MENU
klinika

Dokumentet që duhet të dorëzohen nga Kadastra

Apartamentet pa leje, procedurat e reja për tapinë

22.12.2022 - 15:17

Agjencia e Kadastrës ka paralajmëruar rivënien në zbatim të marrëveshjes me Bashkinë e Tiranës për ashpërsimin e penaliteteve për investitorët, të cilët nuk paraqiten për hipotekimin e pallateve pa leje.

Marrëveshja përcakton që në rastet kur investitori nuk aplikon për të përmbyllur praktikën e regjistrimit, të mos pajiset me leje të re nga Bashkia. Përmes këtij bashkëpunimi, thuhet në njoftimin e agjencisë, synohet që të përshpejtohet procesi i legalizimit të këtyre pallateve në favor të banorëve që kanë blerë apartamente.

Në lidhje me vendimi e fundit të Qeverisë për sekuestrimin e ndërtimeve apo kateve pa leje, kreu i Kadastrës, Artan Lame, tha pak ditë më parë se “Qëllimi i këtij vendimi është që të mos penalizojë qytetarët që kanë blerë në këto pallate dhe fakti i sotëm që ne po vazhdojmë legalizimin e pallateve e braktisura nga ndërtuesi, është një shembull që tregon një ndarje të qartë mes hallit të qytetarëve që kanë blerë një apartament apo njësi shërbimi dhe qejfit të tyre që kanë shkelur lejet dhe që duhet të paguajnë për shkeljet që kanë bërë”.

APLIKIMI
Por cilat janë procedurat që duhet të ndiqen për aplikimin dhe dokumentet që duhet të dorëzohen për të përmbyllur këtë proces? Për hipotekimin e pallateve të braktisura nga investitori, aplikimet bëhen online, ndërsa dorëzimi i dokumenteve mund të bëhet përmes postës shqiptare. Kusht kryesor për nisjen e procedurave të regjistrimit përveç caktimit të një përfaqësuesi është dorëzimi i kopjeve të vetëdeklarimit apo kontratave që disponohen si edhe lista e banorëve që kanë blerë apartamente apo që jetojnë në pallat.

Krahas dokumentacionit të mësipërm, duhet të dorëzohen po ashtu: kopje të kartave të identitetit të personit/personave që kanë kryer blerjen, certifikatë familjare të blerësit në momentin e blerjes, kalimet mbi pronësinë nëse ka pasur shitje te palët e treta, projektin e miratuar, projektin e gjendjes ekzistuese, tabelën e sipërfaqeve, aktekspertizën e qëndrueshmërisë së objektit, si edhe çfarëdo akti noterial që lidhet me posedimin dhe pronësinë.

Sa i takon projektit të pallatit, mund të merret nga njësia vendore, autoriteti që ka lëshuar lejen e ndërtimit, mund të prodhohet nga një subjekt i licencuar i kontaktuar nga qytetarët, ose nga drejtoria përkatëse e ASHK-së.

Ndërkohë, lidhur me aktekspertizën për qëndrueshmërinë e objektit, është dokument teknik, i cili lëshohet nga një inxhinier i licencuar dhe përgatitet detyrimisht për të gjithë godinën.

PËRFITUESIT
Gati 5 vite nga miratimi i ndryshimeve ligjore për regjistrimin e pallateve pa leje, ka ende familje që nuk e kanë përmbyllur këtë proces. Nga Agjencia janë identifikuar më herët 1320 pallate të pahipotekuara. Pjesa më e madhe e tyre janë të përqendruara në Tiranë. Aktualisht, nga ana e ASHK-së nuk ka të dhëna të përditësuara se sa prej familjeve që gjenden në këto kushte e kanë marrë tapinë për apartamentin që kanë në posedim.

Ajo që dihet është vetëm që deri në 2020-n, janë legalizuar 803 pallate, ndërsa gjithsej janë identifikuar më shumë se 1300 objekte, të cilat gjenden në këto kushte, pra, të pahipotekuara. Tipologjitë e problematikave të vërejtura më herët në këto objekte janë të ndryshme. Kështu, ka raste kur pallati është me leje ndërtimi, por është ndërtuar një kat apo shtesë pa leje.

Ka ndodhur që lekët i janë dhënë ndërtuesit, por ky i fundit nuk ka ndjekur procedurat e hipotekimit. Po ashtu, ka një tjetër kategori pallatesh, për të cilat leja e legalizimit nuk ekziston fare, si edhe kategoria kur vetë qytetarët kanë ndërtuar një shtesë pa leje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga zgjatja e afatit te fatura e re e kompensimit

Ligji i ri i pronave, si ndryshon skema?

Çfarë zgjidhje ofron Kadastra për këto kategori?

Rreth 94 mijë familje kanë probleme me legalizimin

Si mund ta bëni aplikimin online dhe kush përfiton

Nis rivlerësimi i pronës, Artan Lame jep porositë e para

Procedurat si do të jepet

Keni humbur certifikatën e pronësisë?