Rezultatet e maturantëve të vitit 2021 shërbyen si një pikë kthese për Ministrinë e Arsimit, e cila kuptoi pas gati një dekade e gjysmë maturë shtetërore se ajo nuk po funksiononte siç duhet, veçanërisht administrimi i provimeve.
Këtë e tregonin notat e maturantëve që ishin deri në tre apo katër nota më të ulëta ose më të larta se ato të marra në tri vitet e gjimnazit. Për këtë, ngriti një grup pune për ta riparë Maturën Shtetërore, e cila doli me disa ndryshime apo risi, të cilat do të implementohen që këtë vit. Të gjitha këto, Ministria e Arsimit po ua prezanton maturantëve në qytetet kryesore të vendit, me qëllim që ata të mos përballen me surpriza gjatë sezonit.
TEST I AUTOMATIZUAR
Çdo universitet, fakultet e madje edhe departament, ka një formulë të tijën për pranimin e studentëve më të mirë. Por edhe kjo mënyrë ka pasur pikëpyetje për faktin se jo të gjithë maturantët vinin me të njëjtin background. Thënë shkoqur, një dhjetë te “Sami Frashëri” në Tiranë nuk është e njëjtë me atë te “Havzi Nela” në Kukës. Fakt është që këta të fundit rezultuan më mirë krahasuar me të gjitha qytetet edhe në provimet e maturës. Por me të shkelur në universitet, gjithçka rezultoi një “flluskë sapuni”.
Vendin e dhjetave e zënë pesat e gjashtat. Për këtë ankohen pedagogët, të cilët thonë se nuk kanë marrë vërtetë më të mirët në departamentet e tyre. Për këtë, MAS ka menduar një zgjidhje. Më saktë, ka miratuar një propozim nga vetë Rektorati i Universitetit të Mjekësisë, që ka kërkuar me kohë rikthimin e konkurseve për pranimin e studentëve të rinj. Projekti do të implementohet që këtë vit, fillimisht pilot dhe duke i lënë vetëm një përqindje në formulën e pranimit, e cila do të ruhet. Kështu, provimi automatik do të jetë risia e parë që do të testohet për pranimin në degën “Mjekësi e Përgjithshme” me 30% peshë në vlerësimin final, ndërsa 70% do të jetë nga notat e tre viteve dhe provimeve të maturës.
“Kishim një diskutim në fillim edhe që të ishte 50 me 50, por pastaj menduam që meqë është viti i parë, po pilotohet si metodologji, kështu që menduam që fillimisht të jetë pesha 30%, pastaj përsëri bashkërisht do ta diskutojmë dhe do ta vendosim nëse do të vazhdojë përsëri kështu apo duhet të ndryshojë”, ka deklaruar ministrja e Arsimit, Evis Kushi, duke e lënë të hapur rrugën për ndryshimin e formulës së pikëve. Fondi me pyetje nga lëndët: Biologji, Kimi dhe Fizikë është në proces përgatitjeje nga një grup mësuesish dhe në datën 31 dhjetor ky fond pyetjesh do të jetë publik. Gjatë kësaj kohe, deri në qershor kur të japin provimin, maturantët do të kenë kohën e mjaftueshme për t’i parë, konsultuar e përgatitur sa më mirë.
S’KA FLETË PËRGJIGJE
Nuk do të jetë vetëm një provim ai për Mjekësinë e Përgjithshme, që do t’u nënshtrohet ndryshimeve, por çdo lloj testi tjetër që ka të bëjë me maturën, që nga hartimi i tij, administrimi i procesi e deri te korrigjimi ose vlerësimi i testit. Në lidhje me hartimin e testit, MAS ka menduar që të heqë fletëpërgjigjen, atë fletën e fundit që shpesh harxhonte së tepërmi kohën dhe hutonte maturantët. Në jo pak raste një ushtrim i zgjidhur saktë, por i rrethuar gabim në fletëpërgjigje për shkak të shpejtësisë a hutimit i penalizonte ata.
Pra, hiqet fletëpërgjigja, një proces që merr më shumë kohë te maturantët dhe rrit rrezikun për gabime. Sa i takon administrimit të procesit, për të shmangur fenomenin e notave fiktive apo të pamerituara, provimet do të zhvendosen nga shkollat në qendra të mëdha të monitoruara nga shumë administratorë dhe kamera sigurie, ku rreziku për të pasur problematika që lidhen me komunikimin me njëri-tjetrin, komunikimin me mësuesin apo ndonjë parregullsi tjetër që është e ndaluar në rregullore, është më i ulët. “Do të përzgjedhim pallatet e sportit në ato bashki, në ato qytete ku i kemi. Mund të jenë mjediset e universiteteve, sallat e mëdha, korridoret. Pra, qëllimi është që të kemi sa më shumë maturantë në vende të hapura, në vende të mëdha, ku jo vetëm ne e monitorojmë më mirë procesin, por edhe vetë maturantët me njëri-tjetrin e monitorojnë”, ka bërë me dije ministrja Kushi në takimin me maturantët e Elbasanit. Ndryshime janë parashikuar edhe në lidhje me vlerësimin e testeve, me shfuqizimin e një pike në rregullore, e cila prej vitesh paracaktonte se korrigjuesit nuk gabonin, duke mos iu dhënë maturantëve të drejtën për rivlerësim të tezës së tyre.
“Ne kemi marrë vendimin që ta heqim nga rregullorja atë pikë. Kështu që do të jemi shumë të kujdesshëm edhe në përcaktimin e afateve, edhe të provimeve edhe të korrigjimit në mënyrë që maturantët të mund ta marrim diplomën në kohën e duhur”. Shkolla do të jetë e para që ezauron ankesën e maturantit e në rast se shikohet me vend do të jetë vetë shkolla që do ta zyrtarizojë këtë ankimim, duke ia dërguar Qendrës së Shërbimeve Arsimore për rivlerësim. Shkolla është futur si ndërmjetës për faktin se mund të jenë të shumtë maturantët që kërkojnë rivlerësim.
Hendek i madh midis notave të Maturës dhe provimeve të Maturës
Shqetësimi kryesor i ekspertëve të arsimit sapo u njohën me raportin e Maturës Shtetërore 2021 ishte hendeku i madh midis ecurisë së nxënësve në tri vitet e shkollës me ato në katër provimet e Maturës Shtetërore. E veç kësaj, handikap i madh qëndron edhe midis shkollave në zonat urbane me ato rurale. I vetmi tregues në rritje të çuditshme është nota mesatare vjetore, çka ka thelluar më tej hendekun e rezultateve të nxënësve me vlerësimin në testet kombëtare.
“Dukuria e pranisë së rezultateve të nxënësve në provimet e Maturës Shtetërore 2021, me një ndryshim prej më shumë ose më pak 2, 3 ose 4 nota kundrejt rezultateve vjetore të tyre, tregon për paqëndrueshmërinë e arritjeve të tyre. Paqëndrueshmëria ndikohet nga shkalla e fiktivitetit në vlerësimin e nxënësve gjatë procesit mësimor, si dhe me administrimin jo korrekt të mjediseve ku zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore”, citohet në raport. Kjo është vetëm një nga gjetjet e analizës së Maturës Shtetërore të vitit 2021, e cila tregon shumë për mënyrën e vlerësimit të mësuesve dhe administrimin e provimeve, që bëhet po nga ana e këtyre të fundit. Pasi dolën në këtë përfundim, ekspertët që kanë hartuar raportin flasin për fiktivitet në vlerësim. Kaq ka mjaftuar që ministria të vihet në lëvizje për të reformuar gjithë procesin.