Shqipëria finalizon një tjetër marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore. Kësaj here bëhet fjalë për marrëveshjen e njohjes së vjetërsisë së punës ndërmjet punëtorëve të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore kanë bërë me dije ditën e djeshm, se pas 3 ditëve negociata është finalizuar me sukses “Marrëveshja Kuadër me Malin e Zi në fushën e Sigurimeve Shoqërore”, nga e cila do të përfitojnë kryesisht me mijëra punonjës sezonal. Sipas të dhënave të bëra publike bëhet e ditur se janë rreth 2,500 shtetas shqiptarë, kryesisht sezonal, që punojnë në vendin fqinj, qëdo të mund tëpërfitojnë nga kjo marrëveshje, e cila pasi të kalojë etapat teknike, do të hyjë në fuqi me ratifikimin nga Parlamentet e të dy vendeve.
Në finalizimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme, delegacioni shqiptar u kryesua nga zëvendministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, ndërsa delegacioni malazez u kryesua nga zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Edina Dešić. Në negociata mori pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado i cili prezantoi skemën për palën shqiptare, ku dhe ka theksuar se “Mbetemi të angazhuar për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve shqiptarë, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet”.
Aktualisht Shqipëria ka në fuqi 11 marrëveshje dypalëshe në fushën e sigurimeve shoqërore, ndërsa 6 të tjera janë ende në proces diskutimi. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se po intensifikon punën për të rritur numrin e marrëveshjeve dypalëshe, që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, të cilët nga bashkimi i periudhave do të kenë mundësi të plotësojnë kushtet ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.Këto negociata u zhvilluan në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të plotë mes të dyja palëve, ndërsa raundi i ardhshëm do të zhvillohet në Podgoricë.