Dramë në Botërorin e Katarit, ashtu si katër vjet më parë, eliminohet Gjermania që në fazën e grupeve. Pavarësisht se pancerat fituan 4-2 ndaj Kosta Rikës, Spanja përmbyset nga Japonia 2-1 dhe kalojnë më tej këto të fundit, aziatikët si kokë grupi, ndërsa iberikët të dytët. Japonia do të përballet me Kroacinë në fazën tjetër, ndërsa Spanja me Marokun.
Gjermania dominoi totalisht në pjesën e parë. Goli do të vinte në minutën e 10-të me Gnabryn, i cili nuk i dha asnjë shans portierit Navas. Pavarësisht shumë mundësive shënimi, Gjermania nuk arrin të gjejë gol tjetër në pjesën e parë, ndërkohë që Kosta Rika mund të kishte ndëshkuar pas një gabimi të Rudiger, por shpëton Neuer.
E dyta është dramatike. Tejeda barazon për kostarikanët në minutën e 58’, ndërsa në minutën e 70’ vjen edhe goli i avantazhit me Vargas. Gjermanët nuk u besojnë dot syve, që godasin vetëm shtyllat.
Gjithsesi, 3 minuta më pas barazojnë me Havertz. Pancerat hidhen në sulm dhe krijojnë raste të tjera njëri pas tjetrit. Goli do të vinte në 85’, është sërish me Havertz. Gjermania shënon edhe golin e katërt në minutën e parë shtesë me Fulkrug, por nuk mjafton.
Dramatike edhe në ndeshjen tjetër. Morata kaloi Spanjën në avantazh që në minutën e 11-të. U duk sikur gjithçka u zgjidh, por në pjesën e dytë, për habi të të gjithëve, Japonia përmbys në harkun kohor të tri minutave.
Fillimisht Doan në 48’ dhe pastaj Tanaka në 51’ bëjnë që të shpërthejë festa në kampin japonez. Goli i dytë ka shumë vend për diskutime. Japonia arrin deri në fund të mbrojë avantazhin dhe të kualifikohet si e para e grupit.