Nata e tretë e Festivalit të Këngës, e cila ishte dedikuar historisë së këtij eventi, risolli në skenë këngë të paharrueshme në memorien e publikut.
Këngëtarët shumë të dashur për të gjithë si Luan Zhegu, Aleksandër Gjoka Eranda Libohova, Valentin Markvukaj, Josif Gjipali, Bojken Lako, Redon Makashi, Altin Goci u ngjitën edhe njëherë në skenën e festivalit kombëtar, në një duet me konkurrentët për të kënduar hitet e tyre, që bënë të gjithë publikun e në sallën e Pallatit të Kongreseve të këndonte e kërcente bashkë me ta.
Mirëpo, një këngëtare si Aurela Gaçe që ka bërë histori në festival, mungoi, dhe nuk kishte si të kalonte pa u vënë re mungesa e saj, si në event ashtu edhe në spote. Këngët e saj nuk u përmendën askund dhe për këtë një përgjigje e ka edhe vetë Aurela.
Gazetari Andi Vrapi shpërndau në rrjetet sociale një bisedë me Aulona Mustën, e cila kërkonte të dinte pse Aurela nuk ishte në festival.Pyetjes së dy gazetarëve iu përgjigj Aurela në Instagram, teksa ripostoi bisedën e tyre.
“Në siglat promovuese të festivalit asnjë video e këtyre këngëve nuk ishte. Paçka se Aulona thotë që këto këngë janë… pse asnjë prej këtyre këngëve për 3 sekonda nuk ishte pjesë e promos? Në fakt ftesa për të marrë pjesë është marrë. Mbase fakti që nuk munda të jem në skenë bëri të më fshijnë edhe nga videot promovuese!” – shkruan ndër të tjera Aurela.
“Më thanë që më duan, por në momentin që unë nuk kam mundësi të shfaqem, prej angazhimeve sigurisht, ndodh të të fshihet dhe historia, me shumë dashuri”, përfundon Aurela.