Është shtyrë përsëri seanca në Gjykatën e Elbasanit ku do të shqyrtohej kërkesa e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të fituar lirinë.
Seanca është shtyrë përsëri për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të Tahirit.
Tahiri është dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim për “Shpërdorim detyre”, duke u shpëtuar akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.
Tahiri i dërgoi pak muaj më parë një kërkesë Gjykatës së Elbasanit për njohjen e kohës së paraburgimit.
Në shtator 2022, Gjykata e Lartë zbardhi arsyetimin e vendimit përmes të cilit rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për pezullim të dënimit me burg. Ish-ministri iu drejtua kësaj gjykate në prill të këtij viti, gati 2 muaj pasi qëndronte në burg në zbatim të dënimit me 3 vjet e 4 muaj të dhënë nga Apeli i Posaçëm, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.
“Në rastin në shqyrtim nuk rezulton që të ketë asnjë indicie që kërkuesi të mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier dhe nuk ka po ashtu asnjë indicie që vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim e të dënuarit Saimir Tahiri, mund të pasjellë pasoja të rënda për vetë të dënuarin, si dhe për familjen e tij”, lexohej në arsyetimin e vendimit.