MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Paracetamoli, si ta përdorim dhe kur ta shmangim

08.02.2023 - 11:17

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Paracetamoli, si ta përdorim dhe kur ta shmangim

Mjeku: Formë dozat fillojnë nga shurupet me përqendrim 100mg ne 5 ml, në supostot 80mg, 125mg, 250mg, 500mg. Në tabletat e ngurta dhe eferveshente 500mg e 1000 mg.

Paracetamoli, ashtu si dhe ibuprofeni përdoret për qetësimin e dhimbjeve të ndryshme për uljen e temperaturës. Paracetamoli bën pjesë në grupin e analgjezikëve. Zotëron efektin antipiretik dhe analgjezik, por jo veprimin antiflamator si ibuprofeni.

Përdoret në dhimbje koke
dhimbje dhëmbësh
dhimbje artikulare
dismenorre
mialgji
nevralgji.
Përdoret edhe në uljen e temperaturës e në ethe. Në rast se temperatura zgjat për një kohë relativisht të gjatë duhet të alternohet një herë marrja e paracetamolit e një herë e ibuprofenit.

Mund të merren deri në gjashtë tableta në ditë dhe dozohet në bazë të peshës dhe sëmundjes. Paracetamoli në përgjithësi tolerohet mirë nga organizmi, por nuk përjashtohen dhe efektet anësore. Në raste të rralla mund të shfaqen reaksione alergjike në lëkurë.

Gratë shtatzënë duhet ta marrin paracetamolin vetëm me këshillën e mjekut, ashtu sikurse edhe nënat që kanë fëmijët në gji.

Paracetamoli në përgjithësi nuk e dëmton stomakun sikurse ibuprofeni, por në raste të rralla mund të japë nauze. Duhet marrë pas ushqimit.

Efektet anësore të veshkave janë të rralla dhe përfshijnë dëmtime akute renale, nekrozë akute dhe nefrit intersticiale. Efektet anësore të veshkave janë vërejtur më shpesh pas overdozës, pas abuzimit kronik (shpesh me analgjezik të shumtë). Efektet anësore të frymëmarrjes mund të jenë shumë të rralla dhe përfshin dispne. Ajo që duhet theksuar e që duhet të kemi kujdes në përdorimin e paracetamolit, është hepatoksiciteti (helmimi i mëlçisë) që shkakton në rastin e përdorimit në sasi të lartë e të shpeshtë.

Ashtu si në rastin e marrjes së çdo medikamenti dhe në rastin e paracetamolit dhe ibuprofenit duhet të tregojmë kujdes në dozën e marrjes dhe në gjykimin e përdorimit të drejtë të tyre në mënyrë që të shmanget kaskada e efekteve të padëshirueshme.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.