Kanë nisur reshjet e para të dëborës në Bulqizë për vitin 2023. Zona e Martaneshit është mbuluar nga dëbora mëngjesin e sotëm. Policia ka bërë apel për shoferët që transportojnë minatorët që të përdorin zinxhirë në mënyrë që të sigurohen gjatë udhëtimit, pasi rrugët pritet të bllokohen.
Në qarkun e Lezhës janë shfaqur gjithashtu probleme në qarkullim mëngjesin e sotëm, për shkak të rehsjeve të dendura të shiut të cilat kanë përmbytur disa akse rrugore.
Këtë javë kushtet atmosferike do të jenë nën ndikimin e motit me reshje shiu e vranësira në disa territore të vendit ndërsa në zonat malore do të ketë reshje dëbore. Orët e pasdites së sotme do të sjellin përmirësim gradual të kushteve atmosferike si edhe rënie të ndjeshme të temperaturave për shkak të qarkullimit të masave ajrore nga verilindja e Europës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në mëngjes por më e ndjeshme rënia pritet në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 0°C deri në 14°C. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 45 km/h nga drejtimi verior – verilindor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 3 ballë.