Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të japë dorëheqjen pasi me insistimin me çdo kusht i mbajtjes së zgjedhjeve në veri po e shtynë një autonomi.
“E dhimbshme. E rrezikshme. Anti-kombëtare e anti-shtetërore krejt çka po bën e si po vepron Kryeministri. Atij nuk po i mjafton asociacioni të cilin tashmë e ka bërë akt të kryer, por po e shtyn një autonomi për veri.
Insistimi me çdo kusht i mbajtjes së zgjedhjeve në veri, është pjesë e këtij skenari e jo nevojë për rikthim, as të ligjit e as të demokracisë në këtë pjesë të Kosovës. Por ky skenar “nuk do të kalojë” as nga Kurti e as nga sejmenët e tij!
Ky njeri e ka shansin e fundit ta bëjë një punë të mirë për Kosovë. Të japë dorëheqje!”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç e Zveçan, parashikohen të mbahen më 18 dhjetor. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se në situatën aktuale nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë datë. Kjo pasi grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar incidente me armë zjarri dhe granata.
Lista Serbe dha dorëheqje nga të gjitha institucionet në komunat veriore të Kosovës, dhanë dorëheqjen dhe 10 deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës, të cilët u zëvendësuan më pas më 17 nëntor nga nëntë të tjerë nga lista zgjedhore e po këtij subjekti politik, si dhe një nga lista zgjedhore e Iniciativës qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Dorëheqje gjithashtu kanë dhënë edhe pjesëtarët e komunitetit serb në Policinë e Kosovës në katër komunat e veriut të vendit dhe në gjyqësor, pas kësaj dha dorëheqjen dhe Nenad Gjuriç, i cili më herët kishte kundërshtuar të zbatonte masat e Qeverisë së Kosovës për targa serbe.
Qeveria e Kosovës nisi zbatimin e vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale në targa RKS (Republika e Kosovës) më 1 nëntor, i cili u kundërshtua nga serbët e veriut të Kosovës dhe Beogradi zyrtar. Kosova dhe Serbia më 23 nëntor në Bruksel kanë arritur marrëveshje për targat.