Drejtuar studentëve në protestës: PROTESTËN KTHEJENI NË NJË LËVIZJE TË FUQISHME POLITIKE!
Sot, e gjithë Shqipëria është me ju, duke përjashtuar një grup të vogël pushtetarësh që na e kanë vjedhur të ardhmen në të kaluarën e po duan të na e vjedhin edhe sot. Të gjithë shqiptarët janë me ju, disa hapur e publikisht e të tjerë në heshtje.
Frika e pushtetit e ka pas dhe e ka hijen e rëndë në Shqipëri. Nëse del kundër “Atyre”, të persekutojnë njëlloj si në kohën e regjimit të kaluar, e nisin me pushime nga puna të familjarëve e deri me kërcënime të drejtpërdrejta. Ju keni nisur një mision historik dhe i keni të gjitha mundësitë të bëni histori, duke e ndryshuar rrjedhjen e saj në pamje të parë normale, por në të vërtetë krejt anormale.
Ju keni në dorë, tashmë, falë guximit tuaj, të ardhmen tuaj dhe vendit.
Rezistoni deri në fund, mos bini pre e blerjeve, joshjeve nga ata që ju kanë rrëmbyer të ardhmen. Mos bëni asnjë kompromis, mos u nënshtroni e mos pranoni oferta hajnie që kanë për qëllim t’u ndalojnë vrullin e bashkë me vrullin dhe okazionin për të ndryshuar historinë, duke bërë histori.
Nuk ka protestë jo politike. Çdo aksion komunitar është një politike në vetvete. Dakord, që mohoni identifikimin me establishmentin, sepse ju jeni kundër tij, por krijoni politikat tuaja dhe kthejeni në një lëvizje të fuqishme politike.