Të luash Kupën e Botës në një vend kur të drejtat e njeriut janë të limituara…Na falni, shumë term i butë, një vend që shkel të drejtat e njeriut me këmbë çdo ditë, është absolutisht jologjike. Dhe kjo faktohet edhe kur bëhet fjalë për një event si Kupa e Botës.
Sepse ndërsa Infantino përballë G-20 i bëri apel Rusisë dhe Ukrainës për armëpushim, duke theksuar se “futbolli bashkon”, atëherë nuk mund ta lejonte që të zhvillohej ky edicion në një vend që ndan, nuk lejon shijimin e atmosferës që kërkon një kampionat botëror. Po listojmë 10 gjëra që nuk lejohen absolutisht në Katar.
1.PUTHJET – Të shprehësh dashamirësinë në publik nuk lejohet, e jo më gjëra të tjera. Vetë Komiteti organizativ i Botërorit “Katar 2022” e shprehu qartë këtë nëpërmjet drejtorit ekzekutiv Naser al Khater 1 vit më parë. Prandaj, nëse dilni në ekranet e stadiumeve dhe vendosni të putheni në publik, duke u dokumentuar, mos ju duket absurde nëse ju arrestojnë dhe më pas burgosin.
2.HOMOSEKSUALITETI – Sipas ligjit të shenjtë islamik, “Shari’ah”, homoseksualiteti dënohet edhe me vdekje. Jo më kot Josh Cavalo, futbollisti australian që doli publikisht 1 vit më parë dhe pranoi homoseksualitetin e tij, nënvizoi se nuk do të shkonte në Katar, pasi nuk ka ndërmend të rrezikojë. Madje, vetëm pak ditë më parë ambasadori i Botërorit, Khalid Selman e tha hapur: “Homoseksualiteti është haram”.
3.JOSHJA – E mbani mend Larisa Riquelmen, tifozen seksi të Paraguajit që u bë e famshme, teksa mbante celularin mes gjoksit dhe vishej shumë provokative? Ndoshta po, por një e tillë në Katar që ekspozon format e saj me të brendshme apo gjëra të tilla harrojeni. Do të arrestohej menjëherë.
4.SHTRËNGIMI DUARVE – Kjo vlen vetëm ndaj femrave, të kuptohemi. Myslimanët nuk u japin dorën personave të seksit të kundërt, duke qenë se një sjellje e tillë nënkupton tundim ndaj dikujt tjetër. Shkurt, barazia mes sekseve nuk ekziston në Katar.
5.DROGËRAT – Kush provon të konsumojë drogëra dhe të kapet në Katar dy gjëra janë të sigurta: ose një gjobë nga 25-75 mijë euro, ose burgim i përjetshëm e deri në dënim me vdekje, nëse je përsëritës. Këtë e thotë ligji numër 9 i vitit 1987.
6.BIRRAT – Edhe FIFA e pranoi këtë, teksa në shtator nënvizoi: “Nuk do të lejohen birrat në stadiume”. Kjo tërboi sponsorët, por në Katar konsumimi i pijeve të alkoolit në publik ndalohet, por jo në shtëpi. Gjithsesi, në Katar janë 35 hotele e restorante të licencuara për të pirë, por i pashoqëruar, ndonëse çmimi minimal i një gote birrë është të paktën 18 euro.
7.CIGARET ELEKTRONIKE – Doni të konsumoni duhan? Bëjeni sa të doni, denduni nëse mundeni, por kurrsesi me cigare elektrike, duke qenë se “vaping” është ilegale që prej vitit 2014 në Katar, ndonëse arsyeja nuk dihet mirë.
8.FOTO PA LEJE – Doni të fotografoni një ndërtesë, diçka të bukur në Katar? Atëherë merrni leje…Të fotografosh ushtarë, agjentë policie, apo ndërtesa publike në Katar është e ndaluar, nëse dikush nuk të jep leje.
9.PORNOGRAFIA – Në një vend që nuk lejohet puthja, a ka shanse të lejohet pornografia? Nuk na e do mendja. Madje, jo vetëm filmat, por edhe revistat, apo edhe lodrat e seksit rrezikohen të të kthehen në një telash të madh që mund të të çojë pas hekurave në Katar.
10.MISHI I DERRIT – Spanja pa dje që mos t’i jepej leja për nisjen e ushqimeve që do të konsumonte kombëtarja. Arsyeja ishte mishi i derrit dhe proshutave të derrit, që siç dihet është sërish “haram” në Katar.