MENU
klinika

Plani për të përballuar çmimet e karburanteve

BE mbron konsumatorët nga energjia e shtrenjtë

24.01.2023 - 14:10

Propozimet e Bashkimit Europian për të ‘riparuar’ tregun e tij të energjisë elektrike synojnë mbrojtjen më të mirë të faturave të energjisë së konsumatorit nga luhatjet afatshkurtra në çmimet e karburanteve fosile.

BE po reformon tregun e saj të energjisë në përpjekje për të shmangur një përsëritje të vitit të kaluar, kur reduktimet në furnizimin me gaz rus rritën çmimet europiane të energjisë elektrike në nivele rekord, duke rritur paralelisht faturat për familjet dhe duke detyruar disa industri të mbyllen.

Në një konsultim publik komisioni europian paraqiti opsione të shumta për të riparuar mënyrën se si termocentralet shesin energjinë elektrike, si pjesë e reformës së tregut që do të propozohet në muajin mars.

Komisioneri i BE-së për energjinë, Kadri Simson u shpreh se tregu i energjisë elektrike duhet të jetë i përshtatshëm për të ardhmen, duke lejuar dhënien e përfitimeve të energjisë së pastër të përballueshme për të gjithë.

Propozimi i BE-së do të synojë të zgjerojë përdorimin e kontratave afatgjata në Europë që iu ofrojnë termocentraleve një çmim fiks për energjinë e tyre. Zgjerimi i këtyre llojeve të kontratave do të krijonte një pikë bllokuese midis konsumatorëve të energjisë dhe çmimeve të paqëndrueshme në tregjet afatshkurtra të energjisë, duke sjellë fatura më të qëndrueshme të energjisë për familjet dhe kompanitë.

Kjo mund të arrihet nëpërmjet futjes së rregullave specifike të BE-së dhe duke i lënë në dorë qeverive kombëtare që të vendosin t’i përdorin ato.

Ndryshime më radikale, si lejimi i qeverive kombëtare për të imponuar kontratat për diferencat – CfD – në disa termocentrale ekzistuese, janë gjithashtu të mundshme – megjithëse komisioni europian tha se kjo mund të krijonte pasiguri që do të rrezikonte të pengonte investimet shumë të nevojshme në energjinë e rinovueshme.

Franca dhe Spanja kanë bërë thirrje tashmë për një zgjerim të këtyre kontratatve për gjeneratorët e rinovueshëm dhe bërthamor. Vendet e BE-së dhe ligjvënësit do të negociojnë reformat përfundimtare të tregut të energjisë.

Komisioni nxori një sërë ndryshimesh të tjera, të tilla si lehtësimi për konsumatorët që të zgjedhin kontratat e energjisë me çmim fiks për të reduktuar ekspozimin e tyre ndaj rritjeve afatshkurtra të çmimeve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Eurostat/ Në vend janë rritur me 15% nga 2015

Cilat shtete kanë çmimet më të shtrenjta të energjisë elektrike?