Ndodh shpesh që njerëzit ankohen se dhimbja nga një frakturë e vjetër, apo nga një gjendje kronike si sëmundjet reumatologjike, përkeqësohen kur moti bëhet i ftohtë, me shi dhe me erë. Pacientët u thonë shpesh mjekëve reumatologë se janë në gjendje të parashikojnë se kur do të bjerë shi apo kur do të bjerë borë bazuar në intensitetin e dhimbjes që përjetojnë. “Sëmundjet tona, qofshin ato inflamatore si artriti, apo degjenerative si artroza, janë më problematike në muajt e ftohtë të vitit nëse manifestohen me dhimbje të përhapura si fibromialgjia”- thotë profesor Karlo Selmi, kreu i reumatologjisë dhe imunologjisë në Spitalin Humanitas në Milano dhe profesor në Universitetin Humanitas.
“Megjithatë, e meta e pohimeve të tilla, ka të bëjë me fatin se ato nuk mund të jenë objektive. Kur flasim për dhimbje nuk duhet të harrojmë se po flasim për një simptomë, për diçka ekskluzivisht subjektive dhe të raportuar nga pacienti”- shton ai.
Edhe pse mjekët bien dakord se këto situata janë të zakonshme, arsyet prapa këtij fenomeni janë ende të paqarta. Mbi këtë temë janë bërë pak kërkime dhe studimet kanë çuar në përfundime konfuze dhe kontradiktore. Por a ka vërtet një lidhje midis motit dhe dhimbjeve?
“New York Times” ka cituar së fundmi një përmbledhje studimesh mbi këtë temë. Një studim i publikuar në vitin 2016, hulumtoi lidhjen midis motit dhe dhimbjes që lidhet me frakturat e kockave duke analizuar 2.369 vizita të pacientëve që kishin pësuar fraktura.
Gjatë monitorimeve një vit më vonë, pacientët raportuan se kishin ndier më shumë dhimbje në ditën e vizitës kur jashtë moti ishte me një presion të ulët atmosferik dhe me lagështi mbi 70 për qind, situatë kjo që ndodh pak para fillimit të reshjeve apo rënies së temperaturës.
Megjithatë, studimi nuk zbuloi arsyen pse temperatura e ulët e shtonte dhimbjen. Çuditërisht, pacientët raportuan se ndienin më shumë dhimbje kur temperaturat ishin mbi 35 gradë. Një tjetër studim i vitit 2019, zbuloi se te pacientët me dhimbje kronike, situata përkeqësohej me shtimin e nivelit të lagështisë dhe rënien e presionit atmosferik.
Megjithatë, edhe në atë rast nuk u gjet asnjë lidhje midis dhimbjes dhe temperaturës së mjedisit. Por një studim i vitit 2007 zbuloi krejt të kundërtën: dhimbja e lidhur me osteoartritin e gjurit rritej me çdo rënie të temperaturës, por lehtësohej kur binte presioni atmosferik.
Ndërkaq, një studim tjetër nuk zbuloi asnjë lidhje midis ndryshimeve të temperaturës dhe dhimbjes së shkaktuar nga osteoartriti. Gjithsesi studiuesit kanë zbuluar tashmë se rënia e presionit të gjakut është e lidhur me ënjtjen e indeve, e cila mund të shkaktojë dhimbje.
Një studim i vitit 2014 zbuloi se kur bie presioni i ajrit, zgjerohet indi lidhor që rrethon nyjet e njerëzve me artrit reumatoid, dhe kjo gjë shkakton dhimbje. Një nga arsyet pse ka rezultate kaq të ndryshme mbi këtë çështje, është se studimet përfshijnë vullnetarë me patologji të ndryshme (jo vetëm reumatike, por edhe efekte të mëvonshme të lëndimeve) dhe për këtë arsye në lojë hyjnë shumë variable.
Për më tepër, studimet kryhen me metoda të ndryshme, dhe kryesisht përmes vlerësimeve të vetëraportuara dhe siç thekson Selmi dhimbja është subjektive.
“Megjithëse mekanizmat e marrëdhënies dhimbje-mot mbeten të panjohura dhe të vështira për t’u studiuar, përkeqësimi i sëmundjeve reumatizmale me të ftohtin dhe presionin e ulët ekziston, dhe është i vërtetë për pothuajse të gjithë njerëzit, me përjashtim vetëm të atyre, situatat e të cilëve përkeqësohen me ekspozimin në diell, si sëmundja Lupusi.me përjashtim vetëm të atyre, situatat e të cilëve përkeqësohen me ekspozimin në diell, si sëmundja Lupusi. Dhe kjo vlen veçanërisht për sëmundjet inflamatore si artriti reumatoid, ku te gjysma e pacientëve lagështia dhe temperatura e ulët janë nxitës të rëndësishëm të dhimbjes”- thotë eksperti italian.
Ajo që dihet prej shumë vitesh, është se më shumë sesa i ftohti, është presioni i ulët ai që është përgjegjës për përkeqësimin e të gjitha llojeve të dhimbjeve. Ajo që perceptohet janë në fakt ndryshimet nën presionin atmosferik të sinjalizuar nga baroreceptorët, një lloj receptori i pranishëm në trupin tonë që gjendet në muret e enëve të mëdha të gjakut, dhe që janë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në presionin e gjakut.
Kur zbulojnë një ndryshim, ato dërgojnë sinjale në sistemin nervor qendror, në bazë të të cilit bëhet rregullimi i vlerës së presionit të gjakut. Por çfarë mund të bëjmë për të shmangur dhimbjet e shtuara gjatë motit të keq? “Për një nënkategori pacientësh mund të ndihmojnë temperaturat pak më të larta. Ata që vuajnë nga osteoartriti lehtësojnë dhimbjet duke e ngrohur zonën e prekur me objekte të nxehta. Ndërsa në rastin e artritit akut, krimoterapia, pra vendosja e objekteve të ftohtat në pjesën që dhemb, sjell shpesh një lloj lehtësimi të dhimbjes”- nënvizon Selmi.