MENU
klinika

Kufizimi i çmimeve për naftën ruse

Si do të ndikojë vendimi i BE në tregun ndërkombëtar?

06.12.2022 - 11:20

Nga 1 dhjetoi Bashkimi Evropian, vendet e G7 dhe Australia kanë filluar të ushtrojnë presion mbi Rusinë për luftën kundër Ukrainës me një kufizim të çmimit për naftën ruse. Nga e hëna, nafta bruto nga Rusia mund të importohet në Bashkimin Evropian vetëm në raste të jashtëzakonshme. Kufizimi i importit bazohet në një rregullore sanksionesh të miratuar nga 27 shtetet anëtare të BE në qershor, për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës, por parashikonte periudha kalimtare për embargon e naftës.

Sanksionet kundër Rusisë pa efekt?

Këtë të hënë është futur në fuqi edhe një rregullore, e cila synon të detyrojë Rusinë që naftën që transportohet përmes ujërave detare te klientët në vende të tjera, ta shesë me një çmim maksimal prej 60 dollarë amerikanë për fuçi. Të hënën, nafta bruto evropiane dhe amerikane u tregtua: një fuçi Brent i Detit të Veriut kushtoi 85,90 dollarë. Kjo ishte 33 cent më shumë se të premten.

Të dyja masat synojnë të ndihmojnë në kufizimin e fitimeve ruse nga tregtia me naftë dhe të kufizojnë aftësitë luftarake të Rusisë. Sipas një zyrtari të BE-së, rreth tre milionë fuçi naftë bruto në ditë preken nga embargoja. Me një çmim mesatar afatgjatë prej 70 dollarë për fuçi, Rusia do të humbiste rreth 210 milionë dollarë në ditë. Konsiderohet e pamundur që Rusia të shesë të gjithë naftën e vet vetëm tek klientët e tjerë.

Disa vende përdorin përjashtime

Gjermania dëshiron të ndalojë blerjen e naftës së papërpunuar ruse më së voni deri në fund të vitit. Deri atëherë, ajo do të përdorë një përjashtim që zbatohet për vendet e BE-së që, për shkak të vendndodhjes së tyre gjeografike, ishin veçanërisht të varura nga nafta e Rusisë dhe nuk mund të zëvendësojnë importet kaq shpejt. Në Republikën Federale të Gjermanisë, nga kjo përfiton veçanërisht rafineria PCK në Schwedt në Brandenburg. Deri më tani kjo është furnizuar me naftë ruse nga gazsjellësi Druzhba, i cili tani duhet të zëvendësohet.

Deri më tani, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia duan të përdorin këtë përjashtim pa kufizime kohore. Ka përjashtime të tjera për Bullgarinë në lidhje me importin e naftës bruto ruse të transportuar nga deti dhe për Kroacinë në lidhje me gazin vakum. Një embargo ndaj produkteve të naftës do të zbatohet për të gjithë të tjerët nga 5 shkurt 2023.

Reagimet e Rusisë

Ndërkohë Rusia ka kërcënuar se nuk do të furnizojë me naftë vendet që pranojnë kufizimin e çmimit. Vendi e sheh këtë si një vendim që nuk ka lidhje me ekonominë e tregut dhe do të zhvillojë një mekanizëm për të ndaluar përdorimin e çmimit maksimal, tha të dielën në televizionin shtetëror të Moskës zëvendëskryeministri rus Alexander Novak. Nëse Moska e përballon këtë gjendje pa shitur naftë, në tregje mund të ketë mungesë të naftës dhe rritje çmimesh.

Në fundjavë, shoqata e naftës Opec+, e udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Rusia, vendosi të mos ndryshojë nivelin e prodhimit. Që nga fillimi i nëntorit, rreth 20 vende kanë prodhuar dukshëm më pak naftë, dhe kjo duhet të vazhdohet kështu. Por Rusia kërcënoi në mënyrë të njëanshme se do të shkurtonte prodhimin e saj edhe më shumë./DW