, ka shkruar Murati.
Ai tutje ka thënë se Bashkimi Evropian e ka humbur busullën me Ballkanin.
“Mrekullia mund të ndodhë me ndonjë lëvizje në çastet e fundit në agjendë. Gjasat për këtë lëvizje janë 0.001%. BE-ja e ka humbë busullën me Ballkanin. Është krejtësisht e ç’orientuar dhe pa strategji konkrete. Edhe institucionet tona, që nga 2010 e deri më tani, më shumë kanë bërë politikë elektorale me liberalizim sesa punë konkrete. Ky është rezultati, qytetarët e mbyllur në disa km2”, ka shkruar Murati në statusin e tij në Facebook. /Konica.al/