MENU
klinika

Si mund të përfitohet!

Çfarë është bonusi i strehimit?

27.12.2022 - 18:31

Krahas kredive të buta, bonusi i strehimit është një tjetër formë e mbështetjes së familjeve në nevojë, në bazë të të cilës subvencionohet një pjesë e konsiderueshme e qirasë së banesës, për të gjitha familjet që jetojnë me qira dhe kanë të ardhura të pamjaftueshme për ta përballuar atë. Aplikimi për sigurimin e bonusit kryhen pranë njësive vendore administrative. Kështu, çdo aplikues i interesuar që përmbush kriteret e përcaktuara sipas akteve ligjore në fuqi për të përfituar nga ky program i Bashkisë së Tiranës, duhet që të drejtohet pranë njësisë vendore ku rezulton të jetë i regjistruar për të plotësuar formularin tip të strehimit për sigurimin e bonusit të qerasë..

Faza e parë e aplikimit përfshin plotësimin e formularit tip të aplikimit, sipas modaliteteve të përcaktuara. Pas verifikimit të kërkesave të paraqitura në këtë fazë do të bëhet edhe njoftimi i familjeve që rezultojnë të suksesshme, të cilat më pas do të duhet që të paraqiten për të dorëzuar dosjen e dokumenteve të përcaktuara, me anë të të cilave do të bëhet i mundur edhe verifikimi i kushteve të përfitimit për çdo kategori.

“Forma e trajtimi me bonus strehimi përfshin dhe mbështet të gjithë individët dhe familjet që kanë vendbanim në territorin e Bashkisë së Tiranës. Familjet që rezultojnë të suksesshme në fazën e parë të aplikimit, brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga momenti i njoftimit, do të duhet që të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për t’u trajtuar me bonus strehimi. Dorëzimi i dokumentacionit realizohet nga familjari aplikues pranë Sektorit të Informimit dhe Shërbimeve për Qytetarët”, bëjnë me dije autoritetet e Bashkisë së Tiranës rreth procedurave të përcaktuara për përfitimin nga ky program social i strehimit. Listën e detajuar të dokumentacionit që duhet të paraqisni për të siguruar bonusin e strehimit e gjeni të plotë në vijim të shkrimit.

Në vijim Drejtoria e Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës bën të mundur shqyrtimin e çdo praktike të dorëzuar nga aplikuesi sipas akteve ligjore dhe i propozon për vlerësim dhe shqyrtim të mëtejshëm në Komision Strehimi.

Drejtoria e Strehimit Social, dërgon për miratim në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, Tiranë, listën e përfituesve për bonus strehimi. Do të jetë Këshilli Bashkiak i Tiranës që do të miratojë në mënyrë përfundimtare, listën e përfituesve të mundshëm të cilët plotësojnë kushtet për të marrë bonusin e strehimit sipas afateve të përcaktuara.

Ndërkohë që çdo familje e cila nuk përmbushur kriteret për të qenë pjesë e listës fituese, do të njoftohet zyrtarisht me shkresë nga ana e Drejtorisë së Strehimit Social, se pse nuk mund të jetë pjesë e këtij programi përfitimi.

DOSJA E DOKUMENTEVE QË KËRKOHEN PËR BONUSIN E STREHIMIT:
Certifikatë e gjendjes familjare dhe fotokopje të kartës së identitetit të aplikantit.
Dokumentin zyrtar të celebrimit (certifikatë martesore).
Vërtetimin e të ardhurave nga punëdhënësi për të gjithë anëtarët madhorë, të cilët janë në marrëdhënie pune.
Vërtetimin nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse si punëkërkues.
Vërtetimin nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
Vërtetimin nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore, për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
Vërtetimin për vazhdimin e studimeve në institucionet e arsimit të mesëm ose të lartë, për anëtarët e familjes që janë nxënës/studentë.
Vërtetimi nga organet tatimore për të gjithë anëtarët madhorë të familjes, nëse figuroni ose jo të regjistruar në sistemin informatik të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Tiranë.
Pasqyra financiare për vitin kalendarik të shkuar për personat e vetëpunësuar e njehsuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore.
Vërtetimi nga Drejtoria Rajonale Tatimore për derdhjen e kontributeve te sigurimeve shoqërore e shëndetësore, për të gjithë anëtarët madhorë të familjes, të cilët janë në marrëdhënie pune.
Vërtetimi nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Tiranë për të gjithë anëtarët madhorë nëse, disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë.
Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotërojnë anëtarët madhorë të familjes , kur disponojnë pronësi.
Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për anëtarët madhorë të familjes .
Vendimin e gjykatës origjinal ose i noterizuar, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra përmbarimore për masën e pensionit ushqimor që përfiton sipas vendimit të gjykatës.
Libreza e jetimit, lëshuar nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit origjinal ose i noterizuar.
Vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar, për individë me aftësi të kufizuara origjinal ose i noterizuar.
Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”.
Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Policisë së Burgjeve.
Vërtetimi i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës”.
Vërtetim komuniteti rom dhe egjiptian, për familje që i përkasin kësaj kategorie.
Deklarate noteriale që lëshohet nga kryefamiljari, i cili shprehet se është dakord që bonusi të lëvrohet për aplikantin që rezulton i përfshirë në formularin e strehimit.
Vërtetimi për banesat në rrezik shembje, Kopje të procesverbalit pas shembjes së banesës e cila është prekur nga zbatimi i investimeve dhe projekteve publike, fatkeqësi natyrore, etj.
Kontrate qiraje nëse e disponon.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rritje e fortë ekonomike në tremujorin e tretë

Çfarë parashikojnë ekonomistët gjermanë?