Gjyqtarja Mimoza Margjeka, u dënua nga GJKKO këtë të enjte me 4 vite e 6 muaj burg nën akuzën për korrupsion, dënim që pritet të konvertohet në shërbim prove.
Në një reagim pas vendimit të dhënë, ish-gjyqtarja e Durrësit e drejtoi gishtin drejt kryeministrit Rama, kur tha se vendimi ndaj saj ishte i porositur prej maxhorancës në pushtet.
Margjeka nënvizoi se ajo u dënua pasi dha në vitin 2019 vendimin që nuk njihte zgjedhjet lokale me 1 kandidat në bashkinë e Durrësit.
“Vendimi që dhashë unë më 17 korrik, e dha në 19 korrik gjyqtari tjetër me kërkesë të Edi Ramës. Pse s’e hapni dosjen.
Të shqetësosh lartmadhërinë nuk ka lidhje. Unë e di ligjin, e di që këta njerëz sot kanë qenë të porositur. E ngrite zërin do dënohesh. Do ta përballoj do punoj një profesion tjetër.
Ajo shtoi: “Kush ka punuar me mua e di një gjë që është e drejtë unë e bëj dhe i shkoj deri në fund. Unë për atë punë isha aty. Nuk mund t’i thuash futu ti në zgjedhje dikujt që nuk është parti. Çudi do të më dukej të mos më dënonin, a ju kujtohet deklarata për zgjedhjet e bashkisë, keqardhje për gjyqtaren që humbi rrugën, nuk do ta njohim vendimin, tha qeveria.
Në këtë botë rrotullohen gjërat, gjërat do shkojnë në vendin e vetë, por do kohën e saj”.
Kujtojmë se gjykata dënoi gjithashtu bashkëshortin e saj, shtetasin Arben Cara, me 4 vite burg, avokatin Skënder Demiraj me 3 vite shërbim prove dhe Klaudio Zhilla me 3 vite burg.
HETIMET DHE AKUZA
Gjyqtarja Margjeka u arrestua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me SPAK në shtatorin e vitit 2020.
Gjatë operacionit për kapjen e gjyqtares së Durrësit, u vunë në pranga dhe tre avokatë të akuzuar për korrupsion.
Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se bashkëshorti i Mimoza Margjeka ka marrë ryshfet një shumë prej 6 mijë euro për të ndryshuar një vendim.
Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar për trafik klandestinësh.