Një rrufe në qiell të hapur pothuajse ishte vendimi i sotëm i Enkelejd Alibeajt për të përjashtuar nga grupi parlamentar 4 deputetë të PD, të gjithë zëra të fortë në Kuvend. Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj sipas vendimit të Alibeaj nuk janë më pjesë e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke nisur nga dita e nesërme, teksa parlamenti ende nuk është mbledhur në sesionin e ri parlamentar.
“BalkanWeb” ka mësuar se ky vendim i Alibeajt ka ardhur në një kohë kur pjesa më e madhe e grupit parlamentar kanë mbledhur firmat për shkarkimin e tij si kryetar grupi dhe zgjedhjen e Ervin Salianjit.
Po kështu mësohet se mes nënshkruesve nuk janë as kreu i PD-së Sali Berisha dhe as deputetët e përjashtuar më parë nga grupi. Alibeaj pasi është vënë në dijeni të lëvizjeve që po ndodhnin brenda grupit ka njoftuar largimin e 4 deputetëve të PD, për të bërë të mundur prishjen e numrave që do të sillnin largimin e tij.
Por shumica e grupit të PD e ka shkarkuar dhe emëruar Salianjin dhe pa firmosur 4 deputetë të përjashtuar dhe pa firmën e Sali Berishës.
Pasi nga 40 anëtarë që ka grupi parlamentar ishin mbledhur tashmë nënshkrimet e nevojshme të deputetëve të PD.
Sipas njoftimit, vendimi i Alibeajt erdhi pasi ka përfunduar afati, edhe ky i deklaruar sot, 1-vjeçar për distancimin publik nga aktet e dhunës në PD më 8 janar të vitit të shkuar.
Por ky me sa duket ka qenë vetëm një justifikim për Alibeajn, i cili duke parë rrezikun për postin e vetëm që mban në PD, ka vendosur largimin nga grupi të katër deputetëve.