MENU
klinika

Bernard Arnault, njeriu i ri më i pasur në botë!

Si arriti të lërë pas Elon Musk dhe Jeff Bezos

03.01.2023 - 11:27

Miliarderi francez Bernard Arnault ka ndërtuar një perandori masive dhe fitimprurëse të shitjes me pakicë të markave luksoze. Nga vjen ai dhe si arriti të bëhej më i pasur se Elon Musk dhe Jeff Bezos?

Elon Musk nuk qëndroi gjatë në krye të listës si njeriu më i pasur në botë. Pak më shumë se një vit pasi arriti majat, ai është eklipsuar nga miliarderi 73-vjeçar francez Bernard Arnault. Analistët e Forbes vlerësuan më 20 dhjetor 2022 se pasuria e Arnault kap shumën 180,2 miliardë dollarë (169.8 miliardë euro), që është gati 17 miliardë dollarë më shumë se ajo e Elon Musk.

Arnault është bashkëthemelues, drejtues dhe CEO i LVMH Moet Hennessy Louis Vuitton, i quajtur zakonisht LVMH. Tek kompania e tij ai është aksioneri i saj më i madh dhe ka shumicën e të drejtave të votës në shoqërinë e regjistruar në bursë.

Kjo nuk është hera e parë që ai kryeson listën e njerëzve më të pasur në botë. Ai e arriti shkurtimisht këtë pozicion në vitin 2019, 2020 dhe përsëri në 2021. Nëse Musk arrin ta kthejë shpejt Twitter-in në kompani fitimprurëse, Arnault mund të mos e mbajë titullin e më të pasurit të botës për shumë kohë. Megjithatë, arritjet e francezit janë për t’u shënuar.

Një perandori luksi
LVMH është një konglomerat me bazë në Paris, e përbërë nga 75 marka të veçanta kryesisht pije, modë e nivelit të lartë dhe prodhime kozmetike. Në vitin 2021 ajo pati një xhiro të ardhurash prej 64,2 miliardë eurosh (68,2 miliardë dollarë), 20% më shumë se në vitin 2019. Moda dhe prodhimet prej lëkure përbënin 48% të të ardhurave.

Kompania, firma më e madhe e mallrave luksoze në botë, ka mbi 175,000 punonjës dhe 5,500 dyqane. Në nëntor 2022, vlera e saj e tregut ishte sipas llogaritjeve të Statista-s rreth 371 miliardë euro, duke e bërë atë një nga kompanitë më të vlefshme në botë, përpara Mastercard, Chevron dhe Nestle.

Kompania LVMH përfshin mjaft marka me famë si Bulgari, Dior, Fendi apo Givenchy

Krahasuar me të tjerët në listën e më të pasurve në botë, Arnault nuk është shumë i njohur jashtë Francës. Megjithatë filialet e kompanisë LVMH mjaft të njohura dhe përfshijnë shumë marka me famë si Bulgari, Dior, Fendi, Givenchy dhe natyrisht Louis Vuitton. Kompania gjithashtu ka në zotërim dyqanet e kozmetikës Sephora dhe dyqane të tjera në Paris. Marka më e vjetër e kompanisë është prodhuesi i verërave Chateau d’Yquem, që u themelua në fund të shekullit të 16-të.

Në Amerikë Arnault tërhoqi vëmendjen kur bleu në vitin 2019 për afro 16 miliardë dollarë argjendarin e famshëm Tiffany & Co. Në Gjermani ai bëri bujë në fillim të vitit 2021, kur bleu Birkenstock, ndonëse është e paqartë se si prodhuesi i sandaleve të rehatshme mund të shndërrohet në një markë luksoze.

Transformimi i çantave Louis Vuitton në miliarda
Arnault ka lindur në Francën veriore afër kufirit belg. Pasi mbaroi shkollën e inxhinierisë, ai u bashkua me kompaninë e ndërtimit të babait të tij. Atje u fokusua në zhvillimin e pasurive të paluajtshme dhe shpejt u bë president i saj.

Në vitin 1984, ai bleu një biznes të falimentuar që përfshinte dyqanin Christian Dior dhe Le Bon Marche. Ky ishte “sulmi” i tij në tregun e luksit. Në vitin 1987 u formua LVMH prej bashkimit të Louis Vuitton dhe Moet Hennessy. Ai shpejt i la mënjanë të tjerët duke realizuar një marrje të imponuar të kontrollit dhe në vitin 1989 u emërua kryetar i bordit drejtues ekzekutiv, një rol që vazhdon ta mbajë qysh atëherë.

Në vitin 1984 Arnault bleu biznesin e falimentuar të Christian DiorNë vitin 1984 Arnault bleu biznesin e falimentuar të Christian Dior

Pasi u bë shefi i vetëm, ai vazhdoi për një dekadë resht të blinte me një vrull miliarda eurosh kompani të tjera njëra pas tjetrës. Shumë prej markave ishin menaxhuar keq apo ishin vjetëruar, kështu që ai solli menaxhim modern dhe punësoi stilistë të rinj për të tronditur tregun.

Kritikja e modës, Suzy Menkes e quante Arnault si “Zoti i Markave” në një profil të tij botuar në International Herald Tribune të vitit 1999. Ky shkrim vazhdon të jetë aktual edhe sot. “Qëllimi i kompanisë është të qenit bashkëkohor, modern, për t’i bërë markat të flasin një gjuhë universale”, shkruante ajo. “Dhe Arnault këmbëngul se ruajtja e individualitetit dhe e të qenit unike e çdo marke është preokupimi kryesor, brenda një strukture korporative të efektshme.” Kjo strategji i ka lejuar çdo marke të ruajë një shkallë pavarësie duke u bërë më profesionale.

Kompania e Arnault vazhdon të zgjerohet veçanërisht në tregjun aziatikKompania e Arnault vazhdon të zgjerohet veçanërisht në tregjun aziatik

Kompania vazhdon të zgjerohet, veçanërisht përmes rritjes në Azi, tregut të saj më të madh, të ndjekur nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Reklamat e saj plot shkëlqim janë aspiruese. Dyqanet ofrojnë artikuj më pak të shtrenjtë si rripa, kapele dhe çdo gjë tjetër me logo për të tërhequr blerësit e rinj.

Po aq e rëndësishme, Arnault beson në fuqinë e internetit. Gjithçka po lëvizte në internet, dhe po kështu do të bënte LVMH pa humbur atmosferën e saj ekskluzive. Tani shumë prej markave kanë faqe interneti dhe dyqane online të pasura dhe nuk kanë më frikë të shfaqin hapur çmimet.

Planifikimi për të ardhmen
Sot LVMH është një biznes familjar. Të pesë fëmijët e Arnault punojnë me të në cilësi të ndryshme. I veshur gjithmonë në mënyrë të përsosur, Arnault ka flokë të thinjura dhe është shumë i rezervuar. Kolegët flasin rrallë për të. Ne e dimë se ai është një tenist i zjarrtë dhe i pëlqen muzika dhe koleksionet e artit. Për disa vite, ai zotëronte shtëpinë e ankandeve Phillips de Pury.

Në vitin 2014 u hap në Paris Fondacioni Louis Vuitton. Muzeu i artit bashkëkohor i projektuar nga Frank Gehry është shtëpia e koleksionit të Arnault dhe supozohet se një ditë do t’i dorëzohet qytetit. Ai gjithashtu ka dhuruar miliona për bamirësi dhe për restaurimin e katedrales së Notre Dame.

Pyetja e madhe tani është: Si do të vazhdojë më pas? Cili nga fëmijët e tij do ta marrë përsipër kompaninë? A është ndonjëri prej tyre i paracaktuar të jetë pasardhësi i tij, apo kompania do të ndahet mes tyre? Dhe a është kompania ende në lëvizje? Chanel, Armani, Hermes dhe një sërë markash të tjera janë ende atje. Por Arnault nuk është vetëm. Taktika e tij për të mbledhur së bashku biznese të markave luksoze të drejtuara nga familja ka frymëzuar të tjerët si Richemont dhe Kering që të bëjnë të njëjtën gjë. Ata mund të jenë konkurrentë, por Arnault krijoi udhërrëfyesin e luksit./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Miliarderi Arnault gati të blejë klubin

Louis Vuitton akord për aksionet e Milanit

Sapo u bë personi më i pasur në botë

Kush është Bernard Arnault?